E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu: Ndryshimi i kombësisë, rrezik për ndasi etnike artificiale

Intervistoi: Thimi Samarxhiu

Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, e cilëson hapësirën ligjore për ndryshimin e kombësisë një çështje “shqiptare”, e cila nuk ekziston në vende të tjera. “E drejta e gjakut nuk mundet të ndryshohet”, - thotë ai në këtë intervistë për MAPO-n, duke shtuar se është legjislacioni shqiptar ai që ka krijuar pa të drejtë probleme kushtetuese. Spahiu propozon tri mënyra për të dalë nga kjo situatë, e cila në prag të regjistrimit të popullsisë rrezikon asimilimin e pjesshëm e artificial të disa zonave në vend.

Zoti Spahiu, pak ditë më parë ju ishit zëri i vetëm publik që shprehët shqetësimin për numrin e madh të kërkesave për ndërrimin e kombësisë nga shqiptare në greke. Pas kontrolleve dhe inspektimeve që KLD ka kryer në disa gjykata, sa problematik paraqitet ky fenomen dhe në cilat zona rezulton më shqetësues?

Këshilli i Lartë i Drejtësisë po realizon disa inspektime informative, të cilat do të thellohen në bashkëpunim më Ministrinë e Drejtësisë dhe Inspektoratin e kësaj Ministrie, në bazë të një marrëveshje që kemi për të vazhduar më tej një inspektim analitik, pasi bëhet fjalë për mijëra çështje dhe është e pamundur që 12 inspektorë që ne kemi të mund të analizojnë dhe kontrollojnë në një kohë rekord këto çështje. Do të thosha që natyrisht është jo vetëm shqetësim, pasi nuk kemi të bëjmë me parregullsi të shkëputura, por kemi të bëjmë me një tendencë që është shndërruar në fenomen, për shkak të kërkesave të shumta për ndryshimin e kombësisë. Mjafton fakti që vetëm në dy gjykata ka mbi 2200 pranime kërkesash, pra 2200 qytetarë që kanë ndryshuar kombësinë, pa përfshirë këtu kërkesat të cilat janë refuzuar apo pushuar, do të thotë që kemi një tendencë goxha të lartë. Në ditët në vijim ne do të dalim me një listë, e cila do të jetë transparente, e detajuar, me statistika: numrin e përgjithshëm të kërkesave të pranuara, të pushuara dhe të rrëzuara, kërkuesit me emrat e tyre, të cilët kanë ndryshuar kombësinë nga shqiptare në greke.

Nga informacionet që ju keni, sa shtetas shqiptarë janë kthyer në grekë, që nga viti 2003 e deri më sot dhe sa prej tyre janë në kundërshtim me ligjin?

Kjo gjë nuk më përket vetëm mua, nuk është një detyrë institucionale e KLD-së, por KLD-ja mund të informojë vetëm në rrugë gjyqësore se cili është numri i qytetarëve shqiptarë të shndërruar në grekë, sepse nuk përfshijmë këtu numrin e atyre që në rrugë administrative kanë ndryshuar kombësinë. Pra ne nuk mund të marrim kompetencat e gjendjes civile apo pushtetit vendor apo Ministrisë së Brendshme në nxjerrjen e kësaj shifre. Do të thosha që numri duhet të jetë shumë herë më i lartë nga shifrat që ne kemi arritur të nxjerrim deri tani: 2200 për Gjykatat e Gjirokastrës e Përmetit dhe jemi akoma në fazën e mbledhjes së shifrave nga gjykatat e tjera të vendit. Për t’u bindur që numri është disa herë më i lartë se vendimet e regjistruara të gjykatës, më lejoni t’ju përmend vetëm një fakt. Një kryetar i njësisë vendore në një fshat të Korçës, në mënyrë abuzive ka ndryshuar 72 kombësi. Imagjinoni se çfarë është bërë në shumë fshatra të tjera të vendit. Një rast është konstatuar dhe është ndëshkuar dhe nuk mund të marr përsipër raste të tjera, që nuk janë konstatuar, pasi nuk është kompetencë e Këshillit, pra shifra prej mijërash që ne po nxjerrim, janë vetëm në rrugë gjyqësore të ndryshuar. Dua të theksoj që kjo shifër mund të rritet ndjeshëm, pasi janë ende në proces kontrolli gjykatat e Tiranës, Tepelenës, Sarandës, Vlorës.

