E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie fluksi i prenotimeve, kompanitë turistike anulojnë çarterat për korrikun



Ervin KOÇI

Pushimet e shqiptarëve që duan të udhëtojnë jashtë vendit janë të destinuara të mos shkojnë si çdo vit. Këtë verë, përveç shtrenjtimit me 20-30 për qind të të gjitha paketave turistike për jashtë vendit, problem për turistët shqiptarë do të jetë edhe udhëtimi. Kompanitë e udhëtimit kanë anuluar rreth 80 për qind të çarterave (avion të posaçëm) në drejtim të destinacioneve turistike më të preferuara nga shqiptarët. Shkak për këtë janë bërë prenotimet e paketa për këtë vit nga shqiptarët, për të cilat vetë operatorët turistikë të agjencive pranojnë se kanë ardhur prej shtrenjtimit të kostos. Dhe si të mos mjaftonte kjo, të gjithë ata udhëtarë që do të duan të udhëtojnë për turizëm në drejtim të Turqisë, Egjiptit, Dubait, Tunizisë etj., do të jenë të detyruar që t’i bashkohen çarterave që do të nisen nga Shkupi (Maqedoni) dhe Podgorica (Mali i Zi). Por deri në ato vende shpenzimet e tyre duhet të mbulohen nga vetë pushuesit shqiptarë, që më shumë se për turizëm duket sikur do të nisen për aventura. Një gjë e tillë ka bërë që shumë individ apo familje të ndryshojnë planet për këtë verë, ku përveç shpenzimeve më të mëdha që mund të bënin, ata tani i ka frenuar dhe mungesa e çarterave. “Kemi bërë disa prova por çertarët tanë për në Sharm dhe Antalia këtë muaj nuk janë mbushur as për gjysmë. Për këtë jemi detyruar të spostojmë datat, por kemi pasur kosto më të madhe dhe anulime në momentet e fundit nga klientët”,- ka pohuar për “Albania”-n Silva, përfaqësuesja e një agjencie turistike në kryeqytet. Si ajo edhe të tjerë operatorë turistik kanë deklaruar të njëjtën situatë, duke thënë se disa herë agjenci të ndryshme i kanë bashkuar edhe bashkë pushuesit për të mbuluar shpenzimet e çarterave.

Kriza
Mungesa e parave, çmimet e kripura të paketave turistike dhe së fundi, loja me çarterat ka bërë që shumë shqiptarë të heqin dorë nga pushimet jashtë vendit për muajt qershor dhe korrik. Megjithëse agjencitë turistike pohojnë se prenotimet janë të ngjeshura për në muajin gusht, edhe destinacionet më të frekuentuara nga shqiptarët për vite me radhë Turqia dhe Egjipti, këtë vit kanë ndjerë krizën. Çmimet janë aq të larta sa po t’i krahasosh me ato të vendeve fqinje, një turisti shqiptar me aq para sa paguan për të shkuar në vende pushimi joelitare, do t’i takonte të shkonte në destinacione VIP si Kuba, Spanja, Karaibet apo Meksika.

Shtrenjtimi
Në të gjithë agjencitë e udhëtimit dhe kompanitë turistike që ofrojnë paketa turistike jashtë vendit, të gjitha çmimet janë rritur nga 20-40 për qind. Kjo do të thotë se kush ka bërë ndër mend që të udhëtojë për disa ditë pushime jashtë vendit këtë verë, duhet t’i bëjë mirë llogaritë e tij. Nga informacioni i mbledhur në rreth 95 për qind të agjencive turistike, gazeta “Albania” ka vërejtur se çmimet për udhëtimet turistike jashtë vendit janë rritur nga 100-200 euro për çdo individ, por ka dhe nga ato oferta speciale ku çmimet kanë rritje deri në 300 euro. Pra, nëse për një udhëtim turistik 10 ditor në Turqi ose në Egjipt (Sharm el Sheik), një person ka shpenzuar deri vjet 400-500 euro sipas nivelit të hoteleve, këtë vit ai duhet të shpenzojë 700-800 euro po për të njëjtën kohë pushimesh. Aktualisht, shërbimet turistike që u ofrohen konsumatorëve shqiptarë nga agjencitë turistike vendase, janë më të shtrenjtat në të gjithë Europën. Mungesa e një enti të specializuar shtetëror që të kontrollojë aktivitetin e këtyre agjencive, si dhe ujdia mes këtyre të fundit për të mbajtur çmime aspak konkurruese, ka bërë që shqiptarët të paguajnë disa herë më tepër për ato paketa dhe shërbime që gjermanët, rusët, italianët dhe të gjithë vendet fqinje të rajonit paguajnë zakonisht çdo vit.

Pagesat
Paketat turistike, biletat e avionëve ose anijeve, taksat dhe të gjitha pagesat për shërbimet shtesë, janë disa herë më të mëdha se ato që paguajnë turistët e vendeve të tjera për të njëjtat vende ku shkojnë edhe shqiptarët. Një ndër zërat që u shton shqiptarëve shpenzimet për turizmin jashtë vendit, është pikërisht udhëtimi i cili zë dhe peshën më të madhe në llogarinë e shërbimeve. Pikërisht kostoja e udhëtimit, përbën rreth tre të katërtat e shpenzimeve në total për çdo turist shqiptar që niset jashtë vendit për disa ditë pushime. Por rritje kanë pasur edhe të ardhurat nga ky shërbim për vendin tonë. Kështu bilanci neto i shërbimeve të udhëtimit shënoi një suficit prej rreth 84 milionë eurosh gjatë vitit 2009.

Kriza, 4 evropianë në 10 heqin dorë nga udhëtimet

Ekzistonte dikur dëshira për të udhëtuar, pushuar dhe zbuluar botën. Por duket se me thellimin e krizës ekonomike, ajo është fashitur, të paktën jo në ëndrrat e njerëzve, por në mundësinë për ta realizuar atë konkretisht. Ky fakt zbulohet nga një studim i fundit i Bashkimit Evropian, i cili ka monitoruar të gjitha të dhënat e fundit të agjencive të fluturimit në shumë vende të tij, duke dalë në përfundimin se të paktën katër ndër dhjetë persona të testuar evropianë, kanë hequr dorë njëherë e mirë këtë vit nga fluturimet me avion, udhëtimet e ndryshme apo edhe pushimet.

26 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›