E Diel, 1 Nëntor 2026

“Të rinjtë, uragani i fitores së PD-së më 23 qershor”

04-05-2013 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli shpërndau kartat e anëtarësisë për mbi 3088 të rinjtë e anëtarësuar në Forumin Rinor të Partisë Demokratike në Shkodër

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi sot në Shkodër, se “numri i lartë i anëtarësimeve të të rinjve tregon besimin e jashtëzakonshëm të tyre te Partia Demokratike”. Gjatë një takimi me të rinjtë e të rejat e Partisë Demokratike, dega Shkodër, në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të qytetit, Kryetarja Topalli theksoi se, “sot 3088 të rinj e të reja nga qyteti i Shkodrës anëtarësohen në Partinë Demokratike. Nuk ka ndodhur kurrë më parë që të ketë një uragan kaq të madh të rinjsh e të rejash, që duan të bëhen anëtarë të PD-së”. Sipas saj, këta të rinj e të reja i besojnë Partisë Demokratike, kryetarit të PD-së dhe njëkohësisht kryeministrit Sali Berisha. “Ju e dini që Kryeministri Berisha e mban fjalën, pasi ai beson më shumë se kushdo tjetër tek ju të rinj e të reja. Kryeministri Berisha ka bërë të mundur të ndërtohen e rindërtohen 1300 shkolla, 24 mijë laboratorë kompjuterike, 47 shkolla të reja profesionale”, theksoi Topalli.
Ne, vijoi Topalli, bëmë realitet ëndrrën e çdo të riu e të reje, për të shkuar në universitete, për të vendosur bazat për karrierën e tyre.  Kryeparlamentarja Topalli, duke iu drejtuar të rinjve, tha se, “ju jeni brezi i të rinjve të Shqipërisë së lirë, të Shqipërisë së NATO-s, të Shqipërisë pa viza, brezi i internetit, ‘google’-it, ‘facebook’-ut, etj”. “Në 23 qershor në Shkodër ne nuk do marrim 7 mandate, Shkodra do të japë 8 mandate, në mënyrë që në mandatin e ardhshëm të PD ne të marrim rezultat spektakolar”, tha kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kryetarja e Kuvendit theksoi se fitoret e PD-së në vitin 2005 dhe vitin 2009 janë siguruar nga votat e të rinjve, ndërsa siç tha ajo, qeveria e ka shpërblyer besimin e tyre, me liberalizimin e shkollave, rritjen e numrit të studentëve apo mundësinë për të lëvizur të lirë në vendet e BE-së. “Unë e di që energjia juaj është uragani i fitores së Partisë Demokratike në 23 qershor”, përfundoi Topalli.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›