Kriza ekonomike, Greqia nxjerr në shitje 6 mijë ishujt
Greqia i është dorëzuar krizës ekonomike dhe ka vendosur të bëjë atë që nuk do ta kishte shkuar kurrë në mend: të shesë ishujt. Sipas të përditshmes prestigjioze londineze “The Guardian”, “Athina është gati të nxjerrë në treg disa nga ishujt e saj më të bukur të detit Mesdhe”. Disa të tjera mund të jepen me qira për periudha të gjata kohore. Gjithçka për të paguar borxhet e mëdha që vendi ka marrë muajt e fundit nga BE dhe FMN për të evituar kolapsin ekonomik. E përditshmja britanike pohon se, edhe një zonë në ishullin e Mikonos, destinacioni kryesor turistik grek, do të nxirret në shitje. Ky territor, pronë e qeverisë, do t’i jepet një manjati të huaj që është gati të investojë miliona euro për ndërtimin e një resorti turistik hiperluksoz. Pjesë të tjera të territorit gjenden në Rodi dhe mund të blihen nga rusë dhe kinezë. Edhe Roman Abramovich, pronari i “Chelsea”-s, është i gatshëm për të blerë një nga ishujt greke, edhe pse një nga zëdhënësit e tij, e ka përgënjeshtruar këtë lajm. Sipas autorit të këtij shkrimi, “Greqia, në një përpjekje të dëshpëruar për të paguar borxhet, lehtëson VIP-at dhe personat e pasur që të bëjnë ëndrrat e tyre ralitet duke u dhënë me qira ose shitur, jo pak por 6 mijë ishuj”. Siç theksohet në gazetë, 1/3 e ishullit është e shtetit dhe ky kërkon blerës për të zgjeruar turizmin. Gjithashtu theksohet se në faqen e internetit “Private Islands” shitet ishulli “Nafsika”, në detin Jon 15 milionë euro. Në artikull thuhet se ekzistojnë ishuj të pabanuar në Greqi të cilat mund të shiten me 2 milionë euro secili. Autori thotë se vetëm 227 ishuj janë me popullsi të dendur dhe se vendimi i qeverisë për të vazhduar në shitje të ishujve, vjen si shkak i dobësisë së shtetit për të zhvilluar infrastrukturën dhe të ruajë këto zona. “Shpresa është se shitja ose e marra me qira me afat të gjatë e ishujve të caktuara do të tërheqin investime dhe do të krijojnë vende pune për rritjen e të ardhurave nga taksat”,- përfundon artikulli.
26 Qershor 2010