E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga kandidati i maxhorancës për bashkinë e Tiranës Sokol Olldashi dhe Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Lulzim Basha, përuroi sot n

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga kandidati i maxhorancës për bashkinë e Tiranës Sokol Olldashi dhe Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Lulzim Basha, përuroi sot në mesditë shatërvanin e ri mbi rrethrrotullimin në sheshin "Rilindja".

Kryeministri e vlerësoi këtë vepër simbol të kohës së re për Tiranën, kohën e ripërtëritjes së saj. Ndërsa sheshin "Rilindja", Kryeministri e konsideroi simbol të policentrizmit të kryeqytetit. Në komentet e tij, Kryeministri, ndër të tjera, theksoi:

"Ne inauguruam një nga simbolet më të bukura të kryeqytetit, këtë shatërvan, kaskada e të cilit është e përmasave më të mëdha që mund të ekzistojë. Kryetari i bashkisë inauguroi sheshin ‘Rilindja'. Tirana rilind me largimin më 18 shkurt të ish kryetarit të saj. Ky shatërvan është lajmëtari i një kohe të re për Tiranën, i një kohe të ndryshuar. Sheshi me shatërvanin janë simbol i policentrizmit të këtij qyteti. Uji simbolizon sot fitoren e pastër e të kthjellët si kristali. Le ta pagëzojmë shatërvanin si shatërvani fitorja.

Shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë inxhinierët, arkitektët, urbanistët e këtij projekti të mrekullueshëm që i dhuruan qytetit. Një mirënjohje të thellë edhe për biznesmenët e këtij qyteti, të cilët, në shenjë dashurie, respekti dhe pasioni për qytetin, dhuruan këtë vepër artistike të mrekullueshme.

Nuk mund të mos theksoj se ish kryetari i bashkisë, në rast se dëshiron, do të ketë mundësi pas datës 18 shkurt të vijë të lajë mëkatet në këtë ujë të kristaltë. Natyrisht të mos harrojë se është ambient publik dhe duhet të respektojë disa rregulla.

Ish kryetari i bashkisë, për shkak të fobisë që ka, i vuri në heshtje. Kryetari i ri i bashkisë inauguron sot këtë shatërvan madhështor, që do të ketë një bukuri të kristaltë në hyrje të Tiranës. Kryetari i ri i bashkisë së Tiranës do t'i rikthejë në jetë edhe dy shatërvanët e tjerë dhe do të ndërtojë të tjera, sepse uji është simboli i jetës, gjallërisë, pastërtisë dhe i përjetësisë.

Këtu, shatërvani shënon dy kohëra. Në kohën e psikologjisë së bunkerit, njeriu, që lustroi në gjithë fëmijërinë dhe rininë e tij statujat e diktatorit e diktatorëve, po i ndërtonte Tiranës bunkerin, për të lënë një trashëgimi të tmerrshme. Krahasoni bunkerin e tij me këtë vepër madhështore, të mahnitshme që i jep një hapësirë e frymëmarrje të madhe qytetit dhe një bukuri të veçantë. Filloi ripërtëritja e Tiranës, sigurisht me rregulla."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›