E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Zhytja” e pabesueshme

15/03/2005  Rënia e monedhës së gjelbër po shkakton frikë për një krizë globale. Pas rrëshqitjes: një ekonomi botërore shumë larg ekuilibrit

Defiçitet e mëdha tregtare të SHBA kanë shërbyer si narkotikë për pjesën tjetër të botës. Siç ndodh me të gjithë narkotikët, euforia rezultuese ka qenë artificiale dhe, në një farë mase, zhgënjyese si për shitësin, ashtu edhe blerësit e “narkotikut”. Pyetja tani është, nëse ndokush është në gjendje të kthehet në rrugën e duhur, përpara se drogimi të bëhet vetëshkatërrues

Pyetja është, a munden aziatikët t’i vënë fre varësisë ndaj eksporteve; a munden evropianët të rivitalizojnë ekonomitë e tyre; a munden amerikanët të kontrollojnë superkonsumin. Luhatjet dhe dobësitë e dollarit janë kryesisht manifestime të jashtme të këtij telashi.

Siç ka thënë ish-sekretari i Thesarit i SHBA: Dollari mund të jetë monedha e Amerikës, por ai është problemi i të gjithë botës

Kohët e fundit ka patur shumë lajme të mira në lidhje me ekonominë e SHBA, kështu që le t’ia nisim pikërisht nga kjo: punësimi po rritet (24 milionë punë të reja të hapura vitin e fundit); inflacioni mbetet i ulët (më pak se 2 për qind në tremujorin e kaluar); bursa ka ngritje (më shumë se 11 për qind që nga nëntori) dhe investimi i biznesit është mbresëlënës (është rritur me 14 për qind gjatë vitit 2004). Në të vërtetë, lajmet e fundit kanë qenë kaq të mira – me përjashtim të çmimit të një barrele naftë, 50 dollarë – saqë po shohim sërish ekonominë “bjonde”, e cila rritet aq shpejt sa duhet për të rritur vendet e punës dhe aq ngadalë sa duhet për të mbajtur të ulët inflacionin. Por, përtej të gjithë këtyre treguesve, që ndjellin optimizëm, fshihet një problem frikësues, që turbullon edhe ekonomistët më të mençur e të stazhionuar. Nuk është defiçiti buxhetor, as çmimi i benzinës. Eshtë dollari.

Tashmë dihet që dollari ka patur një rënie të vazhdueshme përkundrejt monedhave të huaja. Që nga kulmet e kohëve të fundit – arritur në mesin e 2001 ose fillim të 2002 – dollari ka rënë me 38 për qind kundrejt euros, 23 për qind kundrejt jenit dhe 25 për qind kundrejt dollarit kanadez. Dhe pjesa më e madhe e ekonomistëve mendojnë se kjo shkarje do të vazhdojë. Deri në fund të vitit, euro mund të rritet në 1.45 $ nga 1.34 $ dhe jeni mund të shkojë 97 për dollar, nga 104 jen për dollat që është sot, thotë ekonomisti Nariman Behravesh, i Global Insight. Por, me shumë gjasa, askush nuk e ka ndjekur shumë nga afër këtë tendencë. Për shumë amerikanë, tema e dollarit - vlera e tij ndaj monedhave të huaja - është diçka e mërzitshme. Një dollar i zhvlerësuar i bën pushimet jashtë SHBA më të shtrenjta, vendos trysni mbi çmimet e makinave dhe këpucëve të importuara dhe (në një pjesë të mirë) përmirëson konkurrencën globale për prodhuesit amerikanë. Në një situatë normale, këto nuk janë çështje në krye të listës së “gjërave që duhet të dihen patjetër”. Por tani nuk është një situatë normale.

Domethënia e dollarit në rënie është se kjo është një simptomë e një zhvillimi më të madh dhe më shqetësues. Për 15 vjet, ekonomia amerikane ka qenë motori i ekonomisë botërore përmes tregtisë gjithnjë në rritje dhe defiçiteve të llogarive ekzistuese (këtu përfshihen pagesa të tjera jashtë SHBA si udhëtim dhe turizëm). Në 2004, ky defiçit i SHBA vlerësohet të ketë arritur 650 miliardë dollarë, ose një shifër rekord prej 5.6 për qind e ekonomisë. Ekonomitë e vendeve të tjera përfitojnë duke dërguar mallrat e tyre te blerësit e etur amerikanë, dhe në këmbim SHBA dërgon jashtë saj shuma të mëdha dollarësh për të paguar për këto mallra. Problemi tani është se ka më shumë dollarë nga sa duan të mbajnë të huajt. Nëse ka ngopje të tregut me cilindo lloj malli - mollë, kompjutera, kukulla - çmimet ulen. Kështu kur dollarët e tepërt shiten për euro, jenë apo stërlina, atëherë vlera e dollarit kundrejt këtyre monedhave bie.