Fluksi më i madh i ndërrimit të kombësisë duket se lidhet me një premtim të qeverisë Karamanlis për dhënien e shtetësisë në vitin 2004-2005 dhe procesin e regjistrimit të popullsisë, që pritet të realizohet gjatë këtij viti. A nuk duket se Greqia e ka të thjeshtë të realizojë qëllimet e veta në Shqipëri, ndërsa shteti ynë është i paaftë për të reaguar? Në këtë situatë, cili është rreziku që na kanoset?

Besoj që pyetja juaj ka karakter politik. Është e vështirë që ta vlerësoj nëse ka një strategji politike për të ndryshuar shtetësitë dhe kombësitë e shqiptarëve, ajo çfarë mund të them juridikisht për ju është se legjislacioni shqiptar pa të drejtë ka krijuar probleme kushtetuese në lehtësinë e ndryshimit të kombësisë apo ndryshimit pa kritere të emrave apo mbiemrave të qytetarëve, që do të thotë gjithë ajo tendencë e ndryshimit të emrave dhe mbiemrave në Greqi mund të transferohet në çdo moment në rastin e regjistrimit të popullsisë në Shqipëri, në të dhënat që do përfshihen në Regjistrin e Popullsisë. Mundet të ndodhë që qytetarë shqiptarë mund të ndryshojnë emër, mbiemër, kombësi, fe dhe të kemi disa elementë shumë të rëndësishëm që në Regjistrin e Popullsisë të transformojnë një realitet, i cili nuk i përgjigjet kohës dhe të shkaktojë probleme të forta të ndasive etnike dhe të problemeve artificiale të një numri, i cili nuk ekziston. Dritarja juridike që është krijuar në ligjin e Gjendjes Civile të ndryshuar në vitin 2003 nga Parlamenti në një seancë enigmë, që nuk dihet sesi është zhvilluar dhe më pas me ligjin e ri të vitit 2009, ka krijuar një terren të papërshtatshëm dhe abuziv në ndryshimin e kombësive. Ashtu siç dihet, nga informacionet që kemi nga shumë gjykata, qytetarët kanë qenë të interesuar në këto 10 vite; së pari, të ndryshojnë kombësinë pasi në këtë mënyrë siguronin një lëvizje të lirë në vendet e BE-së; dhe së dyti, për shkak të interesave financiare në përfitimin e një pensioni mbi 300 euro në muaj. Pra, këta janë faktorët kryesorë dhe janë disa elementë juridikë, të cilët unë mund të ndalem profesionalisht t’i diskutoj. Nëse ka komponentë të tjerë politikë, është shumë e vështirë të paragjykoja politikën e Athinës zyrtare.

Gjatë prononcimeve tuaja, ju u keni bërë thirrje gjyqtarëve të kenë kujdes dhe të zbatojnë me rigorozitet ligjin për këto raste, por nga ana tjetër rezulton se është pikërisht ndryshimi i ligjit në vitin 2003 që ka krijuar terrenin e përshtatshëm për abuzime. A e shihni ju me vend një ndërhyrje të dytë në ligj dhe si mund të realizohet kjo?

Kam bërë thirrje që gjyqtarët të jenë të kujdesshëm dhe të zbatojnë me rigorozitet ligjin. Natyrisht që do i nënshtrohen një verifikimi brenda afateve të parashikuara nga ligji, të çështjeve që mund të inspektohen, kjo për faktin që një gjë mund ta them me siguri, vihet re mbajta e disa standardeve të ndryshme për praktika të njëjta. Gjykata e Lartë nuk ka arritur të nxjerrë një praktikë unifikuese për zbatimin e ligjit për ndryshimin e kombësisë. Gjykata të ndryshme apo gjyqtarë të ndryshëm, për të njëjtat çështje mbajnë qëndrime të ndryshme. Ky është një konstatim i parë, i sigurt, por që mbeten për t’u konfirmuar arsyet dhe motivet e shkeljes apo keqinterpretimit të ligjit nga gjyqtarët.

Nga disa vendime që ne kemi siguruar, dalin dy probleme: mundësia ligjore për të zgjedhur kombësinë dhe e dyta: përfaqësuesit e gjendjes civile nuk paraqiten si palë përfaqësuese e shtetit shqiptar në gjyq. Në këto kushte, si i konsideroni këto seanca gjyqësore?

