Vrasja e 26-vjeçarit, gjenden gjurmë gjaku në shtëpinë e Xhuvanit
Tiranë- Dy ditë pas vrasjes së 26 -vjeçarit Alfred Musabelliu, Policia e Tiranës nuk ka ende asnjë gjurmë të autorit të kësaj ngjarjeje, 22-vjeçarit Kostandin Xhuvani. Efektivët e policisë kanë marrë në pyetje dy të arrestuarit si bashkëpunëtorë në vrasje, Albi Zela dhe Donald Ymeri. Nga dëshmitë e tyre është mësuar se konflikti kishte nisur pak ditë më parë, në një lokal në “Qytetin Studenti”, që menaxhohej nga viktima Alfred Musabelliu, por burime nga polica shprehen të rezervuar në lidhje me shkaqet e nisjes së konfliktit. Burime konfidenciale bëjnë të ditur për MAPO-n se një ndër pistat kryesore, ku janë përqendruar hetimet, ka të bëjë me konflikte që mund të kenë lindur për lëndë narkotike. Ky dyshim i ngritur nga ana e grupit hetimor përforcohet dhe më shumë nga e shkuara e viktimës dhe njërit prej të arrestuarve, të cilët janë të skeduar si konsumues dhe shpërndarës të hashashit. Por nga ana tjetër bëhet e ditur se hetimet janë shtrirë dhe në disa pista të tjera, duke mos përjashtuar këtu dhe konfliktet e lindura për arsye banale, pasi të katërt personat e përfshirë në këtë ngjarje njiheshin prej kohësh me njëri-tjetrin e banonin në të njëjtën lagje. Efektivë të shumtë policie kanë ushtruar kontroll gjatë dy ditëve të fundit në banesat e tre personave të dyshuar për këtë ngjarje. Burime prej këtij grupi bëjnë të ditur se në banesën e Kostandin Xhuvanit, djalit të regjisorit Gjergji Xhuvani dhe aktores e deputetes Luiza Xhuvani, janë gjetur njolla të shumta gjaku. Njollat e gjakut janë gjetur në shkallët e pallatit, deri në hyrjen e banesës së familjes Xhuvani. Gjithashtu, brenda banesës është gjetur dhe një peshqir me gjak, ku nga ekspertizat e kryera deri më tani rezulton që të jetë gjaku i viktimës Musabelliu. Lidhur nga këto prova të gjetura, është arritur të ndërtohet një skemë e krimit, ku rezulton se pasi ka qëlluar në drejtim të Musabelliut, 22-vjeçari Xhuvani ka rënë në kontakt me gjakun e viktimës, pasi edhe disa rroba të gjetura në shtëpinë e tij kishin njolla gjaku. Pasi ka qëndruar disa çaste përpara trupit të pajetë të viktimës, Xhuvani është larguar me shpejtësi në drejtim të banesës së tij, ku pasi ka ndërruar rrobat, të cilat ishin me njolla gjaku, ka fshirë duart me peshqirin e gjetur nga policia, është larguar në drejtim të paditur. Pas gjetjes së këtyre provave, fillimisht u ngritën dyshimet se dhe vetë Xhuvani mund të kishte mbetur i plagosur, por burime zyrtare nga Policia bëjnë të ditur se njollat e gjakut të gjetura në peshqir dhe në rrugë, i përkasin viktimës dhe jo autorit. Ndërkohë forcat e policisë kanë kryer kontrolle të shumta në zona të ndryshme të Tiranës, por edhe të Elbasanit, pasi 22-vjeçari ishte student në Universitetin e këtij qyteti dhe dyshohet se mund të jetë i fshehur aty, por deri më tani ende nuk është gjetur asnjë gjurmë e Konstandin Xhuvanit. Nga ana e tyre, regjisori i njohur, Gjergj Xhuvani dhe deputetja Luiza Xhuvani i kanë bërë apel djalit të tyre të dorëzohet në polici.