Nëse vini re që këtu ka një kontradiktë, keni të drejtë; dhe këtu qëndron dilema. Ekonomia botërore nuk mund të ecë pa defiçitet masive tregtare amerikane – dhe ndoshta nuk mund të ecë përpara as edhe me to. Qejfi i amerikanëve për konsum po nxit tregtinë ndërkombëtare dhe konsumin, por po kërcënon gjithashtu me një trazirë financiare që mund t’i bëjë dëm tregtisë globale dhe konsumit. Me fitimet e tyre nga eksporti, të huajt kanë blerë sasi të mëdha aksionesh amerikane, bonosh dhe lloje të tjera investimi. Skenari i fundit të Botës, për të cilin shumë ekonomistë thonë se nuk ka gjasa të ndodhë, por që i pamundur nuk është, është se një shembje e dollarit do të shkaktonte panik më të gjerë. Të huajt do të shisnin aksionet dhe bonot e tyre amerikane, duke i sjellë çdokujt humbje të mëdha. Ata do të shisnin, sepse një dollar në rënie do t’i bënte më pak të kushtueshëm investimet e tyre amerikane kundrejt monedhave të vendit të tyre. Besimi i konsumatorit dhe biznesit do të binte; pas kësaj, do të niste një periudhë recesioni në Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë.

Më demoralizues është fakti që askush nuk di si ta “çarmatosë” këtë dilemë. Nëse mendoni se ndonjë ekonomist - qoftë edhe Alan Greenspan - ka ndonjë zgjidhje realiste, mendohuni prapë. Kemi hyrë në një pyll të pavendosur në hartë; askush nuk ka qenë këtu më parë. “Nuk kemi patur kurrë fuqinë kryesore ekonomike me një borxh të tillë ndërkombëtar”, thotë ekonomisti historian Barry Eichengreen, i Universitetit të Californias. Sa më shumë të vazhdoj defiçiti ynë tregtar, aq më e fortë do të bëhet trysnia financiare. Të huajt ose do të duhet të rrisin mbajtjen e aksioneve amerikane, bonove dhe aseteve të tjera, ose duhet të shesin dollarët e tyre. Por, problemi i vërtetë është varësia e kaq shumë vendeve të tjerë nga defiçiti tregtar amerikan, për rritjen e tyre ekonomike. Tepricat e tyre janë pasqyrime të defiçitit amerikan. Sipas Economy.com, tepricat ishin 3.7 për qind e GDP në Japoni, 2.3 për qind në Kinë, 2.9 për qind në Gjermani, 6 për qind në Tajvan dhe 7.8 për qind në Belgjikë.

Do të ishte më e shëndetshme për gjithkënd që këto hendeqe të ngushtoheshin. Në letër, kjo është diçka e lehtë. Amerikanët kanë nevojë të eksportojnë më shumë dhe konsumojnë më pak. Mund të rrisim taksat, ulim shpenzimet qeveritare dhe rrisim normat e interesit; të gjithë këto hapa do të frenonin shpenzimet e konsumit dhe nxisnin kursimet. Ndërkohë, aziatikët do të lejonin monedhat e tyre të rriteshin kundrejt dollarit – ndryshe nga euro, juani kinez dhe monedhat e shumë vendeve aziatike janë të ndërlidhur me dollarin. Kjo do t’i bënte më të shtrenjtë eksportet e tyre për në SHBA dhe më të lirë eksportet e SHBA për to. Më së fundi, evropianët do të liberalizonin tregjet e tyre dhe ulnin normat e interesit. Ekonomitë e tyre do të rriteshin më me shpejtësi. E marrë së bashku, kjo paketë masash do të arrinte atë që ekonomistët e quajnë ribalancim të rritjes ekonomike botërore. SHBA do të kishin një ekspansion të udhëhequr nga eksportet, jo një konsum të udhëhequr nga importet. Evropianët dhe aziatikë do të prodhonin më shumë për vetveten dhe blenin më shumë nga SHBA.

