E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave me tematikë "Për përgjegjësitë dhe detyrat për parandalimin , planifikimin dhe përbal

Sot, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave me tematikë "Për përgjegjësitë dhe detyrat për parandalimin , planifikimin dhe përballimin e emergjencave civile, për miratimin e dokumentit të programit buxhetor afatmesëm 2004 – 2006, për përmirësimin ligjor të trajtimit të invalidëve të punës dhe për miratimin e kuotave të pranimit në shkollat e larta universitare e të tarifës së shkollimit, për vitin akademik 2003 – 2004".

Në këtë mbledhje u miratuan këto projektligje si vijon:

- Projektligji "Për disa ndryshime në ligjin nr.7889, datë 14.12.1994, "Për statusin e invalidëve", i ndryshuar".
Ndryshimet në ligjin "Për Statusin e Invalidëve" janë pjesë përbërëse e objektivave të qeverisë për të mbështetur me të ardhura këtë shtresë të shoqërisë duke synuar përmirësimin e gjëndjes së tyre ekonomike e sociale për të përballuar më mirë nevojat dhe për të lehtësuar kushtet e tyre të jetesës. Me përmirësimet e ligjit ekzistues përfitojnë vetëm invalidët e punës, pavarësisht nga shkaku i invalidizimit të tyre dhe nuk përfitojnë kategoritë e tjera të paaftësisë. Me këtë riformulim përjashtohen të gjitha kategoritë e tjera të paaftësisë, që përfitojnë statuse të vecanta. Ne nenin 7 të këtij projektligji thuhet " Invalidët e punës që kanë qënë të punësuar në ndërmarrje, institucionet shtetërore, ish-kooperativat bujqësore, repartet ushtarake, si dhe ushtarët e shërbimit të detyrueshëm, që vuajnë nga sëmundje profesionale, të aksidentuar në punë dhe me sëmundje të ndryshme, që arrin pension invaliditeti në mbështetje të ligjeve nr.4171, datë 13.9.1966, "Për sigurimet Shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë", të ndryshuar, me ligjin nr.4976, datë 29.6.1972, "Për pensionin e ish-anëtarëve të kooperativave bujqësore", të ndryshuar dhe ligjin nr.7703, datë 11.5.1993. "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, përfitojnë një shtesë mujore mbi pensionin e invaliditetit, si përfitim paaftësie, nga buxheti i shtetit. Nga ky përmirësim do të përfitojnë dhe 130 ushtarët e shërbimit të detyrueshëm, që kanë humbur pjesërisht ose tërësisht aftësinë për punë gjatë kryerjes së këtij shërbimi. Nga këto përmirësime do të rritet numri i përfituesve nga 4200 invalidë që përfitonin deri më sot sipas VKM nr.381, dt.205.1996, në rreth 30 000 invalidë pune. Efekti financiar i këtij përmirësimi llogaritet me rreth 70 milionë lekë në muaj ose 840 milionë lekë në vit.
Llogaritjet për efektin financiar janë mbështetur në numrin e invalidëve përfitues sipas kategorimit të tyre. Për invalidët që përfitojnë pension nvaliditeti të plotë mbështeten me 3 000 lekë në muaj mbi pensionin e invaliditetit, ndërsa invalidët që përfitojnë pension invaliditeti të pjesshëm mbështeten me 2000 lekë në muaj mbi pensionin e invaliditetit.

