Letërporosi në Turqi për plumbin që vrau Nikajn
Tiranë- Prokuroria shqiptare u ka dërguar pak ditë më parë një letër-porosi autoriteteve turke, me anën e të cilës kërkon të vihet në dispozicion të hetimit predha e gjendur në trupin e Aleks Nikajt, i cili ndërroi jetë në Turqi. Sipas prokurorisë, ende nuk ka një përgjigje nga autoritetet turke, por burimet thanë se predha që është nxjerrë pas operimit të Nikajt, do të administrohet për llogari të hetimit duke përdorur të gjitha procedurat e nevojshme. Duke qenë se demonstruesi i plagosur rëndë, më 21 janar, ndërroi jetë në Turqi, predha që e kishte qëlluar atë në kokë u mbajt nga mjekët dhe më pas u administrua nga autoritetet, me qëllim vënien e saj në dispozicion të hetimit. Burime të rezervuara pohuan se përveç predhës së gjetur në trupin e Ziver Veizit, ajo që është hequr nga mjekët turq në trupin e Nikajt, është një nga provat më të forta, që mund të çojnë hetuesit tek autori i dytë i vrasjeve. Sapo predha të dërgohet në Tiranë, ajo do t’u çohet ekspertëve për të përcaktuar kalibrin dhe më pas llojin e armës nga e cila është qitur. Në bazë të dëshmive të mbledhura deri tani, por edhe nga ekspertimet balistike për armët e gardistëve që kanë qenë me shërbim në datën 21 janar, prokuroria mund të përcaktojë edhe autorët e dyshuar të vrasjes së demonstruesve Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, të cilët janë qëlluar disa metra larg njëri-tjetrit. L.Bakillari