E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çel siparin Festivali i Monodramës

Edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës ka startuar në qytetin e Korçës me pjesëmarrje të aktorëve vendas dhe të huaj. Artistët do të interpretojnë jo vetëm në skenë, por edhe jashtë saj. "Albamono" është çelur në skenën e teatrit "Çajupi" në ditën e parë të këtij edicioni nga aktorja ukrainase Maria Gruniceva. "Unë të pres i dashur", titullohej drama e interpretuar nga aktorja e teatrit të Kievit, drama e një gruaje të martuar, e cila krijon një lidhje dashurie jashtëmartesore me një djalë 15 vjet më të ri. Edhe pse shumë nga shfaqjet janë në gjuhë të huaj, sipas regjisorit dhe drejtorit të këtij festivali, Dhimitër Orgocka, kontakti me publikun do ta tejkalojë efektin gjuhësor nga interpretimi i aktorëve. Ky festival nuk promovon thjesht aspektin skenik dhe interpretimin, por është edhe një festival kulturor turistik. Aktorët do të interpretojnë në skena të improvizuara në natyrë për një publik të ngushtë, duke krijuar kështu edhe kontaktin e afërt të interpretuesit me publikun. Performanca e radhës do të jetë ajo e Egjiptit, për të vijuar më tej me aktorët maqedonas, shqiptarë, grekë, bullgarë etj. Ky festival zgjat 6 ditë dhe në fund do të jetë një juri që do të vlerësojë monodramën dhe aktorët më të mirë të këtij edicioni. Për çdo interpretim të përzgjedhur nga dramat për këtë edicion jepet vlerësimi pas shfaqjes për aktorin përkatës dhe në fund do të ketë edhe vlerësim me çmime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›