E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot paradite, Kryeministri dhe Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Fatos Nano mori pjesë në festën e organizuar në Pallatin e Kongreseve në Kryeqytet, me rastin e anëtarësimit te PS

Sot paradite, Kryeministri dhe Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Fatos Nano mori pjesë në festën e organizuar në Pallatin e Kongreseve në Kryeqytet, me rastin e anëtarësimit te PSSH në Internacionalen Socialiste, ku mbajti këtë përshëndetje:

Të dashura motra,
Të dashur vëllezër socialistë,

Ta gëzoni anëtarësimin e partisë sonë në Internacionalen Socialiste, në familjen më të madhe, më të vjetër dhe njëkohësisht më moderne politike të mbarë globit.

Festa jonë e sotme nuk është festë vetëm e socialistëve por e të gjithë shqiptarëve. Duke nisur nga dita e sotme nëpërmjet nesh të gjithë shqiptarët kanë një partner më shumë në rrugën e tyre të progresit dhe integrimit, Internacionalen Socialiste.

Rruga përmes së cilës ne mbërritëm deri këtu nuk ka qenë aspak e lehtë. Në këta 12 vjet të rritjes sonë ne, socialistët, dëshmuam se jemi të aftë të reformojmë veten dhe Shqipërinë. Për asnjë çast ne nuk e ndërpremë dhe nuk do ta ndërpresim këtë transformim të vetes dhe shoqërisë shqiptare. Kjo është për ne e vetmja mënyrë për të qenë në ballë të zhvillimeve të qëndrueshme të vendit, ashtu si meritojmë të jemi.

Në këta 12 vjet të rritjes dhe reformimit tonë ne u vlerësuam si forcë politike, sepse kemi qenë dhe vazhdojmë të mbetemi aktivë në veprimtari dhe inisiativa politike të spikatura në Shqipëri, në rajon, në Europë dhe më gjerë.

Në 12 vjet të rritjes sonë ne provuam në realitete zhvilluese se një forcë politike është e suksesshme, e votuar në maxhorancë, e vlerësuar brenda dhe jashtë vendit vetëm kur mbështetet tek njerëzit dhe punon për njerëzit. Në 12 vjet ne rrëzuam kultet dhe piedestalet, por lartësuam votën dhe mendimin e lirë të çdo anëtari, ithtar të një partie dhe shoqërie që modernizohet.

Motra dhe vëllezër!

Me anëtarësimin në Internacionalen Socialiste me të drejta të plota ne realizuam së bashku një ndër ojektivat themelorë të Partisë Socialiste të Shqipërisë që me themelimin e saj. Merita për këtë sukses u takon padyshim të gjithë socialistëve nga Tirana, Durrësi, Vlora, Korça, nga Tropoja deri në Sarandë, nga qyteti dhe nga fshati, të moshuar dhe të rinj, burra dhe gra, që besuan që partia jonë mund të transformohej dhe të angazhohej në një proçes ndërkombëtar të demokracisë me kontribute të shquara.

Ne arritëm të krijojmë dhe konsolidojmë një parti të hapur dhe demokratike të së majtës, që ka në themel të aksionit të saj politik e përfaqësues ndërtimin e një shoqerie sa më të hapur dhe pluraliste, të lirë dhe solidare, të drejtë dhe të sigurtë për të gjithë. Këto janë vlerat e vërteta të së majtës demokratike si në Shqipëri dhe në mbarë botën.

Ne sot jemi anëtarë të Internacionales Socialiste sepse arritëm të bashkojmë në një parti moderne të gjithë ata njerëz që respektojnë dhe kultivojnë vlerat fondamentale të lirisë dhe të barazisë së shanseve, të drejtësisë dhe të kohezionit social.

Duke ndaluar çdo lloj diskriminimi ne arritëm të integrojmë në një forcë politike të vetme gjinitë, kombet, racat, besimet fetare dhe traditat kulturore të mbarë Shqipërisë.

Ne jemi sot pjestarë aktivë të zhvillimeve bashkëkohore, pra jemi internacionalistë sepse kemi ditur, duke i mbetur besnikë parimeve dhe vlerave tona themelore të realizojmë në mënyrë progresive objektivat dhe angazhimet e marra përballë shoqërisë shqiptare, të kënaqim interesat dhe ambiciet e çdo individi dhe grupimi, që duke respektuar Kushtetutën tonë të brendëshme ka dëshmuar dhe vazhdon të dëshmojë aftësi për alternativë, për konkurim, për votim nga anëtarësia dhe zgjedhësit për kontribute në realizimin e misionit tonë të përbashkët, modernizimin dhe integrimin euroatlantik të vendit.

Misioni ynë dhe anëtarësimi i Partisë Socialiste të Shqipërisë në Internacionalen Socialiste shënoi për të gjithë nisjen e një epoke të re sfidash dhe angazhimesh politike, përfaqësuese dhe qeverisëse, realizimi i të cilave kërkon akoma më shumë përgjegjësi, më shumë solidaritet të brendëshëm, më shumë disiplinë dhe rregull, më shumë hapje ndaj faktorëve dhe aktorëve të progresit, më shumë dashuri dhe kontribut për idealin dhe Partinë Socialiste, për Shqipërinë europiane që po ndërtojmë sëbashku.

Koha provoi se parimet tona të gjithëpërfshirjes, të hapjes ndaj shoqërisë civile, të tolerancës, të meritokracisë,nuk të çojnë në liberalizëm kaotik, por në Internacionalen Socialiste. Pranimi ynë në këtë organizatë të madhe është afirmimi më i mirë dhe i merituar i vlerave që kemi krijuar dhe i parimeve që kemi zbatuar në këto 12 vjet.

Prandaj i ftoj të 85 mijë anëtarët aktualë të partisë sonë të lavdishme të angazhohen edhe më shumë për t'i ruajtur dhe konsoliduar këto vlera dhe parime, që na kanë dhuruar vetëm sukses dhe vendit progres.

Çdo rrugë tjetër e provuar dhe e pa provuar nga vullneti juaj politik, vullnet tashmë i inkuadruar në këtë organizatë idealesh progresiste botërore, nuk do të mund të cënojë kohezionin dhe solidaritetin tonë parimor dhe programor. Unë jam i sigurtë se të gjithë socialistët e vërtetë janë dhe do të mbeten luftëtarë të idealeve dhe parimeve të mëdha që na anëtarësuan në mënyrë të merituar në familjen e madhe të socialistëve dhe progresistëve botërore.

Ta gëzojmë motra dhe vëllezër Internacioanalen!
Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë!
Rrofshin anëtarët dhe militantët e saj të mrekullueshëm progresistë!
Rroftë Shqipëria moderne dhe europiane që po vazhdojmë të ndërtojmë sëbashku!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›