E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot në këshill prezantohet Plani Rregullues i Tiranës

Prej shumë kohësh Plani Rregullues i Tiranës ka shkaktuar debate dhe akuza të forta mes Partisë Demokratike dhe Bashkisë së Tiranës. PS s'gëzon më maxhorancën si pasojë e koalicionit mes Partisë Demokratike dhe LSI-së. 

TIRANE- Sot, përpara 55 këshilltarëve të Këshillit Bashkiak, administrata e Bashkisë do të prezantojë Planin e Përgjithshëm Rregullues të Tiranës.

Pas shumë zvarritjesh e përplasjesh midis Bashkisë së Tiranës dhe pushtetit qendror, më në fund plani rregullues i kryeqytetit do të prezantohet përpara Këshillit Bashkiak.

Plani urbanistik do të jetë vendimi më i rëndësishëm i të gjitha kohërave që ky këshill do të marrë. Me këtë vendim do të marrë fund amullia e ndërtimeve që është krijuar në territorin e Tiranës, pasi me miratimin e planit do të vendosen njëkohësisht edhe gjurmët e ndërtimeve.

Prej shumë kohësh ky plan ka shkaktuar debate dhe akuza të forta mes Partisë Demokratike dhe Bashkisë së Tiranës.

Maxhoranca e ka akuzuar Ramën se po e mban peng këtë plan për interesa personale. Debatet pritet të jenë të forta edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku për herë të parë pas zgjedhjeve vendore të 2007-ës, Partia Socialiste nuk gëzon më maxhorancën si pasojë e koalicionit mes Partisë Demokratike dhe LSI-së.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›