E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu apel politikës për Gjykatën Administrative

Për këtë arsye është organizuar një tryezë e përbashkët, ku është diskutuar ngritja e kësaj gjykate. 

Nënkryetari i KLD-së , Kreshnik Spahiu ka bërë apel për gjetjen e një dialogu mes dy forcave kryesore politike të cilat do ti hapnin rrugë reformës në sistemin gjyqësor dhe miratimin e pr/ligjit të Gjykatës Administrative, "i cili ka mbetur ne sirtaret e Kuvendit".

 "Rrugëdalja i takon politikës, e cila duhet të gjejë dialogun. Mungesa e dialogut bën të mundur që Gjykata Administrative të mos ngrihet në kohën e duhur. Mungesa e dialogut mban peng reformat në gjyqësor", deklaroi Spahiu. Numri 2, i Këshillit të Lartë të Drejtësisë nënvizon domosdoshmërin e ngritjes së kësaj gjykate, e cila "do të garantojë barazinë e palëve në proces ashtu sic bën të mundur ezaurimin e një nga shqetësimeve kryesore në KLD, zgjidhjen e vonesave në shqyrtimin e këtyre mosmarëveshjeve", tha Spahiu.

"Qytetarët, biznesi ,shteti nuk mund të vazhdojnë të rrijnë pas dyerve të gjykatave për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve asdministrative me muaj të tërë. Ngritja e gjykatave padyshim që zgjidh përfundimisht këtë problem", theksoi më tej Spahiu. Pas takimeve në Kukës, Shkodër, Dibër, Gjirokastër, Lezhë, Korçë, Elbasan, Durrës, Berat, Vlorë dhe Fier, sot, Koalicioni në Përkrahje të Gjykatave Administrative organizoi këtë tryezë të rrumbullakët në Tiranë me pjesëmarrje të gjerë, duke përfshirë përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe të shoqërisë civile.

 Koalicioni, i zgjeruar tashmë me 34 anëtarë, ndër të cilët përfshihen organizata që përfaqësojnë të gjithë komunitetin e biznesit dhe shoqata të shoqërisë civile në Shqipëri, është angazhuar në një fushatë të gjerë për të informuar mbi projektligjin që do të bëjë të mundur ngritjen e Gjykatave Administrative, si dhe për të angazhuar të gjithë aktorët e interesuar në mbështetje të miratimit të tij sa më të shpejtë.

"Është koha që Parlamenti të miratojë ligjin për Gjykatat Administrative!" Ky ishte mesazhi i pjesëmarrësve në tryezën e Tiranës, të cilët bashkuan nënshkrimet e tyre në peticionin drejtuar Parlamentit shqiptar për këtë qëllim.  "Gjykatat Administrative janë pjesë integrale e reformimit të sistemit gjyqësor të filluar me ligjin për organizimin e pushtetit gjyqësor," u shpreh në takim Nënkryetari Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, duke shtuar se: "Nga këto gjykata të posaçme parashikohet të jepet drejtësia administrative dhe çdo vonesë në funksionimin e tyre shënon regres për vetë reformën në drejtësi."

Ndër risitë e projektligjit, i cili është përgatitur nga me ndihmën e eksperteve nga Bashkimi Evropian dhe përfshin gati të gjitha rekomandimet e bëra nga ekspertët e qeverisë, të opozitës dhe nga ekspertë të huaj, shkurtohet koha për gjykimin e këtyre çështjeve nga një mesatare ekzistuese prej 130 ditësh në gjykatën e shkallës së parë në një maksimum prej 60 ditësh; shkurton në 10 ditë kohën për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatave Administrative, si dhe u njeh atyre kompetencën për të ekzekutuar vendimet e veta, nëse institucionet shtetërore nuk e bëjnë këtë në kohën e duhur.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›