E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu: Gjyqtarët në rrezik për jetën

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu ka deklaruar sot se jeta e gjyqtarëve është në rrezik ndërsa ka shtuar se ngjarjet e fundit kanë krijuar precedent të rrezikshëm për të gjithë nënpunësit.

Duke folur në një konferencë për shtyp, Spahiu theksoi se është përkeqësuar jeta e gjyqtarëve ndërsa ka theksuar se janë shtuar rastet e denoncimeve të gjyqtarëve të cilët kërcënohen.
 

“Janë 10 denoncime nga gjyqtarët dhe janë marrë në mbrojtje 15 gjyqtarë, raste që janë mbajtur të fshehta për sigurinë e tyre” ka theksuar Spahiu ndërsa ka shtuar se krimet e rënda ndaj gjyqtarëve kanë mbetur pa autorë dhe ky sipas tij është një precedent i cili duhet të ndryshojë.
 

Duke iu referuar sërish vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi në Vlorë, Spahiu theksoi se pushteti gjyqësor është duke pritur zbardhjen e plotë të ngjarjes.
 

“Pushteti gjyqësor në vend është duke pritur që organet e hetimit të bëjnë të ditur emrat e autorëve të këtij krimi makabër dhe ti vendosin përpara drejtësisë. Jemi duke pritur të bëhet drejtësi dhe të vendoset autoriteti shtetëror i cënuar në këtë rast” ka theksuar Spahiu.
 

Spahiu duke bërë apel për zbardhjen e ngjarjes mafioze, ku mbeti i vrarë Konomi ka theksuar se në rendin e mbledhjes së KLD-së ditën e nnesërme do të jenë edhe tre inspektimet e mëdha që janë bërë në gjykata.

“Dosjet penale të tejzgjatura, që kanë shpënë në lirim të të akuzuarve për tejkalim afatesh, ku përfshihet edhe dosja Gërdeci; Inspektimi i çështjeve për ndryshim kombësie dhe inspektimi për hyrje daljet jashtë shtetit të gjyqtarëve që do t’i paraqiten nesër KLD në seancë plenare”- tha Spahiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›