E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot do të luhen takimet e para të “Superligës” shqiptare

Tiranë (Start)- Java e nëntë e kategorisë superior do të çelet sot me katër takimet që do të luhen në orën 14:00.

Ndeshja më e rëndësishme për ditën e sotme, është ajo që do të luhet në tempullin “Loro Boriçi”, midis Vllaznisë vendase dhe Elbasanit. Kuqeblute ndodhen përpara presionit të drejtuesve të klubit dhe tifozerisë shkodrane, të cilët kërkojnë me çdo kusht fitoren. Elbasani udhëton drejt veriut pas fitores së arritur në shtëpi përballë Lushnjes. Ndeshja do të drejtoihet gjyqtari Florenc Jemini.

Takim tjetër interesant është ai i Peqinit, ku Shkumbini do të presë kryeqytetasit e Partizanit. Shkumbini është duke kaluar një moment të mirë në kampionat, duke u ndodhur në vendin e katërt me 12 pikë. Partizani i vendit të fundit, do të ketë sot debutimin e trajnerit të ri, Shpëtim Duro. Më të favorizuar në letër duken vendasit e Shkumbinit, por kundërshtari i tyre me ardhjen e Duros ka ndryshuar atmosferën, duke kërkuar rezultate positive.

Apollonia, e cila e nisi sezonin mjaft mirë, do të presë kampionët e Dinamos në “Loni Papuçiu”. Kampionët shkojnë në Fier për të marrë tre pikët, për të mos u shkëputur nga kreu i renditjes.

Ndeshje tjetër është ajo që do të luhet në stadiumin “Flamurtari”, ku vlonjatët do të presin simpatikët e Bylisit, të cilët vijnë me moral të ngritur pas barazimit në Tiranë me Partizanin.

Ndeshjet e tjera, Lushnja-Teuta dhe Tirana-Besa do të luhen nesër.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›