E Diel, 1 Nëntor 2026

I bllokojnë rrugën ministrit Toska, shoqërohen në polici sindikalistët

15/03/2005  Drejtuesit e furgonëve kërcënohen në dhomat e izolimit

DURRËS – Grevistët e taksive furgonë në Durrës, i bllokojnë rrugën ministrit të Rendit Publik, Igli Toska, ndërsa krerët e tyre, përfundojnë për disa orë në dhomat e izolimit të policisë së Durrësit, ku, sipas tyre, janë kërcënuar dhe u është bërë presion për ndërprerjen e grevës.

Burime të sindikatës së taksistëve 8+1, bëjnë të ditur se kryetari i sindikatës së tyre për Durrësin, Xhelil Kryeziu dhe kryetari i kësaj greve, Hysni Ymeri, janë mbajtur në dhomat e izolimit të policisë për 7 orë. Sipas të njëjtave burime, mësohet se ka qenë një incident i rastit, ajo që u ka shërbyer uniformave blu të shërbimit të gatshëm për të shoqëruar në mjediset e policisë dy krerët e grevës, si dhe katër drejtues të tjerë të

taksive. Ndërsa këta të fundit janë lënë të lirë, Ymeri dhe Kryeziu kanë lënë qelinë në orët e vona të natës së diel.

Sipas të ndaluarve, mësohet se ka qenë një incident i rastësishëm, ajo që ka shkaktuar konfuzion ndër protestuesit e taksistëve, të cilët janë në ditën e 10 të protestës së tyre, në këkresë të abrogimit të udhëzimit të ministrit Poçi për kthimin bosh të furgonëve taksi në vendin e origjinës.

Ditën e diel, taksistët e furgonëve kishin ndaluar, në afërsi të vendit të quajtur “Pranvera”, një furgon me targa të bardha të Tiranës, pasi drejtuesi i furgonit merrte udhëtarët e Durrësit, duke përfituar nga greva e shoferëve të Durrësit. Kjo u është dukur e padrejtë protestuesve, të cilët, edhe pse kanë kërkuar ndërhyrjen e komandanit të trafikut D.Naçi, nuk kanë mundur të bllokojnë targat e bardha.

Në këto kushte, indiference të policisë lokale të qarkullimit rrugor, taksistët e kanë rrethuar vet furgonin me targa të Tiranës, ndërkohë që në të njëjtin vend, në këtë moment, kalonte eskorta e një ministri. Protestuesit thonë se ka qenë ministri Igli Toska, makina e të cilit e frikësuar nga situata e krijuar në rrugë ka kaluar në anën tjetër të rrugës, duke shfrytëzuar e hipur edhe mbi bordurë. Ndërkohë që policia e Durrësit nuk e ka konfirmuar këtë, sindikalistët tregojnë se të njëjtin veprim ka bërë edhe eskorta, duke kapërcyer pa u ndalur në bordurat e rrugës.

Menjëherë pas kësaj, kaq i është dashur policisë së Durrësit, e cila shoqëroi në polici katër taksistë, si edhe kryetarin e kësaj sindikate, Xhelil Kryeziu dhe kryetarin e grevës, Hysni Ymeri. Nga pohimet e krerëve të sindikatës e protestës, pas lënies së qelive, mësohet se atyre u është bërë presion për të ndërprerë grevën në të kundërt policia do të veprojë. Taksistët kanë pohuar gjithashtu se janë gjobitur pa shkak shumë drejtues furgonësh nga komandanti i trafikut dhe se atyre nuk u është bërë e ditur arsyeja e vënies së gjobës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›