E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështon biseda e parë Duka-Pango

Ka dështuar totalisht takimi i parë ndërmjet kreut të FSHF-së, Armand Duka, dhe ministrit të Sporteve, Ylli Pango. Drejtuesit e dy institucioneve në konflikt zhvilluan dje "raundin e parë" të bisedimeve pas pezullimit të dyfishtë nga FIFA dhe UEFA. Në orët e para të mëngjesit, Duka është paraqitur në MTKRS, por konkluzioni në fund të takimit nuk e ka ndryshuar situatën në futbollin shqiptar: asnjë nga palët nuk është tërhequr. Përkundrazi, secili ka mbrojtur tezat e tij. Duke dalë nga Ministria e Sporteve, presidenti i FSHF-së ka folur shumë pak për mediat: "Biseduam dhe debatuam për situatën e futbollit shqiptar. Secili mbajti anën e tij. Ne shpresojmë që të ketë takime të tjera për të nxjerrë futbollin shqiptar nga situata ku është futur pas injorimit të vazhdueshëm që ministria u bëri kërkesave të FIFA-s dhe UEFA-s".

Biseda

Debati gjatë takimit kokë më kokë ka qenë shumë i ndezur. Ministri Pango ka këmbëngulur në kërkesën e tij që FSHF të organizojë Asamblenë për miratimin e statutit të firmosur me ndryshime (edhe pse dyshimet janë se MTKRS mund të tentojë që aty të kërkohet votëbesimi i presidentit të federatës). "Gjatë gjithë kësaj kohe jam treguar shumë tolerant dhe nuk firmos më asgjë tjetër rreth Federatës së Futbollit", mësohet t‘i ketë thënë Pango, Armand Dukës. Më tej, ai ka konfirmuar qëndrimin kundër direktivave të FIFA-s: "Ti do mbledhësh Asamblenë dhe aty do të miratohet statuti me ndryshimin e vetëm që ka sipas ligjeve të shtetit". Gjatë bisedës, ndër të tjera, ministri ka treguar qartë edhe se nuk e di si funksionon FIFA, pasi ai i është drejtuar kreut të FSHF-së duke e "akuzuar" se ka ndikuar në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, që vendosi pezullimin pa afat për Shqipërinë. Sipas tij, Duka ka shfrytëzuar miqësinë me presidentin Sep Blater për të përfituar nga mbështetja e FIFA-s. Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë federatës, të cilat kanë shprehur shqetësim për të ardhmen e sportit më popullor në vend. "Që pas pezullimit, FSHF i ka bërë thirrje të shpeshta MTKRS-së për bashkëpunim në të mirën e futbollit, duke i kërkuar që të zbatojë kërkesat e FIFA-s", tha burimi për "Shqip". "Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur. Përkundrazi, në takimin e sotëm (djeshëm) ndërmjet presidentit Duka dhe ministrit Pango, pala shtetërore ka mbajtur të njëjtin qëndrim, duke mos treguar asnjë shenjë ‘bon sensi‘ për të ndihmuar në sheshimin e problemeve. Por, situata është aq sa surreale edhe e pabesueshme: ministri Pango i është drejtuar kreut të federatës me akuzat se ai shfrytëzon miqësitë që ka te FIFA, me kreun e organizmit më të lartë të futbollit botëror (Sep Blater), për të siguruar mbështetjen në këtë luftë. Sipas ministrit Pango, presidentit Duka i mjaftonte një telefonatë që të ndikonte në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, ku u vendos pezullimi i Shqipërisë. Ky është një këshillim i keq që i është bërë zotit ministër të Sporteve, pasi në të vërtetë FIFA ka mbrojtur vetëm interesat e futbollit, të cilat pretendon të zbatohen në të gjitha vendet anëtare".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›