Sot, në orën 11.00, Këshilli i Ministrave zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, në të cilën u shqyrtuan një sërë projektligjesh dhe vendimesh. • Në hapje të saj, Kryeministri Berisha

Sot, në orën 11.00, Këshilli i Ministrave zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, në të cilën u shqyrtuan një sërë projektligjesh dhe vendimesh.
• Në hapje të saj, Kryeministri Berisha u ndal në reformën në fushën e prokurimeve publike, duke kërkuar nga anëtarët e qeverisë përshpejtimin e punës për përgatitjen e disa akteve nënligjore deri më 20 nëntor të këtij viti.
Kryeministri theksoi se ndërkohë duhet të fillojë trajnimi i punonjësve të administratës publike duke adresuar dhe rialokuar fonde tek Departamenti i Administratës Publike, i cili duhet të bëhet instruktues dhe njohës me ligjin dhe aktet nënligjore.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm në këtë proces, vlerësoi Kryeministri, është miratimi i ligjit me procedurë të përshjetuar në parlament. "Është e domosdoshme, - theksoi Kryeministri, që në janar prokurimet të fillojnë me ligjin e ri. Ky është një kusht shumë i rëndësishëm, sepse aplikimi i dy ligjeve në të njëjtin vit për prokurimet do të krijonte një kaos në një proces thelbësor dhe me pasoja të dëmshme. Duhet të bëjmë çdo përpjekje, të konsiderojmë mundësinë e procedurës së shpejtuar në parlament ose të studiojmë të gjitha mundësitë që ka rregullorja e parlamentit që, përveç të drejtës së Këshillit të Ministrave dhe të drejtës së një numri të caktuar të deputetëve për ta shqyrtuar me përparësi, të shohim edhe procedura të tjera që lehtësojnë votimin e tij në një kohë sa më të shpejtë me qëllimin e vetëm që ky ligj të mund t'u bëhet i njohur stafit që do ta zbatojë atë."
Krahas këtij ligji, Kryeministri bëri të ditur, se së shpejti do të shqyrtohet edhe ligji i koncesioneve dhe partneritetit publik privat, duke e konsideruar atë një ligj themelor për proceset e koncesioneve dhe të pjesëmarrjes private në punët publike dhe veprimtari të ndryshme.
"Ky ligj, - u shpreh Kryeministri, - është shumë i domosdoshëm. Ai, përveç se zhbllokon një proces shumë të rëndësishëm siç janë koncesionet, bën realisht të mundur që disa nga ministritë pothuajse ta dyfishojnë buxhetin duke e përdorur atë në kuadrin e partneritetit publik privat, ku të bëhemi bashkëfinancues. Me këtë bashkëfinancim shteti mbetet pronar i pjesshëm i objekteve që ndërtohen apo punëve publike. Kemi biseduar me ministrin e Bujqësisë dhe ka një interes në rritje për qendra grumbullimi të prodhimeve bujqësore, tregje dhe thertore në qytete të ndryshme. Ne do të inkurajojmë sektorin privat dhe do ta mbështesim me një fond, duke bërë të mundur ndërtimin e objekteve me një kosto sa më të ulët nga buxheti i shtetit."
Ligji i koncesioneve, theksoi Kryeministri ka të njëtën problematikë, atë të hyrjes në fuqi në datën më 1 janar si një praktikë e re, të njohjes së ligjit nga ana e punonjësve që do ta zbatojnë atë, si dhe plotësimin me akte nënligjore të domosdoshme.
"Këto dy ligje, së bashku me ligjin e ankandave, janë pamëdyshje një arritje madhore në fushën e reformave, por kjo arritje pa zbatimin e saj mbetet në letër. Ne duhet të nxitojmë e të punojmë me përkushtim të përgatisim kushtet për zbatimin e tyre. Me këto ligje ne ngremë në një nivel realisht të ri transparence procesin e prokurimit dhe pjesëmarrjes së vlerave dhe aseteve publike të vendit. Është një reformë shumë e rëndësishme që duhet të zbatohet me seriozitetin më të madh.", u shpreh Kryeministri.
