Sot në mbrëmje, Kryeministri Berisha u takua me banorë të njësisë bashkiake numër 7 të Tiranës. Duke folur në këtë takim, Kryeministri u shpreh: "Sot kam ardhur tek ju për t'ju dh
Sot në mbrëmje, Kryeministri Berisha u takua me banorë të njësisë bashkiake numër 7 të Tiranës. Duke folur në këtë takim, Kryeministri u shpreh:
"Sot kam ardhur tek ju për t'ju dhënë fjalën dhe për t'ju garantuar se unë dhe qeveria që unë drejtoj do të mbështesim kryetarin e bashkisë së Tiranës, zotin Sokol Olldashi, do të mbështesim kryetarin e njësisë suaj, zotin Zak Topuzi në të gjitha projektet për të ngritur në këtë zonë dhe mbarë Tiranën rrjetin e shërbimeve që ju meritoni.
Zona juaj, sikundër minibashki të tjera të Tiranës, kanë nevojë para së gjithash për mjedise të përshtatshme për fëmijët tuaj. Shkolla të reja dhe moderne janë zotimi ynë. Sot po dëgjoja ish kryetarin e bashkisë, i cili botoi vëllimin e 1100 gënjeshtrave, të paraqiste si vepra të 6 vjeçarit të tij 3 shkolla të meremetuara, dy prej të cilave ju ranë tavanet dhe shtruan fëmijët në spital. Zoti Rama, nuk duhet t'i ofendosh qytetarët e këtij qyteti që ke qeverisur për 6 vjet. Fëmijët e tyre i çon në klasa me 40-50 nxënës si në asnjë qytet tjetër të Evropës. Ti, zoti Rama, gjatë këtyre 6 viteve, nga viti i parë tek i fundit, ke marrë një buxhet disa herë më të madh, por shkolla nuk ndërtove, sepse paratë i ndave me gonxhet e tu dhe jo se ato nuk mjaftonin për shkolla.
Në rast se ne themi se do t'ua kthejmë qytetin qytetarëve, kemi parasysh se janë me mijëra nëna të reja, të cilat kanë shumë dëshirë edhe të punojnë, edhe të lehtësohen në rritjen e fëmijëve të tyre në kopshte të sigurta dhe moderne. Na thuaj zoti Rama cilin sistem kopshtesh ngrite në këto 6 vjet? Përkundrazi, ke shembur kopshte për të ndërtuar pallate për klanet e tua.
Sot, në traktatin e mashtrimit u zotove se do ta bëje Tiranën qytet turistik. Zoti Rama, a e di që Tirana është 8 herë më i ndotur se çdo qytet tjetër evropian dhe kjo, vetëm e vetëm, se ti me ryshfetet që u merr kompanive të ndërtimit nuk je i zoti dhe i aftë t'ju imponosh asnjë standard, kjo, vetëm e vetëm, se ty të duhet tre vjet për të meremetuar 1800 metra bulevard, kjo, vetëm e vetëm, se ti hap njëkohësisht 10 rrugë dhe nuk paguan asnjërën prej tyre. Kur dalin statistikat e sëmundjeve të tmerrshme që u krijohen qytetarëve nga ndotjet, gjen ndonjë tellall për t'i hedhur poshtë me cinizëm ato, paçka se vetë nuk jeton këtu, por shkon e mbyllesh në muzeun e Pezës. Sigurisht në Pezë nuk ka ndërtime, nuk hapet bulevardi, nuk ka punime rrugës.
Ne do t'ua kthejmë qytetin juve, sepse ne do ta gjelbërojmë qytetin. Ju garantoj se kryetari i ardhshëm i bashkisë dhe zoti Zak Topuzi do të ngrenë këtu një nga parqet më të bukura të Tiranës.
Zoti Rama, duhet të kesh respekt të madh për qytetarët tuaj. Vetëm dy muaj më parë më sollët propozimin që të shndërronim pjesë të tëra të parkut të Tiranës në zonë ndërtimi për kompanitë afër teje. Natyrisht e hodha poshtë. A nuk je ti, zoti Rama, që e mbajte gropën ngjitur me bashkinë për 6 vjet të hapur dhe nuk mbolle dy pemë? A nuk je ti, zoti Rama, që preve cedrat dhe i zëvendësove me qiparisa dhe tani sërish në vend të tyre do ta shndërrosh qytetin në qytetin e dëllinjave? Cedrat ishin mushkëritë e qendrës së qytetit, por ti i preve për një proces tëndin psikik, që askush nuk e kupton.
Zoti Rama, qytetin nuk duhet ta ofendosh, sepse para 6 vjetësh premtove parkingje dhe nuk ke ndërtuar asnjë. Ke ngritur dy linja të të afërmve të gonxheve të tu, por dy linja për Tiranën nuk janë zgjidhje. Përse të gjithë qytetet e Evropës kanë një trafik të shkëlqyer, ndërsa Tirana jo? Nëse do të jepje licenca për linja të reja, bien çmimet e biletave dhe ulen fitimet e klaneve pranë teje.
Zoti Rama, ti që ishe bojaxhiu i kulturës, e di se Tirana me 700 mijë banorë ka një kinema dhe Kuçova me 25 mijë banorë ka një kinema dy herë më të mirë se ajo e Tiranës? Tirana kishte 6 kinema, sot ka vetëm një, sepse i mbylle njëra pas tjetrës. Ku do të shkojnë të rinjtë? Je kulturë apo antikulturë, zoti Rama? Është koha t'i shtrojmë pyetje serioze këtij të papërgjegjshmi, se 6 vjet ia mori Tiranës dhe e la me një kinema. Qytetarët kishin trashëguar edhe një estradë dhe i ndiqnin me shumë kënaqësi artistët e mrekullueshëm të saj. Por ti e mbylle si dëshmi e pasionit tënd për antikulturën. A ka ndonjë park modern lodrash për fëmijët e Tiranës?
Kështu që traktati i 1100 faqeje është traktati i 1100 gënjeshtrave. Mos i ofendo qytetarët, se t'u thuash se ke shtruar 1 milion metra 2 rrugë është të tallesh me cinizëm. Po t'i kthejmë në gjerësi 6 metra do të thotë se ke shtruar rrugë këtu e në Gjirokastër dhe kjo do të thotë se je tallur me to. Po t'i kthejmë në gjerësi 12 metra, do të thotë se ke shtruar rrugë këtu e në Fier dhe sërish do të thotë se je tallur me to. Ja ku e ke baltën, 15 metra larg nesh. Këto i bënin ata, të cilët ti i ke paraardhës shpirtëror dhe nga të cilët vjen, por qytetarët syçelë i hedhin poshtë me indinjatë dhe përçmim. Ti vërtet në këto 6 vjet ke një buxhet 7 herë më të madh, por 7 herë më shumë ke rritur zullumin dhe jo punën për qytetarët e Tiranës. Ndaj vëllezër e motra, në datën 18 shkurt Edvin kriza. Edvin mashtrimi shkon dhe bashkohet me gonxhen e tij. Ne vazhdojmë rrugën drejt integrimit, do të shndërrojmë Tiranën në qytetet evropian, në qytetin tuaj."