Sot pasdite, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me banorë të Elbasanit. Në përshëndetjen drejtuar banorëve, Kryeministri theksoi: "Nga zemra ju uroj gëzuar fitoren e madh
Sot pasdite, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me banorë të Elbasanit. Në përshëndetjen drejtuar banorëve, Kryeministri theksoi:
"Nga zemra ju uroj gëzuar fitoren e madhe të 18 shkurtit, fitoren, orteku i së cilës po qarkon anembanë vendin nga Tirana në Gjirokastër, në Sarandë, nga Tirana në Kukës, Tropojë e Dibër. Nga të katër anët ka vetëm një kushtrim, fitore.
Unë ju garantoj se vota juaj e 18 shkurtit do të shndërrohet në mirësi dhe mbarësi për çdo qytetar të Elbasanit. Me votën tuaj për Luçiano Boçin, ne do ta bëjmë Elbasanin më të sigurt për fëmijët e pronat tuaja. Me votën tuaj ne do të legalizojmë mijëra e mijëra banesa të këtij qyteti. Vota për Luçiano Boçin është votë për shtëpitë tuaja, për pronën tuaj, është votë për sigurinë dhe fuqinë tuaj drejtuese.
Vota për Luçiano Boçin është votë për fëmijët tuaj. Së bashku me Luçiano Boçin, ne do të modernizojmë shkollat e këtij qyteti, do të zgjerojmë qendrën e tij universitare dhe Elbsani do të lartësohet çdo ditë e më shumë në piramidën e dijes komb.
Vota për Luçiano Boçin është votë për punësimin tuaj. Ju garantoj se brenda këtij viti do të inagurojmë parkun industrial të këtij qyteti, si gjenerator i fuqishëm i punësimit të qytetarëve te Elbasanit.
Vota për Luçiano Boçin është votë për rritjen e mëtejshme të pensioneve tuaj. Në një vit ne vendosëm në fondin për pensionet 94 milion euro shtesë, vendosëm pensionin minimal 10 mijë lekë në qytet dhe 5 mijë lekë në fshat. Ju jap fjalën se këtë e konsiderojmë thjesht një stacion, rritje të tjera të rëndësishme do të ketë për çdo pensionist të Elbasanit e Shqipërisë. Vota për Luçiano Boçin është votë për modernizimin e arsimit në Elbasan dhe Shqipëri. Ne rritëm rrogat e arsimtarëve 23 për qind. Këtë vit do t'i rrisim ato 20 për qind dhe në katër vjet do t'i dyfishojmë ato. Ne jemi të vendosur të rrisim rrogat e buxhetorëve më shumë se në 8 vjet të marra së bashku.
Vota për Luçiano Boçin është votë për punësimin tuaj. Këtu, në Elbasan, u kam premtuar biznesmenëve se do të përgjysmonim taksat për biznesin e vogël dhe ne e bëmë këtë. Ne ulëm 32 për qind sigurimet shoqërore, ulëm 33 për qind çmimin e energjisë elektrike për biznesin. Të gjitha këto që biznesmenët e Elbasanit dhe të Shqipërisë të zgjerojnë bizneset e tyre, të investojnë më shumë e të punësojnë më shumë qytetarë.
Vota për Luçiano Bocin është votë për secilin prej jush. Ju garantoj se shërbime sociale të përshtatshme, shërbim shëndetësor të përshtatshëm janë e mbeten zotimi ynë për ju. Së bashku me zotin Boçi do të inagurojmë ndërtimin e spitalit më gjigant e modernizojmë dhe sistemin shëndetësor në këtë qytet.
Elbasani, djepi i dijes dhe vokacionit perëndimor të kombit shqiptar, pret me padurim shpejtimin procesit të integrimit. Ne, këtu, premtuam se do të shembim së bashku muret e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të ecim drejt Evropës. Më 12 qershor ne firmosëm Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Në ditën e flamurit kombëtar, ne morëm mesazhin e Samitit të Rigës për mundësinë e madhe të ftesës për anëtarësim në NATO.
Të vazhdojmë së bashku në rrugën në këtë rrugë. Të mos lejojmë të ngrihen mure në rrugën tonë. Shoku Qazim Sejdini përfaqëson këtu, mbi të gjitha, interesat e tij personale, përfaqëson arkën e tij. Më duhet t'ju them se në praktikën tashmë të njohur punojmë e vjedhim, vjedhim e punojmë, ata e konsiderojnë arkën e tyre dhe arkën publike si enë komunikuese. Ndaj dhe ju bëj thirrje më 18 shkurt shokut Sejdini i jepni verdiktin që ai meriton. Ju ia dhatë një herë në 3 korrik e ai nuk vuri mend. Tani në 18 shkurt urojmë që ai të kthjellohet.
Qytetarë të Elbasanit,
Opozita po përjeton një krizë të thellë, e cila, para së gjithash, e ka burimin në krizën e rënde psikologjike të kryetarit të saj. Kryetari i saj sot feston ditën e tij. Të gjithë së bashku festuam Shën Valentinin, ditën e dashurisë. Sot është Shën Fausti, dita e vetmisë. Prandaj i nisni të gjithë nga një kartolinë këtij vetmitari, që nuk mund të ketë kurrë një shok, një shoqe, një mik, që nuk mund të ketë afër askënd. Për herë të parë, në 15 vjet, opozita dorëzon fushatën në mes të saj. Pas një rrebeshi kritikash, zoti Rama erdhi dhe u takua sot me shokun Sejdini, por ju i thatë se jeni të humbur që të dy.
Qytetarë të Elbasanit,
Ne kemi një detyrë të madhe, të bëjmë që 18 shkurti të ketë zgjedhjet më të lira e të ndershme në historinë tonë. Edvin Rama të marrë çdo vendim që të dojë, ju duhet të numëroni çdo votë me ndershmëri absolute e korrektesën më të madhe. Kjo është dhurata më e madhe për njëri-tjetrin, Elbasanin dhe Shqipërinë.
Të mos e lejojmë ‘mister krizën' të projektojë tek ne vështirësinë e tij shpirtërore. Ai është mosbesimi, ne jemi besimi, ai është obsesioni. Ta lëmë në problemin e tij. Ne besojmë tek njëri-tjetri, tek familja, tek Elbasani. Ndaj më 18 shkurt do të nxirrni Luçiano Boçin fitimtar.
Nesër në orën 5, mbarë Shqipëria feston në sheshin Skënderbej fitoren e madhe të 18 shkurtit. Të gjithë qytet e Elbasanit janë të ftuar të vijnë të festojmë e gëzojmë së bashku."