E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harasani: Rama futet në zgjedhje, por PS-ja e përçarë humb sërish

SHKRUAN: Alfred Lela 14-02-2011 10:28

Andis Harasani nuk e konsideron rebelim qëndrimin e tij dhe të kolegëve të LMN, por shton gjithashtu se as skizmë (ndarje) tjetër në PS nuk do të ketë. Mohon kështu zërat se ai do të lëvizë drejt formacioneve politike, sot pjesë e mazhorancës, dhe thekson se është sekretar për çështjet e programit zgjedhor në PS dhe pret që kryetari t’i mbledhë e t’u kërkojë hartimin e një platforme për zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, si në një ndeshje bejsbolli, z. Harasani e “hap krahun”, kur e pyet për lëvizjet politike të kryetarit Rama. Duket se ai ka zgjedhur të jetë pjesë e një pakice jokomode, që e mendon jetën si të mundur edhe jashtë sqetullës së kryetarit. Sigurisht, duke e ditur se liria është komoditeti më i madh. Ja edhe mendimet e tij në mënyrë më të shtrirë.

Z. Harasani, më 18 shkurt kryetari i PS-së ka thirrur protestën e radhës. Protesta është shndërruar thuajse në kulturë, ose antikulturë në daç, brenda PS-së, duke pasur parasysh se me hope dhe luhatje ato janë shndërruar në mekanizëm komunikimi të Partisë Socialiste. Duke e ditur se ju jeni një prej zërave ndryshe në PS, por duke mos pritur domosdoshmërish një përgjigje ndryshe, a mendoni se protestat janë reagimi i duhur?

Nuk janë reagimi i duhur. As nuk kanë shans që të jenë. E kemi provuar këtë teknologji për tre vjet rresht dhe madje edhe më shumë, duke nisur nga dalja jonë në opozitë në 2005-ën. Komunikimi politik nuk mund të ngushtohet dhe kufizohet vetëm në dalje apo shëtitje në bulevard. Ato janë vetëm një mjet, por jo mekanizmi i vetëm. I parë kështu, si e vetmja alternativë, ato vetëm sa i lodhin njerëzit, i ftohin ata me politikën dhe i armiqësojnë me të. Dhe mbi të gjitha, nuk japin rezultatin e dëshiruar. Të jemi të qartë: Partia Socialiste synon të vijë në pushtet. Por kjo gjë nuk bëhet vetëm duke treguar tjetrin si i paaftë apo si i korruptuar. Bëhet duke treguar se çfarë jemi ne të aftë të bëjmë, duke dëshmuar vullnet për të luftuar korrupsionin e kështu me radhë. Dhe mbi të gjitha, bëhet përpara kutive të votimit. Aty ku duhet të bindim votuesin se pse duhet të firmosë siglën tonë e madje edhe duke e bindur se ajo votë do t´i numërohet drejt. Qoftë edhe duke e mbrojtur, qoftë duke e bindur se do t´ia respektojmë atë votë dhe se jemi gati të nisim një qeverisje pa hile dhe jo vetjake.

Duket sikur zgjedhjet lokale të 8 majit janë letra e fundit e kryetarit Rama për të tërhequr palët në një tryezë nga e cila shpresohet një zgjidhje pothuajse e llojit deus ex machina? A po bllofon Rama, apo retorika kundër futjes në zgjedhje do të ketë si rezultante pikërisht sabotimin e tyre?

