Sot në mesditë, Kryeministri Berisha u ndal në Sarandë dhe u takua me banorë të këtij qyteti. Duke folur para tyre, Kryeministri paraqiti rezultatet e punës së qeverisë në 16 muaj qeverisje
Sot në mesditë, Kryeministri Berisha u ndal në Sarandë dhe u takua me banorë të këtij qyteti. Duke folur para tyre, Kryeministri paraqiti rezultatet e punës së qeverisë në 16 muaj qeverisje, prioritet e qeverisë në vazhdim dhe projektet e ardhshme për Sarandën. Ndër të tjera, Kryeministri theksoi:
"Vij sot tek ju t'ju bëj thirrje që në 18 shkurt të vazhdojmë së bashku. Ne vijmë këtu siç vini ju. Po të ndalesh e të shikosh Sarandën, ajo, para së gjitha, është simfoni e mirëkuptimit dhe tolerancës njerëzore. Këtu jetojnë në mirëkuptim të plotë qytetarë me origjinë të ndryshme etnike, shqiptarë, grekë, arumunë, jetojnë në harmoni të plotë qytetarë të ardhur nga të katër anët e vendit, lebër, çamë dhe të përkatësive të tjera. Këtu, më shumë se kudo tjetër, është zhvilluar toleranca, harmonia e mirëkuptimi.
Ne vijmë si aleanca e 10 partive politike, si aleanca më e gjerë që ka njohur vendi në historinë e tij politike. Ne vijmë këtu ashtu siç jeni ju, të gjithë në mirëkuptim me njëri-tjetrin. Unë shpreh bindjen se qytetarë e Sarandës më 18 shkurt do të firmosin fitoren e Edmond Gjokës, i cili, në këto 3, vjet ka garantuar investime dhe punë publike në Sarandë më shumë se investimet nga viti 1992-2003. Investimet e bëra në Sarandë gjatë këtij 3 vjeçari janë 17 milion euro kundrejt 10.2 milion të bëra nga '92-‘03. Saranda sot është qyteti i rrugëve moderne, qytet universitar, me një qendër historike dëshmi e lashtësisë së saj. Saranda vitin që shkoi pati një turizëm 30 për qind më shumë se një vit më parë. Investimet për frymë kanë qenë disa herë më të mëdha se në rrethe të tjera. Ju siguroj se çdo vit ato do të njohin vetëm rritje. Ndaj ju ftoj të votoni Edmond Gjokën dhe ju siguroj se qeveria do ta financojë e mbështesë me fonde publike në çdo projekt për modernizimin e qytetit, modernizimin e shkollave dhe për shërbime sociale, që janë sot më të mirat në Shqipëri, por që do të njohin kufij të tjerë mirësie, për mbrojtjen e mjedisit e zhvillimit të tij.
Së bashku ne do të inagurojmë hyrjen moderne të Sarandës, të cilën ajo e meriton; aeroportin e Sarandës; impiantin e përpunimit të ujërave të zeza e kanalizimeve, që të ruajmë të kulluara ujërat e brigjeve të këtij qyteti; do të punime të mëdha në portin e Sarandës dhe rrugë të tjera. Qeveria do të bëjë çdo përpjekje që së bashku me ju t'i japë Sarandës të gjithë mundësinë të shpalosë, para Shqipërisë dhe botës, të gjitha potencialet e saj. Për ne, Saranda është perla e turizmit shqiptar, është qendër universitare. Ju siguroj se ne po bëjmë çdo përpjekje që fermerët sarandjotë të kenë të gjitha lehtësirat. Vitin që shkoi ne vendosëm disa masa lehtësuese për shitjen e produkteve të tyre dhe më të mëdha do të jenë masat këtë vit. Sikundër administrata e këtij qyteti do të forcohet. Saranda do të shndërrohet në një prefekturë të re të vendit, në të cilën do të përfshihen të gjithë sektorët e administratës dhe ku do të qeverisin sarandjotët në mënyrë që ta çojnë përpara këtë qytet të mrekullueshëm.
18 shkurti është një datë në të cilin çdo qytetar i Sarandës, pavarësisht nga bindjet, duhet ta japë votën, para së gjithash, në interesin e tij. Këtë e konsideroj shumë të rëndësishëm.
Unë besoj se ne kemi qenë besnikë e avokatë të interesave tuaja. Ne premtuam në këtë shesh se do të shtypim krimin dhe ju e dini mirë se ku janë sot kryetarët dhe anëtarët e bandave. Ata janë arrestuar dhe ju garantoj se nuk do të kenë asnjë fat tjetër përveç atij që i rezervon ligji.
Ju premtuam se do të zgjerojmë turizmin dhe vitin e kaluar, Saranda dhe Shqipëria patën 32 për qind më shumë turizëm. Kjo sepse ne vendosën rendin e qetësinë, kthyem ligjin dhe i bëmë më të sigurta rrugët e qyteteve tona.
Ne ju premtuam luftën me tolerancë zero kundër korrupsionit dhe ia dolëm të kursejmë 600 milion euro, ndër të cilat 100 milion janë shkurtimet nga shpenzimet në administratë për dieta, biseda të pafund telefonike për qëllime private, udhëtime për qëllime private. Të gjitha na lejuan të kursenin 100 milion euro. Qindra milion të tjera i shpëtuam duke luftuar kontrabandën dhe evazionin fiskal. Kemi zhdoganuar mbi 2 mijë ton kafe më shumë se një vit më parë, 2 mijë ton birrë më shumë, që i ndante qeveria e mëparshme me kontrabandistët, 33 mijë ton naftë më shumë dhe qindra ton mallra të tjera që nuk zhdoganoheshin, por fitimet ndaheshin me zyrtarët e qeveritarët.
