Sot nis samiti i NATO-s, krerët botërorë takohen në Strasburg

Në Strasburg mbërrijnë sot udhëheqës të lartë botërorë për takimin e nivelit të lartë të NATO-s, që do të zhvillohet për dy ditë, i ndarë mes Gjermanisë dhe Francës. Shqipëria, zyrtarisht anëtare e Aleancës, përfaqësohet me autoritetet më të lartë të vendit, të cilët sot në mbrëmje do të marrin pjesë në darkat e punës që do të mbahen në Baden Baden. Takimi, në të cilin pritet të merren vendime të rëndësishme për vetë Aleancën, Afganistanin por dhe marrëdhëniet me Rusinë, do të jetë në trysninë e protestave anti-NATO, të cilat kanë nisur dhe kanë provokuar edhe përplasje me policinë në jug të Strasburgut. Strasburgu ka qenë gjithnjë një udhëkryq i Europës kontinentale, por një qytet kozmopolit, ku të krishterë protestantë e katolikë jetojnë në harmoni mes tyre dhe falen në të njëjtën kishë. Kjo histori, e cila duket se ka ndikuar në përzgjedhjen edhe si kryeqyet të disa institucioneve të rëndësishme europiane, si Parlamennti Europian, apo Këshilli i Europës, duket se i shkon më së miri përshtat edhe takimit të nivelit të lartë të NATO-s, ku fryma e mirëkuptimit dhe solidaritetit do të jetë në sfond të çështjeve që do të trajtohen.