E Diel, 1 Nëntor 2026

Sovjetikët: “Bukuroshin” Hoxha në vend të Xoxes “shulak”

15/03/2005  Çfarë ndodhi pas plenumit të Beratit me autoritetin e Enver Hoxhës? Kush ishte mëkëmbësi i Miladin Popoviçit dhe a e ndoqi rrugën e tij?

Kush ishin rivalët e Enverit për postin e qeverisë? Pse u hodh poshtë kandidatura e Koçi Xoxes? Cilat ishin dy kandidaturat e tjera për postin politik më të lartë në Shqipëri? Për herë të parë nis caktimi i “fajtorëve” të komunizmit? Sejfulla Malëshova, preja e parë i regjimit komunist.

Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga "Ideart", sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës.

Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot.

Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX-të.

Pas plenumit të Beratit, autoriteti i E.Hoxhës u lëkund, çka do të sillte patjetër ashpërsimin e rivalitetit. Hoxha mbeti pa pasuesit e vet më të afërt. Ramadan Çitaku dhe Liri Gega dolën nga përbërja e udhëheqjes me famën e dyshimtë të aventurierëve politikë. Ishte vrarë miku dhe këshilltari kryesor i Hoxhës, Miladin Popoviçi dhe në vend të tij kishte ardhur një përfaqësues tjetër i KQ të PKJ-së, Velimir Stoiniçi, me një prirje krejt ndryshe. Ai kishte sjellë me vete një varg këshilltarësh civilë e ushtarakë. Por Enver Hoxha shpëtoi, sepse, së pari “dorëzoi” pa kundërshtim njerëzit e vet dhe pranoi të gjitha gabimet dhe, së dyti, sepse përndjekësit e tij nuk gjetën kushtet e duhura për ta zëvendësuar. Nuk kishte asnjë alternativë tjetër veç tij dhe ai e kishte shumë të qartë këtë.

Në plan të parë në parti doli sekretari organizativ i KQ të PKSH-së, Koçi Xoxe, i cili, në të njëjtën kohë ishte dhe ministër i Punëve të Brendshme. Në dallim nga Hoxha, të cilit propoganda e partisë i kishte krijuar autoritetin e teoricienit të marksizëm-leninizmit, Xoxe ishte thjesht një komunist. Madje dhe vetëm nga krahasimi i pamjes së jashtme, i fituar dilte Hoxha. Joshës, shtatlartë, politikan tribune, që dinte të fliste shumë bukur, ai e eklipsonte shulakun, që nuk ta mbushte syrin e që nuk dallohej për oratori, arsye e cila e bënte të qëndronte në hije. Xoxe shkonte mirë si me jugosllavët, ashtu edhe me shokët sovjetikë dhe dallohej për përmbushjen e detyrave dhe zellin në punë. Veç kësaj, ai kishte në dorë armën e fortë të prejardhjes proletare, me të cilën mund të krenoheshin vetëm disa nga udhëheqësit. Ambiciet e tij nuk shkonin më tej nga roli i “eminencës gri”, ç’ka nuk mund të thuhej për Nako Spirun.

Anëtar i Byrosë Politike, njeri i vendosur e me ambicie, Spiru, sipas të gjitha gjasave, prirej për postin më të lartë në parti, për çka dëshmon qëndrimi i tij në plenumin e Beratit, por grupimi real i forcave në vitin 1945, e bëri të ndryshonte taktikën. Spiru u përfshi në luftën e paskulisave për të ndikuar te Hoxha, ndërkohë që përpiqej të dilte në pah si njeri i punës dhe i përgatitur ideopolitikisht. Por atë e pengonte prejardhja shoqërore, sepse ai hyri në luftë e në revolucion nga një familje e pasur dhe i mungonte mbështetja e sigurtë nga ana e këshilltarëve jugosllavë. I tillë na paraqitet grupimi i atëhershëm i forcave në udhëheqjen më të lartë të partisë e të shtetit, në kohën kur po merreshin vendimet më të rëndësishme për zgjedhjen e udhës që do të ndiqej.

Të gjithë u shprehën për socializmin, por në përcaktimin e afateve e mënyrave për të arritur këtë qëllim përfundimtar të lëvizjes, u vunë re mosmarrëveshje. Pikëpamja demokratike, e mbrojtur bindshëm nga S.Malëshova e që kishte fituar në etapën fillestare, zu t’i nënshtrohej kritikës, në fillim në rrethin e ngushtë të shokëve të Byrosë Politike.

