Sot u hapën në Madrid punimet e Këshillit të Internacionales Socialiste, në të cilën merr pjesë edhe Kryeministri i Shqipërisë dhe Kryetar i PSSH-së, Fatos Nano. Në fillim të punimeve
Sot u hapën në Madrid punimet e Këshillit të Internacionales Socialiste, në të cilën merr pjesë edhe Kryeministri i Shqipërisë dhe Kryetar i PSSH-së, Fatos Nano.
Në fillim të punimeve të Këshillit të Përgjithshëm të IS, Zoti Nano u zgjodh anëtar i Presidiumit të kësaj mbledhjeje. Tema e Internacionales Socialiste është siguria dhe paqja në botë, për të cilën referuan shumë liderë të shquar të së majtës botërore.
Me këtë rast, Zoti Nano pati takime të veçanta, shumë të ngrohta dhe miqësore me Presidentin e Internacionales Socialiste, Z. Gutierres, me Sekretarin e Përgjithshëm të IS, Z. Ajala, me Kryetarin e Partisë Socialiste Spanjolle dhe mikëpritësin Z. Zapatero, me nënkryetarët e IS dhe liderë të Partisë Demokracia e Majtë e Italisë, zotërinjtë Fassino dhe D'Alema, me Kryeministrin e Rumanisë Z. Nastase, me Ministrin e Punëve të Jashtme të Finlandës Z. Tuomioja dhe shumë personalitete të tjerë të rajonit dhe të botës.
Të gjitha takimet u zhvilluan në një frymë mirëkuptimi dhe angazhimi reciprok për të çuar më tej marrëdhëniet midis partive dhe qeverive që drejtohen nga partitë e majta, në dobi të reformave të integrimit dhe të një procesi globalizimi sa më të drejtë.
Z. Nano mori nga bashkëbiseduesit gjithë mbështetjen për reformat integruese që po realizohen në Shqipëri dhe inkurajimin që, me një bashkëpunim më të ngushtë dhe më intensiv, të shkurtohet sa më shumë procesi i nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit dhe integrimit të plotë të Shqipërisë në Europë.
Z. Nano shoqërohet në këtë aktivitet nga Sekretari i Marrëdhënieve Ndërkombëtare të PS-së, Z. Maqo Lakrori. Internacionalja Socialiste vazhdon punimet e saj edhe nesër.