E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veriu i Kosovës i shërben Serbisë për shantazh

Autori i Lajmit: Nga Agustin Palokaj/ Bruksel

Vendet kryesore të Bashkimit Evropian janë dëshpëruar me sjelljen kryesisht jokonstruktive të Serbisë sa i përket veriut të Kosovës. Kjo sjellje e Serbisë është keqësuar sidomos pasi BE-ja i ka hequr vizat për shtetasit e saj. Serbia ka rritur angazhimin e saj në veri të Kosovës, është munduar të rrisë ndikimin edhe në pjesë të tjera, ndërsa ka ndarë edhe mjete financiare për të financuar strukturat paralele në veri të Kosovës. Po ashtu ka emëruar edhe gjykatësit të cilët në territor të Kosovës do të zbatonin ligjet e Serbisë. Beogradi nuk ka dhënë as sinjale se do të mund të ketë një rol konstruktiv edhe ndaj pjesëmarrjes së Kosovës në nismat ndërkombëtare, ndërsa ka keqësuar raportet edhe me fqinjët për shkak të Kosovës. Por shtetet kryesore të BE-së dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se kanë arsye pse e kanë toleruar një sjellje të tillë të Serbisë deri tash. Si rezultat nxjerrin faktin se nuk ka pasur ndonjë shpërthim të dhunës
ndëretnike.
Me daljen e strategjisë për veriun e Kosovës gjërat kanë filluar të ndryshojnë dhe një nervozizëm është vërejtur, edhe nga Beogradi, ehe nga politikanët që zbatojnë politikën e Serbisë në Kosovë. Ata kanë frikë se mos vallë bashkësia ndërkombëtare vërtet dëshiron ta integrojë veriun e Kosovës në jetën politike dhe shoqërore të Kosovës. Duke pasur parasysh mungesën e vendosmërisë së bashkësisë ndërkombëtare deri tash, vështirë se mund të ketë ndonjë kthesë dramatike, së paku jo në një afat të shkurtër. Prandaj, edhe për kohë duhet pritur angazhimin maksimal të Serbisë për të bërë obstruksione ndaj çfarëdo përpjekjesh për të stabilizuar situatën në veri dhe sidomos për të zgjeruar pushtetin e autoriteteve të EULEX-it dhe të institucioneve të Kosovës në atë pjesë. Ashtu siç kemi thënë edhe pas shpalljes së pavarësisë ashtu mbetet dhe tash: Serbia e di saktësisht se deri ku do të jenë kufijtë e tolerancës së bashkësisë ndërkombëtare ndaj sjelljeve të saj në Kosovë. E Serbia gjithmonë do ti testojë deri në kufi nervat e bashkësisë ndërkombëtare dhe të mos çajë kokën për thirrjet tashmë dhjetëvjeçare që të mos inkurajojë strukturat paralele në Kosovë.
Pse për Serbinë angazhimi në kontrollin e kufijve të Kosovës ka pasur sukses. Pikësëpari i ka vënë nën kontroll të gjitha strukturat që veprojnë atje, qofshin shërbime zbulimi, shkolla, mjekë apo policë të MUP-it të Serbisë apo edhe struktura paralele të cilat tolerohen, edhe pse njerëzit kryesorë të BE-së kishin premtuar, duke përmendur emra dhe mbiemra, se do ti arrestonin së shpejti. Së dyti, Serbia krijon katër probleme, pranon të ndihmojë në zgjidhjen e njërit prej tyre dhe bashkësia ndërkombëtare e lavdëron për këtë, në vend që ta qortojë.
Kështu, sot bashkësia ndërkombëtare e ka sjellë veten në pozitë në të cilën thotë se nuk do të ndërmarrë asnjë hap në veri të Kosovës pa u konsultuar me Beogradin. Kjo nënkuptohet dhe kur thonë se duhet konsultuar me ”liderët e serbëve lokalë“ kur dihet se ata janë nën diktatin e Beogradit.
