Historia e Nastradinit
Ankaraja po mban barkun me dorë. Nga ana tjetër, është po aq e vërtetë se ka një lumë kritikash nga anëtarë të ndryshëm të BE-së për të mos lëshuar pe ndaj Turqisë, si dhe për të kaluar në një periudhë ngrirjeje të përkohshme të bisedimeve me të, për aq kohë sa nuk do të plotësohen të gjitha kushtet e vëna ndaj saj. Ndërkohë, Athina dhe Nikosia nuk mund të vendosin dot as kushte dhe as sanksione, për të shmangur sadopak statusin "special" të Turqisë në këto bisedime, apo të shpallin se do të bllokojnë fondet e Bashkimit Europian, në periudhën që Turqia të mos ketë vënë ende në zbatim marrëveshjen e bashkimit doganor me Qipron.
Komisioni Europian dhe presidenca suedeze kanë ringritur në qendër të vëmendjes çështjen e anëtarësimit të FYROM-it, si dhe janë të një mendjeje për të hapur një front të ri bisedimesh me diplomatët grekë. Zyrtarët e lartë europianë i dhanë Greqisë një përgjigje të vakët mirëseardhjeje, për sa u takon bisedimeve për ardhmërinë e FYROM-it, duke përfituar si rikompensim nga pala grekë sigurinë se ajo nuk do të krijonte asnjë lloj pengesë në rrugëtimin e Turqisë drejt Bashkimit Europian.
Në të njëjtën kohë, Britania e Madhe ka shtyrë për më të keqen e mundshme për palën greke plan-projektin e përfundimeve të bisedimeve. Në këtë mënyrë, Britania e Madhe synon të bindë Greqinë dhe Qipron se të dyja palët kanë arritur të sigurojnë përftime sa të mjaftueshme aq edhe të kënaqshme. Kjo situatë të sjell ndër mend këshillën e njeriut të mençur e të qëmotshëm Nastradin Hoxha ndaj bujkut, i cili i qahej se banonte në një kasolle të varfër e të vogël: Nastradini e këshilloi që të gjitha kafshët që i mbante brenda, t‘i nxirrte sa më shpejt jashtë. Kur bujku pasoi këshillën e njeriut të mençur, strehëza e tij iu duk më e rehatshme dhe më e këndshme.
Qëndrimet e fundit të mbajtura nga George Papandreu se "bllokimi i fiskut përbën një kërcënim për sovranitetin e vendit" mbartin disa të vërteta. E megjithatë, kjo shprehje tingëllon më shumë si një ndjenjë shfajësimi. Pazaret e pushtetit në Greqi kanë kaluar shpesh në situata komprometuese.
Qysh kur bëri këmbë në pushtet, Papandreu u deklarua për një "road map" për anëtarësimin e Turqisë në BE, ndërkohë që nga pala tjetër jo gjithkush e vret fort mendjen për zbatimin e kësaj "harte të kuqe" të mendjes së Kryeministrit grek. Në të vërtetë, Papandreu nuk dëshironte të bezdiste sadopak Uashingtonin, apo të ndotte klimën e bisedimeve turko-greke. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania janë duke nxitur fuqimisht arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë në lidhje me çështjen e Qipros, në mars të vitit që vjen, duke u mbështetur në një version të ri të Planit të Kofi Ananit. Sa u takon atyre, Kryeministri grek, Papandreu, dhe Presidenti qipriot, Dimitris Christofias, nuk u mbetet çka tjetër, veçse të bien në një mendje.
"Kathimerini"
Përgatiti: Zamir Gjurgji