Paraditen e sotme, Kryeministri Berisha mori pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e promovimit të Fondit Evropian për Evropën Juglindore. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Minist
Paraditen e sotme, Kryeministri Berisha mori pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e promovimit të Fondit Evropian për Evropën Juglindore.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministri i Financave, Ridvan Bode, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Fullani, drejtues të Fondit, përfaqësues të trupit diplomatik dhe të ftuar të tjerë të fushës ekonomike.
Fondi Evropian për Evropën Juglindore (EFSE) do të veprojë në Shqipëri dukë financuar ndërmarrjet e vogla dhe shumë të vogla, fermerët dhe familjet shqiptare. Kështu në 5 vitet e ardhshme pritet që ky fond të ofrojë rreth 120.000 kredi, për ndërrmarjet e vogla, shumë të vogla dhe fermerët, si dhe rreth 30.000 kredi për përmirësimin e kushteve të banimit për familjet. EFSE do të kontribuojë gjithashtu në hapjen e 30.000 vendeve të reja të punës në tërë rajonin e Evropës Juglindore, përfshi këtu edhe Shqipërinë.
Guvernatori i Bankës, zoti Fullani, në fjalën e tij, u shpreh se veprimtaria e këtij Fondi do të shërbejë për të mbështetur dhe nxitur zhvillimin e ndërrmarrjeve të vogla në Shqipëri. Lidhur me këtë zoti Fullani nënvizoi se prezantimi i këtij fondi përbën një element i ri, i cili do të funksionojë si një katalizator për një sërë ndryshimesh dhe mundësish të reja në përputhje me kërkesat e një tregu modern.
Kryeministri Berisha duke përshëndetur konferencën, vlerësoi mundësinë që i jepet Shqipërisë për t'iu bashkuar Fondit të investimeve publike,private të promovuar nga KfW dhe të financuar nga një numër agjencish qeveritare evropine, banka të zhvillimit, banka tregtare si dhe nga qeveritë e vendeve të rajonit.
Më tej në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:
"Së pari dua t'ju falënderoj për ftesën që më keni bërë me rastin e prezantimit të Fondit Evropian për Evropën Juglindore. Kjo është një mundësi unike që i jepet Shqipërisë për t'u bashkuar me fondin e parë të investimit publik, privat, fond ky i promovuar nga KFW dhe i financuar nga agjenci qeveritare evropiane, banka zhvillimi, banka tregtare si dhe nga qeveritë e vendeve të rajonit. Përfitoj nga rasti të falënderoj të gjitha qeveritë pjesëmarrëse, agjencitë dhe investitorët e tjerë institucionalë për nxitjen e këtyre mundësive të reja në rajonin tonë.
Do të doja të falënderoja në veçanti KFW-në për përkushtimin e saj në financimin e projekteve në sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë sonë, siç janë energjetika, furnizimi me ujë dhe sektori financiar. Pjesëmarrja e saj aktive në operacione të tilla për financim projektesh, sigurisht që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në transformimin ekonomik dhe social të Shqipërisë gjatë periudhës së tranzicionit.
Ekonomia shqiptare ka njohur një rritje të rëndësishme të kredisë, sidomos gjatë dy viteve të fundit. Megjithëse unë jam plotësisht dakord me autoritetin mbikëqyrës dhe shqetësimet e FMN-së në lidhje me kujdesin që duhet treguar në huadhënie, ne duhet të shohim dhe kuptojmë se sa e dobët është lidhje që ekziston mes ekonomisë reale dhe sistemit bankar. Nëse ne besojmë se sistemi bankar është truri i ekonomisë, atëherë mbajtja e tij në një gjendje gjysmë aktive nuk ndihmon në zhvillimin e shëndetshëm të ekonomisë. Për këtë arsye unë bëj thirrje për më shumë "tru" dhe për të mos qenë të kujdesshëm më shumë se çduhet, për sa i përket normës së rritjes së kredisë, për shkak se kjo normë është më e ulëta dhe se ajo tregon se lidhja mes një sistemi bankar të zhvilluar dhe ekonomisë së vendit nuk është në nivel, nuk është në rrugën e saj.
Norma e kredisë duhet të rritet mbi bazën e kërkesës së ekonomisë. Duhet të jetë kërkesa ajo që cakton nivelin dhe jo manovrat e ndryshme. Shqipëria është e gatshme t'i bashkohet kësaj nisme dhe ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm pasi financimi publik do të nxisë të gjithë industrinë financiare në rajon, por do të kontribuojë gjithashtu në zhvillimin e koordinuar të ekonomisë së vendit, e cila me përafrimin e vendit në Bashkimin Evropian e përforcon kooperimin dhe bashkëpunimin për të ardhmen në BE.
Një rëndësi të veçantë për ne ka dhe mikrofinanca, e cila është një traditë dhe trashëgimi mjaft e mirë e sistemit bankar të vendit. Me ndihmën e këtij Fondi, sistemi bankar do të vihet në vend të parë e do të njohë dimensione të reja dhe kjo është forca që do ta shkëpusë Shqipërinë nga varfëria.
Unë u kërkova bashkëpunëtorëve të mi të marrin shembullin e nobelistit Yunas dhe të sjellin markat e tij në Shqipëri. Ai punon në Kosovë dhe unë mendoj se ai ka shumë për të bërë edhe në Shqipëri. Unë e vlerësoj punën e tij sidomos sepse ai ka bërë prioritet aktivitetin e grave, i cili ka një rëndësi shumë të madhe për Shqipërinë nëse mbajmë parasysh kushtet aktuale të familjeve shqiptare. Mijëra e mijëra gra shohin sot burrat e tyre të punojnë jashtë si emigrantë. Unë besoj se vendi ynë duhet të ndërtojë një sistem kreditimi për ta, për t'i ndihmuar të ndërtojnë shtëpi dhe të mirëmbajnë familjet e tyre.
Unë kam biseduar me të gjitha autoritetet mbi pjesëmarrjen e Shqipërisë dhe pa dyshim që ekziston një vullnet i palëkundur për anëtarësim. Disa procedura burokratike do të jenë të nevojshme.
Gëzohem tek shoh që të gjithë miqtë e Shqipërisë janë të pranishëm sot dhe shohin atë të ndërmarrë rrugën e suksesit me këtë nismë shumë të rëndësishme për vendin."