Policia në sulm kundër krimit, arrestohen 78 persona
Aksioni i forcave të rendit, i zhvilluar rreth një muaj më parë, duket se nuk ka përfunduar me aq. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, strukturat e Policisë së Shtetit kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë të 78 personave, të akuzuar për krime të ndryshme. “Strukturat e Policisë së Shtetit në nivel qendror dhe vendor kanë ndërmarrë dhe vënë në zbatim një sërë masash me synim parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe rritjen e sigurisë në komunitet. Në sajë të këtyre masave, gjatë 2 ditëve të fundit nga strukturat e Policisë së Shtetit është bërë e mundur kapja në flagrancë e 78 personave të akuzuar për krime të ndryshme, ndër të cilët 29 janë arrestuar e ndaluar për vepra të tilla penale si: vrasje, vjedhje me dhunë, prodhim e shitje narkotikësh, vjedhje, armëmbajtje pa leje; ndërsa 49 autorë të veprave penale ndiqen në gjendje të lirë” – bën të ditur Policia e Shtetit, me anë të një njoftimi për shtyp. Gjithashtu, mësohet se janë kapur 18 persona të shpallur në kërkim, ndër të cilët një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje. Ndërkohë, mësohet se janë bllokuar 16 armë zjarri të llojeve të ndryshme, sasi të konsiderueshme fishekësh dhe lënde plasëse, të cilat mbaheshin pa leje si dhe rreth 6 kg e 400 gram lëndë narkotike e dyshuar e llojit heroinë, dhe rreth 5 kg e 420 gram cannabis sattiva.
Po në kuadër të këtij aksioni, gjatë kontrolleve të ushtruara për zbatimin e rregullave të Kodit Rrugor nga ana e drejtuesve të automjeteve, nga Njësitë Rajonale të Policisë Rrugore janë vendosur 4.192 masa administrative gjobë për shkeljet e konstatuara dhe në 63 raste drejtuesve të automjeteve u është hequr leja e drejtimit për përdorim të pijeve alkoolike, ecje me shpejtësi tej normave të lejuara apo shkelje të tjera në kundërshtim me normat e Kodit Rrugor. Gjithashtu, mësohet se janë bllokuar 52 automjete dhe konfiskuar 2 për mangësi apo shkelje të ndryshme në dokumentacion. Nga ana e saj Policia e Shtetit bën të ditur se aksione të tilla do të vazhdojnë dhe në ditët në vijim dhe do të shtrihen në të gjitha qytetet e vendit.