Sot e nesër, zgjedhjet amerikane dhe në Tiranë
TIRANE- Mbrëmje dhe Mëngjes Zgjedhjesh. Ky është aktiviteti që Dhoma Amerikane në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane do të organizojnë në datat 4 dhe 5 nëntor. Aktivitet i bashkangjitet serisë së aktiviteteve që komunitetet amerikane dhe shqiptare do të organizojnë me rastin e zgjedhjeve Presidenciale në Amerikë.
Aktiviteti është i konceptuar si një takim që do të fillojë në orën 22:00 të mbrëmjes së datës 4 nëntor dhe do të jenë të ftuar zyrtarë të qeverisë, përfaqësues të medias dhe të administratës publike. Gjatë mbrëmjes do të ketë panele me diskutime mbi proçesin zgjedhor në Shqipëri dhe në Amerikë dhe veçantitë e secilit. Përfaqësues të Ambasadës Amerikane, qeverisë si dhe Presidenti i Dhomës Amerikane do të përshëndesin këtë aktivitet.
Gjatë mbrëmjes do të organizohet edhe një votim simbolik ku qytetarë shqiptarë dhe amerikanë do të votojnë për kandiatin e tyre favorit dhe në mëngjesin e ditës së nesërme rezultati do të krahasohet me rezultatin e zgjedhjeve në Amerikë. Më pas takimi do të vazhdojë në mëngjesin e ditës së nesërme së bashku me Ambasadën Amerikane ku do të bëhet e mundur dhe shpallja e një rezultati paraprak.
(s.g/BalkanWeb)