Operatorët: Tregu turistik shqiptar përfiton sivjet nga kriza
Tregu turistik shqiptar mund të përfitojë më shumë këtë vit, në kushtet e krizës ekonomike që ka mbërthyer vendet e zhvilluara. Kjo krizë mbartet si rrathët koncentrike në gjithë vendet e tjera, ku tregu turistik ndërkombëtar është shumë fleksibël ndaj eksplorimit të destinacioneve "të lira e të mira". Operatorët turistikë shqiptarë mendojnë se ky shans është ideal për tregun turistik shqiptar, pasi është destinacion i afërt me tregun turistik të vendeve Perëndimore dhe jo aq i largët si Karaibet, Maldivet, apo edhe Mesdheu Jugor. Por, sipas kreut të Unionit të Operatorëve Turistikë Shqiptarë, Sadik Malaj, ky shans mund të kapet vetëm duke bashkërenduar promovimin turistik të vendit në mënyra më agresive e më të larmishme. "Shqipëria mund të konkurrojë në tregun turistik rajonal për vitin 2010, në turizmin e rërës dhe detit për kategoritë ekonomike të turistëve të huaj, duke kombinuar e ndërhyrë secili nga organet ekzekutive, ato vendore me komunitetin e biznesit, duke bërë secili "detyrat e shtëpisë", - mendon Sadik Malaj.
Rikthehet pas riparimit trageti “Flaminia” i linjës Bari-Durrës
Kompletohet sërish linja detare Bari-Durrës me një traget të përmasave të mëdha dhe dinjitoz, për sa i përket kushteve të lundrimit dhe komoditetit për pasagjerët. Njëra nga kompanitë më të vjetra është rikthyer përsëri pas një pauze 3 mujore. Trageti “Flaminia” nisi lundrimin prej 2 ditësh për të lidhur portet e dy vendeve fqinj. Gjatë këtyre muajve trageti ju nënshtrua riparimit dhe nisi nga puna në prag të sezonit, kur flukset e udhëtarëve shtohen në mënyrë të ndjeshme. Trageti “Flaminia” do të udhëtojë vajtje-ardhje nga Bari në Durrës dhe anasjelltas. Ai ka një kapacitet prej 2000 udhëtarësh dhe 650 autovetura, si dhe është më i madhi që lidh portin e Durrësit me porte të tjera të huaja. Sipas autoriteteve portuale, kompania kishte njoftuar me kohë largimin nga linja për efekt riparimi dhe rikthimin në muajin qershor. Sipas kapitenit të “Flaminias”, trageti siguron tashmë të gjitha kushtet teknike dhe të shërbimeve për udhëtarët.
26 Qershor 2010