Tatimet urdhërohen të nisin rimbursimin e TVSH-së për bizneset
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nxjerrë një urdhër për përshpejtimin e procedurave të rimbursimit të TVSH-së për bizneset, një rekomandim i bërë nga FMN-ja. Sipas burimeve zyrtare nga DPT-ja, “po përshpejtohen procedurat për rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për bizneset dhe veçanërisht për fasonistët, si një mënyrë për t’i ndihmuar në këtë periudhë të krizës ekonomike globale”. Drejtuesit e tatimeve bëjnë të ditur se të gjitha degët në rrethe janë urdhëruar të bëjnë rimbursimin e TVSH-së aktuale dhe asaj të trashëguar brenda 30 ditësh nga momenti i kërkesës së dorëzuar nga subjekti. Drejtuesit e tatimeve bëjnë të ditur se procesi i rimbursimit të TVSH-së ka nisur tashmë dhe gjatë muajit shkurt rimbursimet janë rritur me 5 herë kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Administrata tatimore po përpiqet të bëjë një rimbursim të vazhdueshëm të TVSH-së përgjatë gjithë vitit, duke thyer kështu traditën e mëparshme ku rimbursimi bëhej kryesisht në muajt e fundit. Nga të dhënat rezulton se gjatë vitit 2008, tatimet i kanë rimbursuar biznesit rreth 2.4 miliardë lekë TVSH.
Kompania “Albtelekom” prezanton një ofertë nxitëse për internetin në familje
Kompania “Albtelekom” prezantoi dje ofertën e re, risi për klientët shqiptarë, duke synuar nxitjen e tyre në përdorimin e internetit. Me ofertën më të re të “Albtelekom”-it, të gjithë mund të kenë në shtëpitë e tyre internetin, aq shumë të dëshiruar, të shpejtë dhe me cilësi të lartë. Kompania bën të ditur se duke u abonuar në shërbimin “ADSL” nga data 1-31 mars, të gjithë do të përfitojnë tarifën e instalimit, si dhe dy muaj internet falas. Në këtë mënyrë, të gjithë abonentët do të kenë internet 24 orë, duke harruar për dy muaj shpenzimin e faturave. “Albtelekom” thotë se duke iu përmbajtur politikave të saj për të futur një teknologji bashkëkohore, në të gjithë Shqipërinë, vetëm gjatë vitit 2009, do të vijë me një larmi ofertash të reja për t’u dhënë mundësi të gjitha kategorive të klientëve të njihen dhe të shijojnë teknologjinë e avancuar të kompanisë. “Albtelekom”-i ka fituar të drejtën e ofrimit të shërbimit të internetit për të gjithë sistemin arsimor parauniversitar. Sipas projektit që u nënshkrua vetëm pak ditë më parë midis Ministrisë së Arsimit dhe “Albtelekom”-it, do të jenë rreth 2017 shkolla që do të përfitojnë nga teknologjia e avancuar që ofrohet vetëm nëpërmjet shërbimit “ADSL”.
Ankandi i BSH-së, dalin në shitje 3.2 miliardë lekë bono thesari
Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, zhvilloi dje ankandin e radhës për shitjen e bonove të thesarit të qeverisë. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në këtë ankand Ministria e Financave ofroi për shitje bono thesari me maturim 3-mujor, me një total prej 3.2 miliardë lekësh, të cilat do të përdoren për Bankën e Shqipërisë dhe për bankat e nivelit të dytë.
3 Mars 2009