E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot mblidhet grupi i PS, vendos për bojkotin

TIRANE- Selia rozë do të mbledhë sot në orën 11:00 grupin e saj parlamentar, për të marrë zyrtarisht një vendim politik pas rrëzimit në Kuvend të kërkesës së saj për hapjen e kutive të votimit.

Tri do të jenë temat kryesore të diskutimeve që pritet të zhvillohen në këtë mbledhje. Konkretisht, se cilat do të jenë në të ardhmen marrëdhëniet e deputetëve të PS-së me Parlamentin, çfarë hapash do të ndërmerren lidhur me vendimin e kryetares së Kuvendit, që sipas PS-së ka shkelur rregulloren e Parlamentit me futjen për miratim të nismave ligjore të PS-së, nga të cilat socialistët hoqën dorë para votimit. Dhe tema e fundit e diskutimeve, por jo për nga rëndësia, do të jetë organizimi i protestave në mbarë vendin për rrëzimin e qeverisë.
Burime nga grupi parlamentar i PS-së, te cilat i referohen sot "Gazeta Shqiptare" bejne me dije se vendimi për të bojkotuar sërish Kuvendin nuk pritet të jetë një nga opsionet e mundshme që do votohet në këtë mbledhje. Megjithatë, kjo nuk konfirmohet zyrtarisht.

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të përcaktojë, ndërkohë, edhe deputetët që do të merren me organizimin e protestave sipas qarqeve respektive. Dy ditë më parë, pak para se sa të përfundonte debati në Parlament lidhur me çështjen e transparencës së zgjedhjeve, kryetari i PS-së, Edi Rama thirri në një takim kryetarë dhe sekretarë të partisë nëpër rrethe. Kreu socialist i porositi të zgjedhurit vendorë që të bëhen gati për nisjen e protestave në të gjithë vendin, jo vetëm për krizën ekonomike, por pas refuzimit të kërkesave të PS-së nga maxhoranca, edhe për largimin e kryeministrit Sali Berisha. Pas takimit të zhvilluar në Hotel Tirana, kreu i PS-së për Beratin, Selman Hodaj u shpreh për mediat se, "jemi të vendosur deri në fund për largimin e Berishës".
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›