Fatkeqësisht, kjo pjesë e mrekullueshme inxhinierie ekonomike ka rezultuar e pamundur në praktikë. Të gjithë këto defiçite dhe teprica tregtare nuk janë thjesht statistika ekonomike: ato pasqyrojnë gjithashtu shijet dhe temperamentet kombëtare. Nuk është befasi që politikat ekonomike, që i nevojiten botës, bien ndesh me politikat lokale.

Të udhëhequr nga Japonia, vendet aziuatike kanë praktikuar prej dekadash strategjitë ekonomike të udhëhequra nga eksportet. Ato ngurrojnë të ndryshojnë, sepse kanë frikë që çdo gjë tjetër nuk do të funksionojë. Përvoja e vetë Japonisë vetëm sa i ka thelluar ankthet e saj. Në fund të viteve tetëdhjetë, jeni u rrit dhe i bëri më pak konkurruese eksportet japoneze; që atëherë, ekonomia e këtij vendi është dobësuar (nga 1994 deri në 2004, rritja ka patur një mesatare 1.5 për qind). Nuk është befasi që Kina ka refuzuar të rivlerësojë juanin, i cili ka qenë 8.28 ndaj dollarit që nga viti 1994. Nëse nuk rivlerësohet monedha e Kinës, vendet e tjera aziatike nuk do të pranojnë të rrisin monedhat e tyre, sepse kanë frikë se mund të humbasin ndaj Kinës në konkurrencë, argumenton Fred Bergsten, drejtor i Institutit të Ekonomisë Ndërkombëtare në Uashington.

Sa për evropianët dhe amerikanët, edhe ata kanë ngecur. Amerikanëve u pëlqen të bëjnë pazar. Nuk u pëlqejnë taksat dhe u pëlqejnë beneficet qeveritare. Që do të thotë: pavarësisht dënimit të vazhdueshëm që i bëjnë defiçiteve buxhetorë, pjesa më e madhe e amerikanëve preferojnë atë ndaj alternativave. Në Evropë, rritja e ngadaltë ekonomike (2.1 për qind për zonën e euros nga 1994 në 2004) pasqyron normat e shumta dhe taksat e larta. Në 2003, të gjithë taksat në SHBA ishin në total sa 31 për qind e GDP, sipas Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik, në Paris. Në Francë, ato ishin 50 për qind e GDP, në Gjermani 45 për qind dhe në Itali 46 për qind. Këto tre ekonomi të mëdha kontinentale kanë qenë pengesa për Evropën. Përpjekjet modeste për të lehtësuar legjislacionin dhe ulur traksat kanë ngjallur debate, dhe nuk kanë patur shumë efekt deri tani. Në Gjermani, Kancelari Gerhard Shrëder erdhi në pushtet në 1998, me premtimin për të ulur papunësinë nën 4 milionë; kohët e fundit shifra e regjistruar i kaloi 5.2 milionët, një normç papunësia kjo prej 12.6 për qind.

Rezultati është një rrugë qorre në politikën botërore, që mund të nxisë një rritje ekonomike, e cila mund të jetë një ditë e dëmshme për të gjithë. “Eshtë e vërtetë që një numër i madh vendesh kanë interes në një defiçit tregtar amerikan kronik dhe të madh”, shkruan Catherine Mann, e IIE. Njëkohësisht, ka qenë në interes të shumicës së amerikanëve që të “përmbyten” me mallra importi jo të shtrenjtë që mbajnë gjithashtu ulët çmimin e produkteve amerikane. Por këto interesa të përbashkët mund të jenë dritëshkurtër dhe të rrezikshëm. Ato ekzistojnë për aq kohë sa të huajt investojnë me dëshirë tepricat e tyre në dollarë amerikanë. Nuk ka garanci që kjo do të ndodhë, sepse eksportuesit e huaj dhe investitorët nuk janë të njëjtët njerëz. Një eksportues i huaj mund të marrë dollarë dhe pastaj t’i shesë për monedhën vendase (të themi, euro); më pas, një tjetër i huaj, i blen dollarët me euro dhe i investon këto dollarë në aksione dhe bono amerikane. Atëherë, pyetja e rëndësishme që del është: a mund të mbijetojë kjo ujdi? Në këtë pikë, ka një ndarje polare mes ekonomistëve, ndërkohë që shumë qëndrojnë në mes.