- Projektligji "Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë".
Sipas projektligjit të paraqitur, administrimi dhe rakordimi i të ardhurave të mbledhura parashikohet të ndjekë këtë radhë:
• Kontribuesi bën pagesën në lekë dhe paraqet Formularin e deklarimit dhe të pagesës në bankë.
• Banka verifikon shumën gjithsej dhe e pajis kontribut-paguesin me mandat-agesën përkatëse.
• Banka dërgon deklaratat e tatimpaguesve dhe të dhënat e pagesës në organet tatimore.
• Organet tatimore hedhin të dhënat e deklaratave dhe e kryejnë rakordimin e pagesave me bankat.
• Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i siguron Institutit të Sigurimeve Shoqërore të dhëna mbi kontributet e paguara për cdo individ nëpërmjet numrit kombëtar të identifikimit.
Në projektligj propozohet që procedura e re t'i lejojë bankat të japin të dhënat e pagesave, për t'i pasqyruar në Sistemin e Mbledhjes së Kontributeve të Sigurimeve Shoqërore dhe të rakordohen me deklarimet. Deklarimet për kontributet e cdo individi, qoftë si punëmarrës apo individ të vetëpunësuar, do të përgatiten nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimevenë rastin e të gjithë kontribut-paguesve të regjistruar, me përjashtim të atryre që nuk janë tatimpagues. Individët që nuk janë tatimpagues do të derdhin kontrobutet nëpërmjet deklaratave të pagesës me numër kombëtar identifikimi. Të gjithë formularët e deklarimit dhe pagesës do të dorëzohen me pagesën e kontributit në bankë e cila do të kalojë të dhnat e deklarimit organeve tatimore. Listë pagesat në letër aktualisht janë të arkivuara në ISSH për përdorim nga inspektorët gjatë investigimeve.
Ligji për ISSH e lejon atë të penalizojë dhe të gjobisë tatimpaguesit që shkelin ligjin nëpërmjet pagesave të vonuara, regjistrimit të vonuar dhe gabimeve në deklarim. Në fund të cdo viti kalendarik, totali i gjobave për vitin mblidhet dhe kërkohet pagesa e tyre. Sipas këtij projektligji, procedura e mbledhjes me forcë të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore parashikohet të jetë e njëjtë me procedurën e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore. Këto masa fillojnë me njoftim vlerësimin, vazhdojnë me lajmërimin për pagesë dhe përfundojnë me masa të tjera shtrënguese si bllokimi i llogarive bankare, mbyllja e veprimtarisë, sekuestrimi i aktiveve etj.

- Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Bullgarisë, për transportin ndërkombëtar, të kombinuar të mallrave".
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje krijon kushte mjaft lehtësuese për transportuesit e të dy vëndeve duke zvogëluar në maksimum pengesat në pikat e kalimit kufitar dhe doganor si dhe zvogëlon ndjeshëm kohën e përpunimit të mallrave. Marrëveshja do të nxisë përmirësimin e shërbimit si dhe rritjen e aftësive konkurruese të transportit të kombinuar të kryer nga kompani të transportit hekurudhor, rrugor dhe detar me tarifa stimuluese të përshtatshme.

- Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për programin e Korpusit të Paqes së SHBA në Shqipëri".
Marrëveshja parashikon ardhjen në Shqipëri të 30 vullnetarëve që do të arrijnë në shtator 2003 dhe do t'i nnshtrohen trajnimeve specifike, mësimit të gjuhës shqipe për 12 javë, do të kontaktojnë me pushtetin lokal dhe pasi të kryejnë një ceremoni diplomimi do të punojnë për 2 vjet në zonat urbane të Shqipërisë për të mbështetur zhvillimin e tyre.

- Projektligji "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën "Për shenjat dhe sinjalet rrugore, 8 nëntor 1968" dhe në protokollin "Për shenjat rrugore, 1 mars 1973".
Aderimi në këtë konventë bën të mundur uniformitetin ndërkombëtar të shenjave, sinjaleve dhe simboleve e vijëzimeve të rrugës, me qëllim lehtësimin e trafikut kombëtar e ndërkombëtar të rrugës dhe rritjen e sigurisë së qarkullimit në rrugë. Aderimi i vëndit tonë në këtë konventë sjell lehtësira për transportuesit shqiptarë, sidomos për ataqë kryejnë transporte ndërkombëtare dhe u krijon atyre hapësira për të qarkulluar lirisht në territore të huaja.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›