E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sovranitetin atyre, pavarësinë neve!

14 pika e treshes ndërkombëtare janë tendencë për të imponuar një lloj konfederate, unioni apo lënien e Kosovës në ndonjë lidhje me Serbinë. Nuk ke si ta kuptosh ndryshe thelbin e tyre. Me to synohet që heshturazi t’u bëhet qejfi të gjithëve, por që askush të mos fitoj. Shqiptarëve t’u “shitet” ideja e pavarësisë, por pa sovranitet mbi Kosovën, ndërsa Serbisë sovraniteti, por pa prani fizike në Kosovë. A nuk është ky kompromisi i kërkuar dhe fundi që kërkon bashkësia ndërkombëtare në këtë proces?

Treshja ndërkombëtare në tentim për të gjetur një zgjidhje për të ardhmen e Kosovës, apo si formë presioni ndaj palëve që të heqin dorë nga disa prej kërkesave të tyre, që i quajnë maksimale, ka prezantuar një plan prej 14 pikave. Për treshen ndërmjetësuese këto 14 pika janë arsyetim para shefit të tyre, Ban ki Moon dhe qeverive prej nga vijnë, si tregim “suksesi” ose thjesht si një pretendim se diçka ka lëvizur nga vendi. Ndërsa që për palët të 14 pikat mund të kuptohen vetëm si një përpjekje e kotë për të arritur kompromisin.
Megjithatë, a janë këto 14 pika të treshes negociuese brenda kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare drejtuar palëve që të tregohen me shumë konstruktivi në bisedime? Apo çfarë është ai konstruktivitet që duhet të tregojnë palët në këtë proces, që me aq ngulm kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare? Është diçka përtej këtyre 14 pikave apo brenda 14 pikave? Nëse mendohet që me konstruktivitet në bisedime kuptohet heqje dorë nga qëllimi, atëherë është gabim në qasje. Nëse konstruktivitet është që shqiptarët të heqin dorë nga pavarësia, edhe kjo është një përpjekje e kotë! Nëse 14 pikat që proklamohen nga treshja janë pikëtakim i palëve në bisedime, palës shqiptare dhe asaj serbe, falë konstruktiviteteve të treguar, atëherë duhet shqyrtuar me shumë seriozitet gjithë procesin dhe të shikohet se prej nga ajo e drejtë e anëtarëve të Ekipit të Unitetit, që të tregohen kaq konstruktiv.
“Treshja ka rishikuar pozicionet e të dyja palëve. Pa paragjykuar në pozicionet e të dy palëve për statusin, parimet në vijim mund të hapin një rrugë drejt një zgjidhje”. Ky është konkluzioni që ka nxjerr treshja nga takimet e drejtpërdrejta apo të tërthorta në mes të palëve. Kjo na bënë të mendojmë dy gjëra: ose është shumë e mençur kjo treshe sa t’ua lexoj edhe ndërdijen palëve pjesëmarrëse në proces; ose palët vërtet kanë shprehur gatishmërinë për ta vazhduar procesin mbi këto 14 pika.
Mirëpo, pala serbe që në fillim i ka hedhur poshtë të 14 pikat dhe u është përgjigjur me prezantimin e 14 pikave të saj. Ndërsa që pala shqiptare i ka pranuar në parim të 14 pikat. Ne jemi mësuar shumë herë që të shohim dhe dëgjojmë gafe të tilla politike nga delegacioni i Kosovës. Ne po ashtu jemi mësuar të shohim paaftësinë politike dhe diplomatike të delegacionit të Kosovës për ta udhëhequr procesin. Pranimi me aq lehtësi i këtyre 14 pikave, që nuk janë asgjë me shumë se sa zhvleftësim i pakos së Ahtisarit e që aq shumë ishte zotuar se do të implementohet nga pala shqiptare, madje dhe në Kuvend ishte miratuar një rezolutë pro saj, është dështim i radhës për shqiptarët drejtë pavarësisë.
Hedhja poshtë e pakos së Ahtisarit dhe imponimi i një marrëveshjeje tjetër, me e komprimisuar se ajo e Ahtisarit, është sinjal se dikush dëshiron konflikt të ri në rajon. Edhe diplomati me dijen me të ulët për zhvillimet politike në Ballkan e dinë se shqiptarët dhe serbët nuk mund të arrijnë marrëveshje. E kupton se nuk mund të jetojnë nën një qeverisje, sovranitet apo kulm këta dy popuj dhe se shqiptarët, jo udhëheqja e tyre, nuk do të pranojnë asgjë me pak se pavarësia. Pakoja e Ahtisarit ishte kompromisi i fundit për shqiptarët dhe çdo tendencë për të arritur kompromis mbi kompromiset është e rrezikshme.
