E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot në mbrëmje Afrika e Jugut sfidëme Uruguajin

JOHANESBURG-Trajneri i Afrikës së Jugut Karlos Alberto Parreira ka mbrojtur topin “Jabulani” dhe vuvuzelat shurdhuese në prag të ndeshjes së sotme me Uruguajn, në program në Pretoria. “I dashurojmë të dyja”, tha ai në prag të kësaj sfide, duke dalë kundër të gjithë atyre që i kanë kthyer këto në një çështje. “Vuvuzelat janë pjesë e kulturës sonë dhe kemi ndërmend t’i përdorim. Ndërsa për topin, na duhet të përshtatemi. Kemi që në mars që stërvitemi me të futbollistët nuk besojnë se kanë më probleme”. Parreira deklaroi gjithashtu se është e pavend të flasësh në këto momente për cilësinë e futbollit, ndërsa sot në mbrëmje skuadra e tij do të kërkojë të fitojë për të mbajtur gjallë ëndrrën e një populli të tërë. “është shpejt për të dhënë një gjykim, skuadrat janë duke u rritur, ndërsa Botërori i vërtetë nis pas fazës në grupe”, u shpreh Parreira. Barazimi 1-1 me Meksikën u ka dhënë zemër afrikano-jugorëve, që pavarësisht se nuk kanë një nivel të lartë janë një skuadër që luajnë me entuziazmin e publikut nga mbrapa.
Tabarez
Përballë Afrikës së Jugut sot në mbrëmje do të jetë Uruguaj, një skuadër që ka fituar 2 Kupa Bote, por që nuk fiton një ndeshje në Botëror prej 20 vjetësh, kur ata mundën 1-0 Korenë e Jugut në Itali. Për trajnerin Oskar Uashington Tabarez kjo periudhë e gjatë pa fitore nuk krijon presion mbi lojtarët e tij. Barazimi 0-0 me Francën u ka dhënë zemër amerikano-jugorëve, që janë shfaqur një skuadër solide në mbrojtje. “Mund të flasësh për presion, por ky nuk duhet të jetë asnjëherë i tepruar. Mendoj se në ndeshjen e dytë do të jemi më të qetë dhe them se jemi në gjendje të ndryshojmë rekordin tonë. Në Uruguaj ka një pritje të madhe për këtë dhe them se do të arrijmë të fitojmë”, u shpreh Tabarez. Por, ndryshe nga kolegu i tij Karlos Alberto Parreira, ai i quajti një problem të madh vuvuzelat. “Komunikimi në fushë është i pamundur, madje edhe gjatë nxemjes, sepse zhurma është vërtetë e madhe. Kjo është e paprecedent, por edhe kur luan në Marakana të Brazilit apo në stadiumin e Boka Xhuniors, sërish nuk dëgjon asgjë”, deklaroi trajneri i Uruguajt.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›