E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liderët botërorë urojnë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO

Shqipërisë i vinë mbërrijnë urimet e para për anëtarësimin në NATO. Kështu, presidenti Bamir Topi ka marrë një mesazh nga Presidenti francez Nikola Sarkozi, në të cilin shprehet dëshira dhe vullneti për thellimin e bashkëpunimit në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Në mesazh theksohet bindja që në prag të festimit të 60-vjetorit të NATO-s, ky do të jetë një moment bashkimi dhe rikonfirmimi i partneritetit euroatlantik. Gjithashtu Samiti i Strasburg-Kelnit do të jetë një mundësi e re për të forcuar e thelluar edhe më tej bashkëpunimin në kuadër të aleancës më të madhe politike dhe ushtarake në botë.Kreu i shtetit Topi, mori gjithashtu një mesazh urimi edhe nga presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO). "Ky akt madhor dhe i shumëpritur e shndërron përfundimisht rajonin tonë në një faktor të rëndësishëm të paqes, të stabilitetit dhe të prosperitetit të përgjithshëm të kësaj pjese të Evropës Juglindore, popujt e së cilës tashmë janë përcaktuar fuqishëm për integrim në familjen e madhe të kombeve të lira e demokratike euroatlanetike",thuhet në mesazhin e presidentit kosovar. Topi ka marrë gjithashtu mesazhe urimi edhe nga presidenti i Maqedonisë, Branko Cervenkovski. "Në këtë moment historik për vendin tuaj, më lejoni që në emër të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe në emrin tim personal t'ju shpreh urimet më të sinqerta për anëtarësimin formal në NATO. Duke pasur parasysh angazhimet tona të përbashkëta për integrimin në NATO dhe aktivitetet e deritanishme në kuadër të Grupit të Adriatikut më lejoni të shpreh bindjen time se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve mike në këtë drejtim duhet të vijojë dhe në periudhën në vazhdim",thuhet në mesazhin e Cervenkovskit.
Urime për presidentin Topi dhe kryeministrin Berisha janë bërë edhe nga kreu i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti. "Më lejoni në fillim që në emër timin personal dhe në emër të Bashkimit Demokratik për Integrim të Ju uroj për anëtarësim e plotë të Shqipërise në familjen e madhe evroatlantike. .Anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në NATO është rezultat i punës së palodhshme të institucioneve të Shqipërisë dhe sot kjo e bën jo vetëm shtetin shqiptar, por edhe rajonin tonë më të sigurt dhe i hap shtigje të reja që edhe Maqedonia, sa më shpejt t'i bashkangjitet familjes së madhe, anëtare fuqiplote e së cilës tashmë është edhe Republika e Shqipërisë", thuhet thuhet në mesazhin e Ahmetit.
Ndërkaq, vetë presidenti Topi i ka përcjellë urime presidentit të Kroacisë për anëtarësimin e dy vendeve tona në Aleancë. "Anëtarësimi, me të drejta të plota, i Kroacisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, më gëzon pa masë dhe dëshiroj t'Ju përgëzoj në emër të popullit shqiptar dhe timin personal, për këtë fitore të rëndësishme në rrugën tuaj të integrimit euroatlantik", thuhet në mesazhin e presidentit shqiptar. Ndërsa Mesiç në mesazhin e tij thekson se "Përpjekjet e përbashkëta që dy vendet tona kanë bërë në vitet e fundit gjatë kësaj ndërmarrjeje për të arritur objektivat tona politike dhe strategjike na kanë përgatitur si partnerë të denjë të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Jam krenar për këtë qëllim dhe jam i lumtur që Republika e Shqipërisë gjithashtu e ka përmbushur objektivin e saj. Me këtë akt, ne kemi bërë një hap përpara drejt një të ardhmeje më të sigurt".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›