Arrestohet korrieri me 6.32 kg heroinë, destinacion Italia
DURRËS- Një i ri nga Durrësi është vënë në pranga, pasi policia kishte zbuluar se ai po transportonte në një çantë një sasi të konsiderueshme lëndë narkotike, e cila dyshohet se është heroinë. Sipas informacioneve të deritanishme, mendohet se heroina ka hyrë nga Kosova dhe ka pasur si destinacion final tregun italian. Burime të policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se Ervin Hoxha, 21 vjeç, është arrestuar mbrëmjen e së shtunës në hyrje të zonës së Plazhit, në lagjen 13. Ai ka pasur në një çantë një sasi prej 6 kg e 320 gram lëndë narkotike, e cila ishte e fshehur në 6 pako të mbështjella me natriban. Drejtori i policisë së qarkut Durrës, Aleks Hajdari, është shprehur se i riu Ervin Hoxha është person pa precedent penal dhe ishte duke ecur në këmbë në kohën që kanë ndërhyrë efektivat e policisë së Durrësit së bashku me ato të FNSH-së për arrestimin e tij. Arrestimi i 21-vjeçarit, banor i lagjes 13 në Durrës, është realizuar sapo kalon Urën e Dajlanit, në hyrje të zonës së Plazhit. Burime të policisë së qytetit bregdetar nuk kanë saktësuar nëse për zbulimin e sasisë së heroinës kanë pasur njoftim nga policia fqinje apo ai ka rënë në pranga pas një hetimi të disakohshëm.
Itinerari
Nga hetimet e para bëhet e ditur se kjo sasi lënde narkotike ka ardhur nga Kosova dhe ka pasur si destinacion final vendin fqinj, Italinë. Menjëherë pas arrestimit, 21-vjeçari Ervin Hoxha është marrë në pyetje nga agjentët e antidrogës, por burimet e policisë së Durrësit janë shprehur se ai nuk ka hedhur shumë dritë rreth kësaj sasie heroine që ka pasur me vete. 21-vjeçari Ervin Hoxha mendohet se ka qenë thjesht një korrier për ta dërguar sasinë prej 6.32 kg heroinë në një destinacion të përkohshëm në qytetin e Durrësit, në mënyrë që më pas ajo të udhëtonte drejt Italisë. Policia është duke zgjeruar rrethin e hetimit për të parë dhe zbuluar se cilët janë personat e tjerë të implikuar në këtë trafik droge. Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se në ditët e ardhshme do të ketë persona të tjerë të arrestuar për këtë çështje. Megjithatë, ende nuk është bërë e ditur nëse do të ishte vetë 21-vjeçari Hoxha, i cili do të kryente dhe transportimin e drogës drejt Italisë, apo ai do t’ia dorëzonte dikujt tjetër.