Le të shohim një çast se çfarë ka bërë kryetari i partisë sime që nga momenti që ka marrë këtë post dhe do të shohim në këtë skemë të sotme gjithë çfarë ka bërë ai vetë në të djeshmen. Nuk di të them se në cilën pikë nuk e ka luajtur ku me sukses e ku me dështim bllofin. Në politikë bllofi është një element i pranueshëm, që në kushte të caktuara edhe mund të aplikohet, por kur bllofi zëvendëson vetë politikën atëherë këtu ka një problem serioz. Mendoj se PS-ja, pavarësisht çfarë do të dëshironte Rama, do të futet në zgjedhje, për rrjedhojë edhe Rama do të kandidojë për Tiranën; mbetet ende e paqartë sjellja në rast humbjeje, por nuk do të uroja që PS-ja të ndiqte të njëjtën rrugë që ndoqi pas zgjedhjeve të vitit 2009. Më ngjan se dueli i radhës për kryeqytetin i komplikon të gjitha llogaritë. Por mua nuk më interesojnë ato llogari që bën kundërshtari ynë, PD-ja, më intereson se çfarë do të bëjë Partia Socialiste dhe sesi ajo do të sillet më 8 maj. Këtu dua të bëj një paranteze. Që pothuaj pesë vjet më parë, kam thënë publikisht se ndieja frikë se lidershipi i ri i PS-së rrezikonte ta shndërronte partinë në një bashki, në një zyre të pushtetit lokal. Fushata e 2007-s vetëm sa e forcoi këtë dyshim. Duke u fokusuar kryesisht te fitorja e Tiranës dhe e Edi Ramës, dhe të gjithë qyteteve të tjera të mëdha, ne humbëm shumicën e komunave. Humbëm edhe në bastione të padiskutueshme të së majtës, për faktin e thjeshtë se nuk e administruam votën dhe më keq akoma, nuk u interesuam për atë votë. Pasojat u ndjenë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009, kur edhe për këtë shkak ne nuk mundëm t´i fitojmë ato. Tani, dy vjet më pas, më 2011, ndiej se Bashkia e Tiranës dhe dëshira për ta fituar atë me çdo kusht, po i merr frymën gjithë partisë dhe po e fut në rrugë të panjohura. Të jem i qartë dhe pa asnjë ekuivok. Gjithçka them ka vetëm një shqetësim që ka të bëjë me ardhjen e PS-së në pushtet. Unë jam i bindur se ne qeverisim më mirë se PD-ja, por për këtë duhet të bindim më parë shqiptarët dhe jo veten.

Tirana politike e mediatike qarkullon zëra të cilët u shohin ju të larguar te LSI-ja ose edhe te BDU-ja e z. Idrizi. Cila prej lëvizjeve ka më shumë gjasa të ndodhë?

Unë jam sekretar për çështjet e programit zgjedhor dhe po pres që Rama të na mbledhë dhe të na japë detyrën për hartimin e platformës për zgjedhjet vendore dhe të modeleve të programeve zgjedhore për bashkitë e komunat. Unë jam në punë dhe çdo ditë mendoj, konsultohem me ekspertë për çështjet vendore dhe hedh në letër projekte, përpiqem vetëm sesi PS-ja të fitojë zgjedhjet vendore. Gjithçka tjetër është “shpıkje” që nuk më intereson… Fatkeqësisht, sa herë që ndodh diçka në Tiranë, mediat e marrin vesh të fundit. Dhe ajo që zakonisht bën media është që fotografon dhe pasqyron, por shumë rrallë analizon e parashikon se çfarë do të ndodhë. Por edhe kur bëhen parashikime, ato dalin të gabuara dhe i përgënjeshtron shpesh realiteti.

Nëse vendosni të mos largoheni nga PS-ja, a keni ju ndonjë axhendë për t’i nxjerrë gjërat pak më larg rebelimit të LMN-së, që do të thotë: a do të ketë hapa konkretë që zëri i ngritur të jetë edhe zë i dëgjuar e në të njëjtën kohë zë efektiv?

Rebelim? Rebelimin e bëjnë fashistët dhe komunistët. Ne kemi kërkuar demokraci brenda partisë sonë. Kemi luftuar si kemi mundur dhe sa kemi mundur për një gjë të tillë. Në fakt, LMN-ja nuk është rebeluar asnjëherë dhe ky term nuk i përket LMN-së, por meqë ky term duket si një shpikje interesante, po e pranoj se qenkemi rebeluar. Për çfarë? Kundër djegies së mandateve, siç thanë ndërkombëtarët, dhe Rama u tërhoq. Kundër bojkotit, siç thanë ndërkombëtarët, dhe Rama u tërhoq. Kundër protestave me dhunë, siç thanë ndërkombëtarët, dhe fatkeqësisht meqë nuk na dëgjuan u vranë katër njerëz të pafajshëm. Ne kemi kërkuar më shumë demokraci të brendshme, atë demokraci që i krijoi kushtet Ramës të bëhet kryetar i PS-së dhe tani kur të tjerët e kërkojnë demokracinë e brendshme Rama i bashkohet korit të atyre që këtë kërkesë normale demokratike e quajnë “rebelim”. Përsa i përket pjesës të dytë të pyetjes, mund t’ju them se axhenda ime e vetme është “si bashkohet dhe fiton e majta”, por ndryshe nga si po vepron Rama, që po e përçan shumë rëndë të majtën dhe po e çon përsëri drejt humbjes. Të ikësh është gjëja më e lehtë. Është kapërcimi i një pragu që ka ndodhur shumë shpesh në Shqipëri, por që në fakt ka ngritur më së shumti pragje për shoqërinë. Shoqëria shqiptare, por dhe miqtë e huaj në ambasadat e akredituara në Tiranë, në mënyra të ndryshme, po synojnë besoj të njëjtën gjë. Po e çon PS-në drejt rivendosjes së demokracisë në vend. Po e çon drejt respektimit të vlerave. Unë shpresoj. Si individ jam optimist, si politikan domosdoshmërish duhet të marr frymë në mënyrë optimiste.

Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit në turin e fundit në Shqipëri ka takuar edhe zotërinjtë Blushi e Islami. A e shihni këtë si pjesë e dëshirës së amerikanëve për të marrë kontakt me të gjitha palët apo një mjet trysnie ndaj kryetarit Rama të tipit: rebelizmi i tepruar na bën të shohim dhe potencojmë alternativa brenda formacionit tuaj?

E shoh si rikonfirmim të asaj që kemi thënë shpesh. Rikonfirmim të qëndrimit që Edi Rama nuk e menaxhon dot Partinë Socialiste dhe, për më shumë, që nuk është në gjendje ta sjellë atë në pushtet. Kjo është vetëm një shenjë. Shumë të tjera janë treguar në të shkuarën, shumë të tjera do të tregohen dhe më fuqimisht në të ardhmen.

Dritan Prifti është shfaqur publikisht në krah të zotit Rama dhe eksponentëve të tjerë të Opozitës së Bashkuar dhe ka deklaruar se i ka drejtuar një kërkesë grupit parlamentar të PS-së me qëllim inkuadrimin në radhët e tij. Kur dukej se në PS nuk mund të kishte vend për Priftin, tani duket sikur ai po zë vendin e dikujt…

Në dijeninë time kjo nuk është e vërtetë. Për më tepër problemi i opozitës nuk lidhet me individë të veçantë, por me një frymë të veçantë që mund ta bëjë atë fituese. Sepse e dua Partinë Socialiste fituese të zgjedhjeve dhe në qeverisje, them se ky proces është shumë më i thellë dhe ka të bëjë me atë çfarë bëri Berisha më 2009. Kryeministri ndërtoi një koalicion me 16 parti dhe e mbushi rezervuarin e votave të tij edhe me lumin e PD-së, edhe me përrenj e rrëke të partive të tjera. Pastaj iu afrua edhe LSI-ja. Këtë gjë nuk po shoh ta bëjë PS-ja dhe nëse nuk e bën, ripërsëris se e majta e përçarë do të humbasë përsëri edhe më 2011-ën edhe më 2013-ën.

Për ta mbyllur, çfarë është 21 janari në gjykimin tuaj z. Harasani: përpjekje për të marrë pushtetin nëpërmjet dhunës dhe represion i shtetit me qëllim parandalimin e kësaj, apo gjërat qëndrojnë diku përtej kësaj bardh-e-zie të palëve?

Ishte një protestë e dhunshme që kishte një qëllim kryesor të ndryshëm nga ai që ishte deklaruar. Ajo ishte drejtuar për të bërë më të lehtë fushatën e Ramës në Tiranë. Ky ishte synimi, por, nga ana tjetër, përgjigjja e shtetit ishte e gabuar, shumë e gabuar. Asnjë arsye në botë nuk justifikon vrasjet që ndodhën. Për më tepër që të katër vrasjet janë kryer jashtë “vıjave të kuqe të sıgurisë së objekteve të rëndësisë së veçantë”. Jeta e katër qytetarëve të pafajshëm, si edhe jeta e çdo qytetari tjetër në këtë vend, mbrohet me Kushtetutë. Ata sot duhet të ishin gjallë, sot nuk duhet të diskutonim për një protestë të dhunshme, e cila u pasua nga katër viktima të pafajshme. Aty na solli një politikë e dhunshme e të dyja palëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›