- Kryeministri takohet me Sekretarin e parë të Partisë Socialiste të Francës, François Hollande - Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot në mbrëmje në pritjen e organizuar nga Ambasa
- Kryeministri takohet me Sekretarin e parë të Partisë Socialiste të Francës, François Hollande -
Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot në mbrëmje në pritjen e organizuar nga Ambasada Shqiptare në Paris, për nder të vizitës së Kryeministrit në Francë.
Në këtë pritje ishin të pranishëm autoritete franceze, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Francë, personalitete të fushave të ndryshme të zhvillimit, si dhe emigrantë dhe studentë shqiptarë që punojnë e studiojnë në Francë.
Në përshëndetjen e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Nano vlerësoi arritjet e vizitës së tij në Francë dhe mesazhet e bashkëpunimit të marra në takimet me personalitetet e larta franceze, si nje moment të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi kontributin e faktorëve politikë e shoqëror të Francës në zhvillimet dhe proceset integruese të Shqipërisë.
Po sot, Kryeministri Nano është takuar me Sekretarin e parë të Partisë Socialiste të Francës, François Hollande me të cilin diskutoi për mundësitë e forcimit të marrëdhënieve mes dy partive, edhe në kuadër të Internacionales Socialiste. Sekretari i Parë i PS-së së Francës vlerësoi progresin dhe zhvillimet në Shqipëri, të cilat janë të njohura tashmë në Francë, duke theksuar se kjo vizitë ndikon drejtpërdrejtë në forcimin e marrëdhënieve politike, ekonomike, kulturore, etj. mes dy vendeve. Ai u shpreh se Partia Socialiste franceze do të japë kontributin e saj në këtë drejtim.