Serbia ka të drejtë. Po të mos kishte kontroll ndaj veriut të Kosovës me të nuk do të diskutohej fare për Kosovën. Shumë diplomatë perëndimorë nuk do të dëshironin që në takime me zyrtarë të Serbisë të përmendet fare Kosova, por kjo është e pamundur kur Serbia kontrollon një pjesë të territorit të saj. Veriu i Kosovës është dhe do të mbetet një vegël e pazëvendësueshme për Serbinë në faktorizimin e saj politik dhe vështirë që do të heqë dorë nga kjo. Kjo do të zgjasë derisa Serbia të mos ndeshet me përgjigjen e fortë, diplomatike nga shtetet perëndimore apo në terren nga ana e EULEX-it dhe autoriteteve të Kosovës. Apo Serbia pret të shohë nëse mund të hyjë në negociata me Kosovën, nëse jo për të rihapur negociatat e statusit të Kosovës, atëherë për të siguruar një ”zgjidhje të pranueshme për të dyja palët ku asnjëra palë nuk do të jetë humbëse“.
Për këto zgjidhje flasin presidenti i Serbisë, Tadiq, dhe ministrat e tij. E Kjo zgjidhje, siç i rrëshqiti njëherë nga goja vetë Tadiqit në një moment dobësie, është ndarja e Kosovës. Apo si variant rezervë mund të jetë ndonjë ”Ahtisaari plus“ për veriun apo krijimi i ndonjë lloj „Republika Srpska“ në veri të Kosovës, e cila në letër do të ishte pjesë e Kosovës por në praktikë kosovarët vështirë do të mund ta kalonin urën e Ibrit. A do ti realizojë apo jo Serbia këto qëllime varet nga vendosmëria e faktorit ndërkombëtar për ti parandaluar.
Kosova ka dëshmuar se nuk ka asnjë strategji të veten dhe të gjitha shpresat për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës i ka bartur te faktori ndërkombëtar.
Nga kjo politikë e Serbisë dobi kanë vetëm politikanët në Serbi. Ata duke e mbajtur Kosovën në krye të debatit politik mbulojnë dështimet e tjera siç janë ekonomia dhe ngecja në rrugën e integrimeve evropiane. Anketat e fundit kanë dëshmuar se Serbia është shteti më i varfër në rajon sa i përket standardit të jetës (Kosova nuk është marrë parasysh). Në fushën e integrimeve në BE as që është marrë parasysh aplikimi i Serbisë dhe asaj tash afati për tu bërë anëtare e BE-së i përmendet diku viti 2020, dhe kjo me kushtin që ta njohë Kosovën. Në këtë situatë politikanët e Serbisë nuk kanë çfarë të humbin por vetëm të fitojnë në popullaritet duke ”luftuar për mbrojtjen e Kosovës“. Disa politikanë në Evropë gabimisht mendojnë se është vetëm ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiq, ai që ka ”retorikë të ashpër për Kosovën“, sepse presidenti Tadiq nuk dallon. Madje, sjellja e tyre duket e koordinuar mirë sikur në atë taktikën „një polic i mirë, një i keq!“ e të dy pjesë e së njëjtës strategji.
Ata që pa dyshim do të pësojnë më së shumti nga kjo sjellje e Beogradit janë serbët e Kosovës. Ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq, krahas disa thënieve të tjera, do të kujtohet edhe për një thënie për serbët jashtë Serbisë.
”Sa herë që Beogradi është angazhuar kinse për të ndihmuar serbët jashtë Serbisë, ky angazhim ka shkuar gjithmonë në dëm të po atyre serbëve“. Ai si shembull kishte marrë serbët në Kroaci ku të drejtat e tyre dhe pozita u forcuan kur ata vendosen ta rregullonin jetën e tyre në vendin ku jetojnë, pra në Kroaci, pa kthyer kokën nga Beogradi. Sinjale të shumta janë parë në Kosovë në muajt e fundit se një pjesë e serbëve të Kosovës janë të interesuar për të rregulluar jetën e tyre në Kosovë. Por ata janë aq të dobët, aq të varfër, saqë nuk do ta kenë të lehtë të gjejnë guximin ti thonë JO Beogradit. Është koha që bashkësia ndërkombëtare të jetë më e vendosur e jo të kufizohet në deklarata se ”situata në veri mbetet e brishtë“. (Koha ditore)

Ky lajm është publikuar: 24/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›