Sot në mesditë, Kryeministri Fatos Nano bëri një vizitë në selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar me rastin e Festave të Kurban Bajramit dhe Ditës së Paqes. Me këtë rast Kryeministri u
Sot në mesditë, Kryeministri Fatos Nano bëri një vizitë në selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar me rastin e Festave të Kurban Bajramit dhe Ditës së Paqes.
Me këtë rast Kryeministri u shpreh: "Pata kënaqësinë të uroj kreun e Komunitetit Mysliman për ditën e paqes, dita kur Kurani ka zbritur në duart e besimtarëve të ndershëm dhe të mirë myslimanë në Shqipëri dhe në të gjithë botën, një ditë pas Kurban Bajramit, dhe të bisedoj me këtë rast për të forcuar më tej mbështetjen e shtetit për zgjidhjen e problemeve të komuniteteve fetare në Shqipëri, në mënyrë të veçantë për komunitetin mysliman që është shumë i rëndësishëm, si një institucion i pazëvendësueshëm i bashkëjetesës, i tolerancës dhe i paqes me komunitetet e tjera fetare, me të gjithë shoqërinë dhe institucionet e shtetit shqiptar.
Ne po studiojmë në kuadrin e Komitetit Shtetëror të Kulteve dhe të institucioneve të tjera të administratës apo të krijuara nga parlamenti një harmonizim dhe zgjidhje më të mirë dhe të shpejtë të problemeve të kthimit dhe kompensimit të pronave edhe për komunitetet fetare, në rastin konkret për komunitetin mysliman, si në Tiranë ashtu edhe në qytetet e tjera me tradita në vend, si dhe të mbështetjes së nevojshme dhe nga shtetit, krahas vullnetarizmit të besimtarëve, për të pasur në të ardhmen e afërt dhe një institucion të edukimit teologjik të besimtarëve myslimanë, siç inaguruam sot Universitetin Katolik, në mënyrë që arsimi kombëtar shqip të depërtojë me të gjithë traditat dhe vlerat e kulturës sonë edhe në institucionet e fesë dhe të kemi në këtë mënyrë më shumë qetësi, atdhedashuri edhe në fushën e kultivimit të besimit e të mësimeve të Zotit në dobi të të gjithëve" tha Kryeministri Fatos Nano.