Çfarë bëmë ne me 600 milion euro? 94 milion është fatura për të rritur pensionet. Ne vendosëm pensionin minimal në qytet 100 mijë lekë dhe në fshat 50 mijë lekë. Unë i siguroj pensionistët e Sarandës dhe të gjithë pensionistët shqiptarë se ne e mbajtëm premtim tonë, por nuk do të ndalemi këtu. Rritja progresive e pensioneve të tyre është një nga qëllimet më madhore të qeverisë që unë kryesoj.
Ne jemi përpjekur të secili qytetar të marrë në mënyrë direket apo indirekte të mira nga këto qindra milion euro që ne kursyem. Ne rritëm rrogat e arsimtarëve dhe tani çdo arsimtar që mëson fëmijët tuaj merr 23 për qind më shumë dhe këtë vit do t'i rrisim edhe më shumë. Në këtë mandat ne do t'i dyfishojmë rrogat e tyre. Gjithashtu ne rritëm rrogat e infermierëve 25 për qind, në mënyrë që ata t'ju shërbejnë me përkushtim njerëzve tanë. Këtë vit ne do t'i rrisim sërish ato dhe do të shkojmë drejt dyfishimit të rrogave gjatë këtij mandati.
Ne dyfishuam numrin e studentëve, hapëm universitetin "Aleksandër Xhuvani" në Durrës dhe degën e universitetit ekonomik në Sarandë, vepër kjo e përkushtimit të zotit Edmond Gjoka.
220 milion euro ia kthyem biznesit. Ne premtuam përgjysmimin e taksave dhe brenda javës së parë të qeverisjes ne e mbajtëm këtë premtim.
Kemi ulur çmimin e energjisë elektrike për biznesin 33 për qind, tatimin mbi fitimin 15 për qind dhe nuk vendosëm TVSH-në për ndërtimet. Të gjitha këto me qëllimin e vetëm që biznesmenët shqiptarë të kenë në llogaritë e tyre sa më shumë para për të zgjeruar biznesin dhe e punësuar sa më shumë shqiptarë.
Me paratë që shpëtuam me politikën e duarve të pastra, ne kemi kontraktuar këtë vit punë publike autostrada, superstrada, ujësjellësa, ura dhe porte më shumë se në 50 vite të marra së bashku. Investimet, që do të bëhen në rrjetin rrugor në këto 4 vjet, do të jenë 1.4 miliard euro. Këto investime nuk shtrihen vetëm në autostradat me 4 korsi Milot- Morinë-Prishtinë, Fier-Vlorë apo Korçë-Qafë Thanë, por përfshijnë të gjithë rrjetin rrugor të vendit nga Konispoli në Sarandë, nga Sarandë në Vlorë, nga Delvina në Kardhiq dhe të gjitha rrugët e tjera.
Prandaj ju kërkoj të mbështesni politikën e duarve të pastra, sepse është në interesin jetik të çdo qytetari, i cili ka një shans me ketë politikë të ketë pension më të madh, vende pune, të shkollojë fëmijët e tij, të fuqizojë biznesin, të zgjerojë të gjitha potencialet e Sarandës e të gjithë Shqipërisë.
Me këtë politikë ka një shans të madh, të ecim me shpejtësi drejt Evropës e NATO-s. Ne premtuam se do të firmosim Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe ne e firmosëm atë. Ne premtuam se do të afrojmë Shqipërinë me NATO-n dhe Shqipëria mori mesazhin historik nga Samiti i Rigës. Të gjitha këto u bënë të mundura vetëm sepse ne ai dolëm të faktojmë se kemi vullnet të hekur për të luftuar krimin e korrupsionin, se dimë t'i përdorim taksat e qytetarëve e jo ti shpërdorim ato, se dimë t'i përdorim ndihmat e BE-së dhe vendeve të tjera mike. Është e domosdoshme që kjo alternativë të vazhdojë. Votoni për këtë alternativë.
Po vij nga Delvina dhe më thanë se mali përballë qytetit ishte privatizuar nga kandidatja e PS-së, i kishte marrë fshatit me dokumente fallto malin. Ky është monument i kleptokracisë. Ejani në qendër të Tiranës, të kryeqytetit tuaj dhe shkoni mbrapa hotel Tiranës, ku do të shikoni sesi ish kryetari i bashkisë ka vendosur pallatin e tij 13 kate në mes të rrugës, duke bllokuar rrugën në qendër të qytetit. Nuk ka babëzi më të pakufishme. Vota për Edmond Gjokën është votë për duart e pastra, votë kundër kleptokracisë. Unë shpreh bindjen se 18 shkurti do të jetë fitorja më e thellë që forcat demokratike kanë njohur nga viti '92. Ju bëj thirrje të shkojmë në zgjedhje të lira e të ndershme, ta shndërrojmë 18 shkurtin në ditën e ngadhënjimit të vlerave tona, të përkushtimit tonë ndaj lirisë, dashurisë dhe respektin ndaj saj, ndaj njëri-tjetrit dhe demokracisë."