Edhe pse deklarohet nga diplomatët ndërkombëtar, se pakoja e Ahtisarit është ende në lojë, megjithatë deklarimet belbëzuese të tyre se, 14 pikat janë pjesë ndihmëse apo shtesë të asaj pakoje, na bëjnë të kuptojmë se gjërat nuk qëndrojnë mirë. Natyrisht se sa më shumë që theksohet një dilemë, aq më shumë duhet kuptuar se ajo dilemë është e vërtetë. Pra, me këtë duhet kuptuar se është e vërtet se pakoja e Ahtisarit po shkon drejt daljes së derës së prapme për të mos u futur më në sallën e bisedimeve. Natyrisht se gjithë kësaj gjendje i ka ndihmuar edhe paaftësia e anëtarëve të Grupit të Unitetit dhe serviliteti i tyre në bisedime qoftë me palën serbe apo ndërmjetësit ndërkombëtar. Jo pak, kësaj gjendje i ka ndihmuar edhe hapja e menjëhershme e anëtarëve të Grupit të Unitetit ndaj kërkesave dhe kompromiseve të kërkuara, në emër të të mbeturit ose marrjes së pushtetit në Kosovë.
Nëse analizohen mirë të 14 pikat e treshes negociuese ndërkombëtare, ato nuk janë asgjë me shumë se sa një ofertë serbe e përkthyer anglisht. Edhe Serbia i ka ofruar Kosovës kompetenca dhe pavarësi të gjerë në shumicën e sferave të jetës, përveç ulëses në OKB, politikës së jashtme dhe ushtrisë. Të 14 pikat e treshes negociuese përmbajnë të gjitha, por jo edhe këto tri fusha apo shtylla kryesore që do të na identifikonin Kosovën si shtet. 14 pika e treshes ndërkombëtare janë tendencë për të imponuar një lloj konfederate, unioni apo lënien e Kosovës në ndonjë lidhje me Serbinë. Nuk ke si ta kuptosh ndryshe thelbin e tyre. Me to synohet që heshturazi t’u bëhet qejfi të gjithëve, por që askush të mos fitoj. Shqiptarëve t’u “shitet” ideja e pavarësisë, por pa sovranitet mbi Kosovën, ndërsa Serbisë sovraniteti, por pa prani fizike në Kosovë. A nuk është ky kompromisi i kërkuar dhe fundi që kërkon bashkësia ndërkombëtare në këtë proces?
Atëherë, pse do të duhej pranuar me aq lehtësi këto 14 pika delegacioni i Kosovës? Çfarë i shtyri ata drejt një vendimi të tillë? Nëse ata kanë menduar se vërtet mund t’ua shesin këtë herë qytetarëve të Kosovës, kanë gabuar? Mirë e tha njëri, lëvizja “Vetëvendosje!” dhe AKSH-ja po i presin te dera që ata të gabojnë! Nëse ata janë lodhur, por nuk dinë se si të tërhiqen nga kjo situatë dhe kërkojnë shkas për t’u larguar nga skena dhe si me të arsyeshmet i shohin këto dy rryma që t’ua lëshojnë gjërat në dorë, atëherë ose do të shkojmë drejt zgjidhjeve radikale, duke ua imponuar të tjerëve zgjidhjet, ose drejt ndonjë konflikti të ri. Asnjëra nga këto dy rryma nuk njeh gjuhën e kompromisit, por vetëm atë të vetëvendosjes, e që për dikë mund të jetë e papranueshme dhe një argument për ta sulmuar Kosovën. Për të mos ndodhur kjo, lidershipi i Kosovës duhet të veprojë shpejt pas 10 dhjetorit, duke i prirë procesit dhe jo duke e ndjek procesin. Pallavra janë këto 14 pika që propozon treshja negociuese ndërkombëtare si zgjidhje, krahasuar me vullnetin dhe kërkesat e qytetarëve të Kosovës. Kosova nuk mund të mbetet edhe me tej peng i interesave të të tjerëve. Ndryshe mbajtja peng e procesit të statusit të Kosovës, me këtë edhe e ardhmja e qytetarëve të Kosovës, mund t’i orientoj proceset në rrugë të gabuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›