E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu: Kushtetutës po i bëhet atentat, AK s’ka aktivitet politik

TIRANË- Në një intervistë për Zërin e Amerikës, numri dy i KLD-së, Kreshnik Spahiu sqaroi pozicionin e tij në krye të Aleancës Kuq e Zi dhe atë si nënkryetar i KLD-së, duke deklaruar se hetimi ndaj tij për këto detyra është fare i padrejtë, pasi aktiviteti i AK-së nuk është politik.

“Jam i përfshirë në aktivitetet e Aleancës Kuq e Zi, por kjo lëvizje nuk ka funksion politik. Kauza e Aleancës Kuq e Zi është me rëndësi për shqiptarët”, tha Spahiu

I pyetur se a do të shndërrohet AK në një parti, Spahiu komentoi se “Kjo është një pyetje që nuk më përket mua, i përket të ardhmes së aleancës e cila synon të aktivizojë 1 milionë aktivistë. Për tu kthyer në parti duhet një vendim kolegjial, jo aventuresk. Mund edhe të mos shndërrohet në parti”, tha ai.

Spahiu foli edhe për ngritjen e komisionit hetimor, me qëllim shkarkimin e tij nga ky post, pas kërkesës së PD-së se ky i fundit po përdor institucioni e drejtësisë për qëllime vetjake politike. Ai tha edhe njëherë se, me këtë hetim po i bëhet atentat Kushtetutës së Shqipërisë, pasi Kuvendi nuk mund të shkarkojë nënkryetarin e KLD-së.

“Kuvendi mund të hetojë dhe të shkarkojë Kryetarin e Shtetit, Prokurorin e Përgjithshëm, Avokatin e Popullit, kreun e KLSH dhe shumë të tjerë ndërsa për nënkryetarin e KLD-së dhe anëtarët e tjerë, Kushtetuta nuk parashikon shkarkim. Kuvendi nuk i ka këto kompetenca, shkarkimi im mund të bëhet vetëm nga KLD-ja”, komentoi Spahiu.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›