E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi i popullsisë, Berisha:E keqpërdorin, Sequi: Të jetë i saktë

TIRANE- Kryeministri Berisha deklaron se shqiptarët do t’i nënshtrohen procesit të regjistrimit të popullsisë dhe banesave si qytetarë të lirë, ndërsa sulmon sërish drejtuesit e Aleancës Kuqezi se po keqpërdorin detyrën e lartë shtetërore për qëllime meskine personale. Deklarata e kryeministrit është bërë sot në përurimin e qendrës së të dhënave të censusit.

Të pranishëm në ceremoni ishte dhe vetë ambasadori i BE-së Ettore Sequi.

Fillimisht kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen KE dhe organizatave të tjera europiane për mbështetjen që kanë dhënë në realizimin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave, si dhe në pajisjen e Institutit të Statistikës, përgjegjës për realizimin e këtij procesi, me teknologjinë më moderne.

„Regjistrimi i popullsisë 2011 është regjistrimi më i vecantë në historinë e vendit, sepse për shumë arsye, ndoshta, është regjistrimi i parë i lirë në historinë e Shqipërisë. Shqiptarët i nënshtrohen këtij procesi si qytetarë të lirë, për të dëshmuar me vullnet të lirë, përkatësinë etnike e besimin fetar „- nënvizoi kryeministri Berisha.

Sipas kreut të qeverisë regjistrimi do bëjë të mundur që politikat e qeverisë shqitpare të jenë më të drejta e më të ndershme pasi do të japë të dhëna të sakta mbi demografinë e rretheve e rajoneve, si dhe do të ndihmojë për një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave buxhetore në mbarë vendin.

Duke iu referuar drejtuesve të Aleancës Kuqezi në nismën e tyre kundër procesit të regjistrimit të popullsisë mbi baza etnie dhe fetare, Berisha i quajti "Faqezi" . "Nuk kam asgjë me mendimet e tyre, sepse jam i bindur nuk ia dëgjojnë as anëtarët e familjeve të tyre, lëre më jashtë pragut të derës, ajo që më shqetëson dhe i bëj këtë etiketim është fatkti se keqpërdorin detyrën e lartë shtetërore për qëllime meskine personale". - nënvizoi Berisha duke mbyllur fjalën e tij me shprehjen: "Shqiptarët presin me padurim të realizojnë regjistrimin ".

Sequi
Ambasadori i Bashkimit Europian në Ettore Sequi gjatë inagurimit të të dhënave për regjistrimin etnik e fetar të popullisë dhe banesave, censusit, kërkoi që shifrat të jenë reale dhe sa më objektive pasi nga këto shifra varen shumë vendimarrje.

Sequi në fjalën e tij theksoi se BE ka kontribuar 1 milionë euro për ngritjen e sistemit të statistikave dhe ndaj kërkesa kryesore ndaj Shqipërisë në këtë rast është të aplikojë standarte dhe të japë shifra të sakta.

“Për arsye se statistikat kombëtare luajnë rol të rëndësishëm dhe në vendimarrje sidomos kur janë objektive. Po ashtu për arsye se infot dhe statistikat janë baza e transparencës dhe të dhënave zyrtare dhe luajnë rol në statistikat e tjera të Shqipërisë. Ne mendojmë se të dhënat cilësore sigurojnë që vendimet publike të jenë të saktë e të kujdesshëm në analiza dhe të jenë, kjo është arsyeja që BE po investon për statistikat në Shqipëri”.

Gati 10 ditë më parë Nënkryetari i KLD, Kreshnik Spahiu, kreu i AK deklaroi se Athina zyrtare ka ushtruar presion të hapur mbi Shqipërinë, duke kërcënuar se nuk do të nënshkruante marrëveshjen e MSA, nëse nuk bëhej regjistrimi etnik.
“Integrimi i Shqipërisë kalon nga Brukseli, jo duke plotësuar tekat e Athinës. Nuk e duam Athinën avokate në Bruksel, jo sepse nuk kemi nevojë për avokatë por nuk mund të bëjmë kompromis me Athinën për cështjen kombëtare”, deklaroi
 (s.g/d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›