E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu Nepotizem ne gjyqesor

Nepotizmi dhe mungesa e disiplinës përbëjnë kritikat kësaj here të nënkryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu për gjyqësorin e Korçës ku ai u ndal kësaj here. Ai ka vlerësuar mënyrën e organizimit të punës nga gjyqtarët e kësaj gjykate, duke theksuar se gjatë këtij viti është rritur efikasiteti i gjykimit të çështjeve penale. Porsa i përket konflikteve civile, nga analiza rezulton se shumica prej tyre kanë përfunduar në afate të arsyeshme kohore.

Sipas Spahiut dy janë problematikat me të cilat përballet sot sistemi gjyqësor shqiptar, për të cilat KLD ka kërkuar edhe asistencën e ekspertëve të BE-së; angazhimi i gjyqtarëve në procesin e mësimdhënies shpesh herë bie ndesh me orarin zyrtar dhe orarin e seancave gjyqësore, duke sjellë në këtë mënyrë zvarritjen e pajustifikuar të proceseve. Porsa i përket mosrespektimit të disiplinës formale nga ana e gjyqtarëve në punë , KLD ka aplikuar dhe do të vazhdojnë të aplikojë procedime disiplinore.

Shqetësuese në këtë drejtim mbeten sidomos udhëtimet e gjyqtarëve jashtë vendit pa marrë lejë dhe miratimin përkatës Nga ana tjetër Spahiu ka theksuar se sistemi gjyqësor shqiptar sot përballet edhe me nepotizmin dhe me lidhjet familjare, të cilat nuk garantojnë paanshmërinë e proceseve gjyqësore.

Më tej nënkryetari i KLD- së ka kërkuar nga gjyqtarët e Korçës rritjen e standardit të gjykimeve, për një proces të rregullt ligjor, gjykimin brenda një afati të arsyeshëm dhe rritjen e besueshmërisë së publikut ndaj sistemit gjyqësor. Gjatë vitit 2010 nga gjykata e shkallës së parë në Korçë janë paraqitur për gjykim 6083 çështje, nga të cilat kanë përfunduar 5342 çështje.

Porsa i përket çështjeve penale të themelit, ato janë 37 më tepër se viti 2009 dhe masat e sigurimit janë 95 më shumë se i njëjti vit. Mesatarisht çdo gjyqtar i gjykatës së Korçës gjatë vitit 2010 ka shqyrtuar 297 çështje, ose 14 çështje më pak se viti 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›