Në mbledhjen e tij, Këshilli i Ministrave shqyrtoi një sërë projektligjesh dhe vendimesh, ndër të cilat:
• Marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë së republikës së Greqisë për bashkëpunim në fushën e energjisë.
Kryeministri vlerësoi se marrëveshja rikthen një praktikë të rëndësishme dhe frutdhënëse në vitet '92-'96 në bashkëpunimin në fushën e energjisë.
"Kjo praktikë, - theksoi Kryeministri, - mundëson depozitimin e energjisë reciprokisht, meqenëse të dy vendet kanë natyrë të ndryshme prodhimi, njëri termo dhe tjetri hidro. Në këtë mënyrë, sëbashku me marrëveshjen që kemi me Kosovën, ne optimizojmë shumë përdorimin e resurseve hidrike. Marrëveshjen që kishim e rrëzuan qeveritë kleptokratike, sepse donin importin dhe jo depozitimin e energjisë. Kjo për shkak se importi u jepte mundësi që të bënin marrëveshje personale. Ndaj dhe kjo marrëveshje është e rëndësishme."
• Marrëveshjen e grantit ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Fondit Global për Luftën kundër AIDS-it, Tuberkulozit për programin "Përshkallëzimi i përgjigjes kombëtare ndaj turbekulozit" dhe për programin "Fuqizimi i përgjigjes kombëtare të Shqipërisë ndaj HIV/AIDS-it, për grupet e pambrojtura."
Kryeministri e konsideroi marrëveshjen tepër të rëndësishme në luftën kundër turbekulozit dhe AIDS-it, dy sëmundje me pasoja serioze për shëndetin në mënyrë të veçantë të të rinjve, që duhet të luftohen me vendosmëri.
• Gjithashtu u shqyrtuan një sërë vendimesh për decentralizimin e sistemit të ujësjellësave dhe kalimin e tyre në pronësi të njësive të qeverisjes vendore.
Ndërkohë ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Lulzim Basha bëri të ditur se është gati edhe drafti për decentralizimin e policisë ndërtimore dhe krijimin e inspektoriatit dhe u është dërguar ministrive përkatëse për dhënie mendimi. Në këtë drejtim, Kryeministri vlerësoi se "është e domosdoshme të organizohet një takim me grupin e interesit që janë bashkitë e komunat. Të ftohen bashkitë dhe komunat për ta kaluar me përparësi atë dhe të krijojmë inspektoriatin. Bashkitë e komunat, që kanë përgjegjësi të plotë për administrimin e territorit, të gjejnë mundësi për ta mbrojtur atë."
• Kërkesa e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për një shtesë fondi për njoftimin për tenderin ndërkombëtar për Teatrin Kombëtar dhe Muzeun e Artit. Kryeministri theksoi se njoftimi do të shpallet në gazetat e mëdha të botës si Financial Times dhe tenderi do të jetë i hapur për studiot e projektimit.
Kryeministri u shpreh se Ministria e Kulturës së shpejti të përgatisë dokumentacionin edhe për Bibliotekën Kombëtare për modernizimin e saj. "Biblioteka, - tha Kryeministri, - ka nevoja shumë të mëdha dhe me këtë vendim hapësira i dyfishohet. Aty duhet të jetë vetëm opera dhe pjesa tjetër të jetë e gjitha në shërbim të bibliotekës, e cila duhet të rikonceptohet në të gjitha shërbimet dhe të funksionojë në të gjitha fondet dhe mjetet e teknologjisë më moderne. Ne do ta mbështesim këtë projekt. Punonjësit e saj kanë punuar me vetmohim të adminirueshëm dhe përkushtim."
• Këshilli i Ministrave shqyrtoi edhe projektligjin për krijimin dhe kompetencat e komitetit të kontrollit për lojrat e fatit dhe kazinotë.