E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahia: Fitorja e garantuar falë aleancës me PD-në

09/06/2009  Partia “Lëvizja e Legalitetit”

Kryetari i partisë “Lëvizja e Legalitetit”, Ekrem Spahia, ka deklaruar gjatë një takimi elektoral në qytetin e Elbasanit se bashkëpunimi me Partinë Demokratike, forcën kryesore të spektrit të djathtë të politikës shqiptare, është i suksesshëm. Duke folur para mbështetësve të PLL-së, ai theksoi se fitorja e forcës politike që drejton në zgjedhjeve e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit është e garantuar falë aleancës me Partinë Demokratike. “Ne do të punojmë së bashku me PD-në që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian dhe qytetarët të lëvizin pa viza brenda vitit të parë të mandatit të ri qeverisës”, - ka deklaruar Spahia. Gjatë këtij takimi janë prezantuar 14 kandidatët që do të konkurrojnë nën siglën e PLL-së në Qarkun e Elbasanit, mes të cilëve edhe 4 femra. Për Spahinë partia “Lëvizja e Legalitetit” konkurron në të gjithë vendin me një listë të plotë prej 240 kandidatësh cilësorë. “Në Qarkun e Elbasanit konkurron edhe nënkryetari i kësaj partie Murat Basha. Kjo është shprehje e rëndësisë që PLL-ja i kushton këtij qarku, por edhe objektivave të qartë për të fituar këtu mandat parlamentar”, - u shpreh Spahia. Sipas tij, PLL-ja është produktive në atë çfarë ofron dhe kërkon që të menaxhojë me efikasitet votat që do të marrë nga elektorati shqiptar për një bashkëqeverisje të mirë dhe komplementare, ku do të jetë e materializuar edhe filozofia e saj qeverisëse për një shtet të fortë, që ka në qendër të vëmendjes interesat e qytetarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›