Mbledhja e parë pas zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese e Byrosë Politike, 6-10 dhjetor 1945, iu kushtua “situatës së re, e cila na detyron të rishikojmë vijën tonë, që vërejti ndikimin e madh të prirjeve oportuniste. Ajo u ndal në diskutimin e hollësishëm të shmangieve oportuniste në politikën e frontit: nuk ishte organizuar populli për të luftuar njëtrajtshmërisht kundër reaksionit, i cili, duke përfituar nga kjo, kishte rivendosur pozitat e veta; ishte krijuar një opozitë e fuqishme në asamble, duke lejuar krijimin e koalicionit midis borgjezisë, kishës katolike dhe inteligjencës reaksionare; ishte lënë mënjanë krijimi i sektorit shtetëror e kooperativist, prandaj dhe oportunizmi në lidhje me sektorin privat, kishte sjellë anarki në ekonominë tonë; nuk ishte orientuar populli për t’u ndërgjegjësuar për rrezikun e politikës anglo-amerikane, lidhur me çështjen e njohjes së qeverisë dhe nuk ishte folur për Bashkimin Sovjetik, si i vetmi aleat i vërtetë. Si përfundim, thuhej: “Nën ndikimin e kësaj prirjeje oportuniste, ne nuk u orientuam në mënyrën e duhur ndaj një miqësie vëllazërore e të shëndoshë me Jugosllavinë, që është kushti i domosdoshëm për ekzistencën e Shqipërisë demokratike popullore. Kjo i lejoi borgjezisë sonë të shpresojë për mundësinë e orientimit të marrëdhënieve tona ekonomike drejt perëndimit dhe në radhë të parë drejt Italisë”.

Tre muaj e gjysmë iu deshën udhëheqjes së PKSH-së për të kuptuar se kursi i ndjekur për shndërrimet demokratike qe i papranueshëm dhe vetëm pesë ditë për të zbuluar fajtorin. “Tonin e kësaj prirjeje oportuniste në vijën tonë, thuhej në rezolutë, ia dha shoku Sejfulla Malëshova. Duke e parë atë si më të pjekurin e më të përgatiturin, është plotësisht e natyrshme që byroja të binte nën ndikimin e tij”. Dokumentin e nënshkruan të 7 anëtarët e Byrosë Politike, përfshi dhe vetë “oportunistin”. Por, në frazën e fundit thuhej se të gjithë anëtarët e Byrosë pajtoheshin plotësisht me ato që ishin thënë më sipër, “me përjashtim të shokut Sejfulla Malëshova, i cili qe kundër”.

Ky qe fillimi i fundit për njërin prej personaliteteve më të spikatur politiko-shoqërorë të Shqipërisë së shekullit XX, rëndësia e të cilit mbetet për t’u rivlerësuar në mënyrën e duhur. Pjesëmarrës i revolucionit të vitit 1924, sekretar i peshkopit Fan Noli, që u bë miku i tij, S.Malëshova, besonte atë socializëm, i cili mëshironte idetë e drejtësisë shoqërore. Gjatë viteve të emigracionit në Bashkimin Sovjetik, ai u bë kreu i komisionit organizativ për krijimin e grupit komunist të Moskës. Ai jetoi në BRSS në kohën e nep-it dhe, ndoshta, kujtimet për ato mënyra që gjallëruan ekonominë, e shtynë të kërkonte zgjidhje mirëkuptimi në situatën e rëndë në të cilën ndodhej Shqipëria e pasluftës.

Një çast i madh për S.Malëshovën qe kthimi në Shqipëri në vitin 1943. Në gazetën “Bashkimi” ai drejtoi rubrikën për çështjet e ditës. Veç kësaj, ai botoi një sërë artikujsh për politikën e ditës, që u përmblodhën në një broshurë më vete, në vitin 1945. ǒështë demokracia në përgjithësi dhe demokracia popullore në veçanti, cilat janë parimet e politikës ekonomike në Shqipërinë e re dhe veçoritë e kolektivizimit, ishin problemet kyçe për të cilat shkrojti e foli S.Malëshova. Të bëjnë përshtypje të veçantë në shkrimet e tij, përcaktimi i atyre drejtimeve parësore, të cilat, po të qenë ndjekur, mund ta futnin vendin, sipas mendimit të tij, në udhën e progresit. Kështu, në kushtet e një ekonomie plotësisht të shkatërruar, të injorancës së përgjithshme të popullsisë, të shmangieve majtiste dhe rrezikut të luftës civile, ai boton në vitin 1945 punimin “Roli i kulturës në Shqipërinë e sotme”. Mbështetja te përvoja e demokracive perëndimore evropiane, te idetë e praktikave dhe fronteve popullore në Francë e Spanjë, i dhanë mundësinë të ngrinte problemin e inteligjencës shqiptare si mbartëse e kulturës, në kuptimin e gjerë të kësaj fjale dhe të rolit të saj në shoqëri. “Problemi i kulturës është i lidhur ngushtë me të gjitha problemet e vendit tonë, me të gjitha aspiratat e popullit shqiptar, me luftën e tij për liri dhe progres, shkruante ai. Këto përcaktojnë rolin e kulturës në Shqipërinë e sotme. Të gjitha forcat e saj; teknika, shkenca, arti, letërsia, duhet të vihen në shërbim të atdheut, për hir të realizimit të detyrave të mëdha historike që qëndrojnë përpara popullit shqiptar”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›