E Diel, 1 Nëntor 2026

Cungohet buxheti i bashkisë, më pak zbukurime në rrugë

15/12/2009  Festat e fundvitit

Vendimet dhe ndërhyrjet e bëra në buxhetin e Bashkisë së Tiranës kanë bërë që atmosfera festive të jetë më e vakët për shkak të vendosjes së zbukurimeve të pakta në rrugët e kryeqytetit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ekspertët e këtij institucioni kanë pohuar gjatë ditës së djeshme se tashmë kanë filluar të vendosen zbukurimet nëpër sheshet dhe rrugët kryesore të kryeqytetit dhe kanë kërkuar nga dikasteret qeveritare që të mos e kthejnë në politikë këtë fenomen. Sipas drejtoreshës së sektorit të punëve publike në bashki Albana Koçiu, për shkak të mungesave të buxhetit po përdoren të njëjtat zbukurime që janë përdorur edhe një vit më parë. “Bashkia e Tiranës, pavarësisht problemeve në buxhet të shkaktuara nga qeveria, ka filluar prej ditësh dekorimin e qytetit me rastin e festave të fundvitit. Vërtet po përdoret pjesë e dekorit të një viti më parë, për shkak se fondet e buxhetit vendor po cungohen dita-ditës nga qeveria. U bëjmë apel Bogdan-tellallëve të mos përdorin dhe festat për politikën e tyre të përbaltjes. Tirana nuk do dhe nuk ka nevojë të zbukurohet me paratë e Gërdecit dhe Kalimashit”, - ka pohuar Albana Koçiu. Sipas saj, përveç zbukurimit të rrugëve dhe shesheve është parashikuar edhe zhvillimi i një sërë aktivitetesh argëtuese për banorët e veçanërisht për grup-moshat e vogla. Konkretisht bëhet fjalë për aktivitetet të reja, që do të zhvillohen në sheshet e kryeqytetit, ku në sheshin “Nënë Tereza” tashmë po vendoset një cirk me rreth 100 akrobatë, të cilët do të performojnë deri në muajin janar, ndërsa pranë sheshit “Skënderbej” do të vendoset një pistë e akullt e rrethuar nga një panair për të kënaqur të gjitha grup-moshat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›