Njëri kamp insiston se mund të mbijetojë, sepse i shërben interesave të fuqishëm kombëtarë. Vendet aziatike, dhe në mënyrë të veçantë Kina, kanë nevojë të krijojnë miliona vende pune për hir të stabilitetit politik dhe social. Kina dëshiron gjithashtu që të tërheqë investitorët e huaj në fabrika, sepse kjo sjell teknologji të reja si dhe përmirësim të aftësive menaxhuese. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë (sipas kësaj teorie) është që të mbetet një eksportues i madh me një monedhë të lirë. Për të penguar rritjen e monedhave të tyre kundrejt dollarit, vendet aziatike do të blejnë aq tepricë në monedhë jeshile sa të jetë e nevojshme. Nga fundi i 1997 deri në fund të 2004, rezervat e këmbimit të valutës në Kinë u rritën nga 143 miliardë dollarë në 578 miliardë dollarë, ato të Koresë së Jugut nga 20 miliardë në 199 miliardë dhe ato të Japonisë nga 22 miliardë në 834 miliardë. Edhe amerikanët fitojnë: u dërgojnë të huajve copa letrash – të themi Bono Thesari – dhe marrin makina, rroba dhe kompjutera. Për arsye se të gjithë fitojnë, sistemi mund të qëndrojë “i paprekur për një të ardhme të parashikueshme” përfundojnë ekonomistët Micharel Dooley, Peter Garber dhe David Folkerts-Landau, të Deutsche Bank.

Nuk është kështu, thonë ekonomistë të tjerë. Situata aktuale është e paqëndrueshme. “Problemi është se janë shumë vende që kërkohet të mbështesin SHBA”, thotë Desmond Lachman, i Institutit Amerikan të Sipërmarrjes. Edhe nëse aziatikët blejnë dollarë, banka të tjera qendrore mund të shesin. Ose thjesht mund të ndalojnë së bleri dollarë. Defiçiti aktual amerikan do të thotë që të huajt duhet të rrisin sasinë e dollarëve që mbajnë me thuajse 2 miliardë në ditë. Një vëzhgim i fundit i Central Banking Publications zbuloi se nga 65 banka, dy të tretat po i largoheshin dollarit, dhe po shkonin në drejtim të euros. Edhe investitorët privatë mund ta braktisin dollarin. E vërteta është që mund të ndodhë çdo gjë e pakëndshme. Kini parasysh çfarë ndodhi në fund të shkurtit, kur Banka e Koresë tha se do të zhvendoste rezervat e valutës larg dollarit. Jo vetëm që ra dollari, por edhe bursa e SHBA ra me 174 pikë. Ky është saktësisht lloji i reaksionit zinxhir, të cilit i tremben shumë ekonomistë. (Më vonë, banka e Koresë tha se deklaratat e saj ishin keqinterpretuar).

Ndoshta personi më asnjanës në lidhje me këta kampe është Alan Greenspan. Në dëshmitë para kongresit dhe në fjalime. Ai la të kuptohej se deficiti aktual nuk mund të vijojë pafundësisht – por që reduktimi duhet të bëhet me rregull. Përkthimi: pjesa më e madhe e njerëzve të zakonshëm nuk do ta vënë re, sepse – përmes disa kombinimeve të rrëmujshme të normave të këmbimit, investimeve dhe politikave qeveritare – ekonomia botërore do të shkojë gradualisht drejt një modeli më të ekuilibruar tregu, pa një krizë madhore.

Natyrisht që kjo është e besueshme. Ka disa ogure të mirë. Ekonomia e cfilitur japoneze po tregon shenja përmirësimi. Zhvlerësimi i vazhdueshëm i dollarit ndaj euros ende nuk ka patur ndonjë impakt të madh në tregjet amerikane të aksioneve dhe bonove. Së fundi, vendet aziatike mund të prodhojnë më shumë mallra për qytetarët e tyre, teksa klasat e mesme në zgjerimn e sipër rrisin shpenzimet. Ekonomisti Donald Straszheim thotë se një prodhues i madh kinez këpucësh ka ndërmend të hapë 1000 dyqane shitje me pakicë deri në 2008, nga 350 që ka tani. Nëse kinezët dhe aziatikët e tjerë shpenzojnë më shumë në vendin e tyre, ata do të jenë më pak të varur nga rritja e udhëhequr nga eksporti dhe më të hapur për rivlerësimin e monedhave të tyre.

