E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, zgjedhjet serbe do të mbahen në Zubin Potok e Zveçan

Krerët ilegalë të Zubin Potokut dhe Zveçanit, Sllavisha Ristiç dhe Dragisha Milloviç, kanë thënë se zgjedhjet lokale të Serbisë do të organizohen edhe në komunat e tyre më 6 maj.

Milloviç dhe Ristiç kanë deklaruar për mediat serbe se bëhet fjalë për “një numër të madh të qytetarëve të interesuar për të votuar, janë dorëzuar disa lista zgjedhore dhe se qytetarët janë të vendosur që të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të zgjedhur dhe për të qenë të zgjedhur”.

Milloviç ka thënë se kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Sllavica Gjukiç Dejanoviç, ka shpallur zgjedhjet në tërë territorin e Republikës së Serbisë, ndërsa “përgjigjja negative e UNMIK-ut për organizimin e tyre në Kosovë, ka qenë e pritshme”.

Sipas Risitiçit, kuvendet komunale, si “institucionet më të rëndësishme të Serbisë në Kosovë”, mund të ruhen vetëm me anë të zgjedhjeve.

Komentet e tyre vijnë me gjithë deklaratat e sekretarit shtetëror të Ministrisë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç, se zgjedhjet lokale serbe në Kosovë do të ishin në kundërshtim me Rezolutën 1244 të OKB-së.

Autoritetet kosovare kanë deklaruar se nuk do të lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Që nga paslufta, Serbia ka organizuar disa herë zgjedhje në territorin e Republikës së Kosovës, por mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë nuk i kanë cilësuar si të ligjshme rezultatet e tyre.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›