Është e vërtetë që në çështjet ligjore të përfaqësuara në gjykatë mbarten probleme dhe shkelje të ndryshme, por që fatkeqësisht janë të pandëshkueshme edhe nga vetë Këshilli. Shumëkush më ka pyetur se pse KLD po reagon kaq vonë. Çfarë masash do të marrë Këshilli? E para, do të thosha që jemi në kohë dhe në asnjë rast nuk mund të thuhet vonë, pasi jemi të parët që po merremi me këtë çështje. Së dyti, kemi pengesa të forta ligjore, pasi në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjit, vendimet që janë lënë në fuqi dhe nuk janë ankimuar, janë të pakontestueshme dhe kanë forcën e ligjit dhe këtu lind problemi i dytë ligjor. Shteti, i cili ka qenë palë e paditur në kërkesat e qytetarëve për ndryshim kombësie në shumicë masive siç ka ndodhur në Korçë, nuk ka bërë ankim dhe duke mos bërë ankim vendimet kanë hyrë në fuqi, duke u bërë të formës së prerë. Kjo gjë e pengon KLD-në dhe institucionet e tjera që të ndryshojnë themelin e këtyre vendimeve dhe për më tepër të ndëshkojë gjyqtarët. Një vendim i formës së prerë nuk e vë dot përpara përgjegjësisë ligjërisht gjyqtarin. Gjithsesi, mbetet që çështje të cilat janë prishur nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë, apo rastet me dy standarde, t’i nënshtrohen një verifikimi e analize të thellë dhe trajtimit për procedim disiplinor.

Zoti Spahiu, përveçse një çështje e gjyqësorit, ndërrimi në masë i kombësisë është edhe një çështje që i takon politikës dhe institucioneve. Në këtë prizëm, nga njëra anë kemi lobistë aktivë grekë si Nikolas Geixh apo konsulli grek në Korçë Ikonomu, që bëjnë thirrje të papranueshme për Shqipërinë dhe nga ana tjetër diplomacinë apo politikën tonë, që duket apatike për ta trajtuar këtë problem. A keni ju një apel për të bërë mbi këtë çështje dhe kujt ia drejtoni atë?

I takon gjetja e tri mënyrave për të dalë nga kjo situatë. Së pari, rekomandohet që të ketë një debat të gjerë, profesional dhe transparent në lidhje me çështjen e trajtimit ligjor, juridik, konstitucional të çështjes së kombësisë, referuar dhe standardeve të BE-së dhe “Të drejtës Ndërkombëtare”. Sipas të gjitha regjimeve juridike të vendeve të BE-së, krah të cilave synon të jetë dhe Shqipëria, nuk ka rregulla për ndryshimin e kombësisë, ka rregulla për ndryshimin e shtetësisë. Një shqiptar mund të ketë disa pasaporta, por origjinë ka vetëm një. E drejta e gjakut nuk mundet të ndryshohet me rregulla. Së dyti, është e rëndësishme që të ketë një trajtim ligjor e kushtetues. Organet ligjvënëse mundet të trajtojnë në seanca të veçanta problemet kushtetuese të këtij ligji duke zgjidhur së pari kushtetutshmërinë dhe nëse ka probleme kushtetuese, ta shfuqizojnë këtë dispozitë; dhe së dyti, nëse ka probleme interpretimi, ta standardizojnë brenda referencave, të cilat ata i kanë parë të arsyeshme apo të përshtatshme për të formuluar këtë dispozitë. Asnjë nga ekspertët e huaj dhe ndërkombëtarë, ende nuk ofron asistencën apo zgjidhjen për këtë çështje, pasi në vendet e tyre nuk ekziston një dispozitë e tillë.

Së treti, e cila është dhe më e rëndësishmja, janë masat që duhen marrë, qoftë administrative në organet e administratës ku është shkelur ligji “Për Gjendjen Civile” dhe apriori janë ndryshuar kombësitë, por edhe në gjyqësor, për ata të cilët kanë cenuar zbatimin e ligjit. Në këtë kontekst, mund t’i paraprihet asaj çfarë mund të ndodhë në të ardhmen me regjistrimin e popullsisë. Ajo çfarë mund të thosha është që në tërësi nuk është numri që ne po verifikojmë shqetësues, ndonëse ai është një numër shumë i madh. Ajo çfarë mund të ekzistojë, mund të jetë shumë më e thellë dhe më e gjerë. Në mënyrë të paligjshme mund të ketë mijëra qytetarë, të cilët e kanë ndryshuar në mënyrë të paligjshme kombësinë. Mbetet për t’u verifikuar dhe në këtë verifikim është e rëndësishme që çdo institucion të mbajë përgjegjësinë dhe të ketë një komunikim dhe bashkëpunim ndërinstitucional. Besoj që është koha që komponentët dhe elementët kryesorë të identitetit të çdo shqiptari të përkojnë me një infrastrukturë ligjore dhe kushtetuese për të parandaluar çdo rrezik për një asimilim të pjesshëm në zona të caktuara në mënyrë artificiale, të imponuar, nën trysni, nën presion, nën joshje financiare apo rrugë të tjera jo ligjore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›