Por e vërteta është se askush nuk e di çfarë do të ndodhë. Që nga Lufta e Dytë Botërore, dollari ka qenë monedha kryesore e tregtisë globale. Ai përdoret për shumë shkëmbime tregtare mes dy vendeve, pa qenë Amerika në mes. Për shembull, afro 80 përqind e eksporteve të Tailandës dhe Koresë së Jugut shiten në dollarë, sipas një studimi të Federal Reserve Bank. Edhe në Francë apo Gjermani, një e treta e eksporteve shiten në dollarë. Kjo do të thotë që, për sa kohë që dollari do të ketë këtë rol global, Shteteve të Bashkuara nuk do t’u duhet të eliminojnë defiçitet. Bota i dëshiron dhe ka nevojë për dollarë.

Vështirë të thuhet nëse do të arrijmë shpejt në këtë situatë. Një zhgënjim është fakti që zhvlerësimi i dollarit nuk e ka ndalur rritjen e deficitit. Teorikisht, kështu duhej të kish ndodhur: një dollar më i lirë duhet t’i bëjë më pak të kushtueshëm eksportet amerikane dhe më të kushtueshëm importet. Greenspan ka ofruar një shpjegim. Eksportuesit e huaj kanë ulur normat e fitimit, në vend që të rrisin çmimet dhe humbasin shitjet në SHBA. Si rrjedhim, një dollar më i lirë mund t’i ketë ndihmuar shumë pak eksportuesit amerikanë.

Për arsye se dollari është kaq i rëndësishëm për botën, ai përbën pashmangshmërisht një instrument të politikës së jashtme amerikane. Kjo ka qenë e vërtetë për një kohë të gjatë. Pas Luftës së Dytë Botërore, Evropa kishte mangësi në dollarë. Plani Marshall ofroi paratë ekstra që u duheshin europianëve për të blerë ushqim, lëndë djegëse dhe makineri pë rindërtimin. Në fund të viteve shtatëdhjetë, dollari u kthye në një “mollë sherri”, sepse Presidenti Nikson braktisi sistemin e normave fikse të këmbimit – të cilin evropianët e pëlqenin – dhe inflacioni i lartë në SHBA shkaktoi zhvlerësimin e dollarit në tregjet e valutës.

Evropianët besuan se të dy ngjarjet destabilizuan ekonominë botërore dhe ishin në disfavor të eksporteve të tyre. Nëse problemi i sotëm i dollarit përkeqësohet, sigurisht do të ketë reagim të ashpër nga vende të tjera. Që tani evropianët ndihen të abuzuar, sepse euro ka thithur pjesën më të madhe të pakënaqësisë antidollar. Njerëzit që duan të shesin dollarë blejnë euro; euro më e lartë dobëson konkurrencën e eksporteve evropianë dhe kërcënon një rritje edhe më të ngadaltë ekonomike.

Ndonëse irritimi dhe zemërimi janë të kuptueshëm, ata janë edhe çorientues. Problemi i vërtetë është nëse është i paqëndrueshëm modeli aktual i tregtisë globale dhe a mund të korrigjohet ai me shpejtësi. Defiçitet e mëdha tregtare të SHBA kanë shërbyer si narkotikë për pjesën tjetër të botës. Siç ndodh me të gjithë narkotikët, euforia rezultuese ka qenë artificiale dhe, në një farë mase, zhgënjyese si për shitësin, ashtu edhe blerësit e “narkotikut”. Pyetja tani është, nëse ndokush është në gjendje të kthehet në rrugën e duhur, përpara se drogimi të bëhet vetëshkatërrues.

Pyetja është, a munden aziatikët t’i vënë fre varësisë ndaj eksporteve; a munden evropianët të rivitalizojnë ekonomitë e tyre; a munden amerikanët të kontrollojnë superkonsumin. Luhatjet dhe dobësitë e dollarit janë kryesisht manifestime të jashtme të këtij telashi. Siç ka thënë ish-sekretari i Thesarit i SHBA: Dollari mund të jetë monedha e Amerikës, por ai është problemi i të gjithë botës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›