"Sotiri", një qasje fotografike ndaj dhunës
Të paktën 16 fotografë nga të gjitha kontinentet janë bërë pjesë e konkursit ndërkombëtar të fotografisë "Sotiri". Dhuna, e shprehur në të gjitha format e saj është subjekti-koncept i këtij konkursi. Imazhet e sjella në galerinë e arteve "Guri Madhi" kanë prekur aspekte të veçanta të dhunës si koncept, duke nisur që nga vetëndëshkimi, armët në duart e fëmijëve, dhuna që shkaktohet nga lufta, deri te mbulimi i imazhit dhe figurës nën perçet e zeza. Për kuratorin finlandez të kësaj ekspozite, Harry Palviranta, fotografitë e prezantuara kanë qenë të gjitha të veçanta dhe niveli artistik i realizimit të tyre ka qenë befasues, ndërsa koncepti i përzgjedhur në fokusin e të cilit ka qenë kjo ekspozitë ndërkombëtare, sipas tij sjell elementet e dhunës si pjesë e jetës së përditshme. "Këtu shikohen format e ndryshme të dhunës të fokusuara nga artistët fotografë. Për mua si kurator ka qenë një surprizë dhe mund të them se është një nga përzgjedhjet më të mira të fotografive të grumbulluara në një ekspozitë të vetme. Dhuna është pjesë e jetës së përditshme të çdo njeriu. Këtu ajo vjen si një mendim që kalon përtej artistit dhe bëhet e prekshme te publiku", u shpreh kuratori finlandez. Nga ana e tij, kryetari i bashkisë, Niko Peleshi, tha se jo rastësisht çmimi i madh i këtij konkursi mban emrin e fotografit Sotiri. Kjo për faktin se ky artist korçar i ka tejkaluar kufijtë e vlerësimit edhe jashtë vendit. Për herë të parë ky konkurs është shoqëruar nga panelet e diskutimit, ku në disa sesione të veçanta është dhënë mendimi lidhur me artin që kanë sjellë në qytetin e Korçës fotografët e huaj dhe vendas.