Shoqata e Gjyqtarëve: “Presidenti të rishohë numrin e përgjithshëm të gjyqtarëve”
Laureta Rryçi
Tiranë - Unioni i gjyqtarëve sapo ka miratuar rezolutën e shoqatës që përfaqësojnë duke përcaktuar kështu detyrat që i presin për përmirësimin e të drejtave të gjyqtarëve. Sipas njoftimit për shtyp, nga drejtuesit e kësaj shoqate pohohet se një nga pikat e rezolutës ka të bëjë me faktorët kryesorw që ndodhen në piramidën e Drejtësisë. Rezoluta përcakton marrëdhëniet me ta dhe kërkesat që do të kenë ndaj tyre. “Tërheqim vëmendjen që reforma në Drejtësi duhet të mbështetet në studime të mjaftueshme, që japin argumente të plota për të bërë ndryshime, duke shmangur kështu dëshirat subjektive të personave apo grupimeve të caktuara, të cilat direkt apo indirekt cenojnë pavarësinë dhe autoritetin e pushtetit gjyqësor”, - thuhet në njoftimin e shoqatës. Presidentit të Republikës, ministrit të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë pritet që kjo shoqatë t’i kërkojë rishikimin e numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve, duke konsideruar faktor të rëndësishëm ngarkesën e punës e për pasojë afatet kohore të gjykimeve në përputhje dhe me përgjegjësitë e shtetit shqiptar, që rrjedhin nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut. Në këtë kuadër, të përcaktohen organikat e çdo gjykate, duke mundësuar në mënyrë të shpejtë sistemimin në detyrë të gjyqtarëve, që rezultojnë jashtë funksioni për shkak të riorganizimit të gjykatave të rretheve gjyqësore. Në kuadër të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, do të kërkojnë që të konsiderohet ndërhyrje e papërligjur dhe e papërshtatshme çdo vlerësim i kujtdo autoriteti jogjyqësor që lidhet me interpretimin dhe zbatimin e ligjit në çështje konkrete nga gjyqtari, në veçanti në vendime gjyqësore të formës së prerë, të cilat për efektet që krijojnë njehsohen me ligjin. Qëllimi i reformës në Drejtësi është përmirësimi i cilësisë së shërbimit gjyqësor ndaj publikut. Por kritikat e përgjithësuara e në gjuhë të ashpër në adresë të trupës gjyqësore në realitet krijojnë një efekt të kundërt, duke zbehur dhe dëmtuar sigurinë e gjyqtarëve në dhënien e drejtësisë, gjë qw nuk i shërben reformimit të saj. Ndërsa Ministrisë së Drejtësisë do t’i kërkojnë të ndërmarrë masa urgjente për të rritur sigurinë për gjyqtarët nëpër gjykata. Tashmë janë bërë disa raste ku gjyqtarëve u është rrezikuar jeta brenda në ambientet e gjykatës nga persona të armatosur ose jo.
1 Mars 2008