Meta: “Fatal bashkëpunimi i Ramës me Berishën”
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha se bashkëpunimi i kryetarit të PS-së Edi Rama me kryeministrin Berisha po dëmton rëndë jo vetëm të majtën, por edhe demokracinë në Shqipëri. Meta u shpreh se asnjë institucion ndërkombëtar nuk i ka kërkuar Ramës që të bashkëpunojë me Berishën, por se kjo gjë ka ndodhur për hir të interesave të ngushta të dy kryetarëve të PS-së dhe PD-së.
“Jemi të detyruar që sa herë kryetari i Partisë Socialiste t’i nënshtrohet oreksit të Sali Berishës, për të cenuar institucionet në vend, liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë, ne të ballafaqohemi edhe me të dy së bashku. Por fokusi ynë ka qenë dhe mbetet që ky kryeministër i papërgjegjshëm, ky kryeministër shkatërrimtar i institucioneve, por edhe i mirëqenies në familjet shqiptare, ky kryeministër demagog i jashtëzakonshëm, ky kryeministër, i cili për korrupsionin e tij dhe të qeverisë së tij nuk ndalet dhe nuk preket as kur ky korrupsion sjell viktima, si në rastin e tragjedisë së Gërdecit, të largohet. Nuk mendojmë se mund të ketë reforma me Sali Berishën dhe nuk e dimë që ka ndonjë institucion në botë, që i ka kërkuar kryetarit të Partisë Socialiste që të përmbysë Kushtetutën me Sali Berishën në kurriz të ndarjes dhe balancës së pushteteve në këtë vend, që është si princip themelor i shtetit demokratik dhe njëkohësisht edhe të pavarësisë të Gjyqësorit edhe të organeve kushtetuese”, - është shprehur Meta.
14 Korrik 2008