E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot, Plani rregullues i Tiranës prezantohet në këshillin Bashkiak

TIRANE-Pasditen e sotme në orën 18:00 do të mbahet mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku pika më kryesore e cila po zvarritet prej disa muajsh është Plani rregullues i kryeqytetit. Sipas burimeve të konfirmuara nga Bashkia e Tiranës, prezantimin e draftit do ta bëjë administratori i Bashkisë, Dritan Agolli. Jo vetëm ky i fundit, por punonjës të drejtorisë së Urbanistikës si dhe nënkryetarja e Bashkisë, Albana Dhimitri do të jenë të gatshëm për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve apo shqetësimeve që do të kenë këshilltarët në lidhje me planin. Ndërkohë që në mbledhjen e muajit shtator, prezantimi i planit u pezullua për shkak se këshilltarët e PD-së dhe të LSI-së e quajtën tallje mënyrën që kishte përzgjedhur administrata e Bashkisë për prezantimin e planit. Kjo e fundit kishte bërë një regjistrim të përfaqësuesit të firmës “Urbaplan”, e cila ka hartuar dhe planin e kryeqytetit.
Një përparësi në Planin rregullues ka ndërtimi i ambienteve të reja arsimore. Ndaj është parashikuar që minimalisht duhet të ndërtohen 17 shkolla të reja, si dhe të ngrihet një kampus universitar. Por edhe shëndetësia është një tjetër pikë kyçe, ndaj parashikohet të ndërtohen 15 qendra shëndetësore të reja. Në Planin e ri urbanistik është parashikuar se të gjitha projektet që duhet të ndërtohen, duhet të kenë në vëmendje të tyre gjelbërimin. Ndaj është parashikuar që për 10-vjeçarin që do të vijë, të krijohen 175 hektarë gjelbërim. Gjë kjo që mund të arrihet duke mbjellë sistematikisht pemë në çdo aks të Tiranës. Një tjetër çështje kryesore e planit është rrjeti rrugor, ku nuk bëhet fjalë vetëm për ndërtimin e rrugëve, por edhe të hekurudhave e tramvajeve, si p.sh, linja e tramvajit nga “Nënë Tereza” në Paskuqan dhe nga Universiteti Bujqësor deri në Tufinë.
Në këtë mbledhje ku pritet te prezantohet Plani, do të mungojë kryebashkiaku Edi Rama, edhe pse opozita në këshill, pra Partia Demokratike dhe LSI-ja kanë kërkuar që plani të prezantohet nga Rama, ky i fundit nuk do të jetë prezent edhe në këtë mbledhje.
Ndërkohë që veç prezantimit të planit pika të tjera kryesore që do të trajtohen në këtë mbledhje do të jenë: miratimi i listës së 57 familjeve që do të përfitojnë kredi të lehtësuar nga projekti i banesave me kosto të ulët, si dhe 31 familje të cilat do të trajtohen me bonus qiraje nga ana e Bashkisë për vitin 2009. Këto familje që do të marrin bonus qiraje, përfitojnë një vlerë duke nisur nga 5 mijë deri në 12 mijë lekë çdo muaj.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›