E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi me duar të përgjakura

Autori i Lajmit: Nga Veton Surroi

Më 15 maj 1998, me insistimin e ambasadorit Richard Holbrooke , një delegacion kosovar, kryesuar nga Ibrahim Rugova, ishte nisur për në Beograd për ta takuar liderin serb, Slobodan Milosheviq. Holbrooke e kishte bindur Rugovën, mbase fjala më e përshtatshme do të ishte e kishte mujshuar që ta takonte Milosheviqin, duke e obliguar që të hiqte dorë nga politika shumëvjeçare se do ti takonte përfaqësuesit serbë vetëm në kontekst ndërkombëtar dhe me ndërmjetësim ndërkombëtar.
Unë isha një nga pesë burrat që Rugova kishte ftuar të ishin në delegacion. Dilema ime për të marrë pjesë apo jo shkonte përtej çështjes politike; Rugova kishte vendosur dhe skishte çfarë të bëhej në këtë drejtim. Dilema ime ishte e dyfishtë. Në njërën anë, e konsideroja Milosheviqin përgjegjës për ndjekjen shtetërore të shqiptarëve të Kosovës, burgosjet dhe vrasjet dhe nisjen e luftërave në ish-Jugosllavi. I konsideroja duart e tij të përgjakura dhe gjykoja se shtrëngimi i kësaj dore në rezidencën e tij zyrtare është një akt neveritës moral. Nga ana tjetër, ndjeja se ishte një situatë e rrezikshme për Kosovën – një mbledhje ku Rugova i izoluar dhe jo fort me përvojë do ta takonte Milosheviqin e regjur me negociata - ishte moralisht e papranueshme që Rugova të lihej vetëm në këso situatash. Më 15 maj 1998, isha në njërën nga veturat që do të hynin në oborrin e Shtëpisë së Bardhë në Beograd. Milosheviqi, të cilin ne e shikonim si përgjegjës për përndjekjet në Kosovë dhe aneksimin e saj të dhunshëm, na kishte ofruar aeroplanin për delegacionin tonë dhe ne kishim refuzuar. Më pas e gjetëm veten në një situatë surreale: policia e tij sekrete, ajo që ishte përgjegjëse për arrestime, terrorizimin e aktivistëve të opozitës në Serbi dhe për rrahjen e kujtdo që ua merrte mendja në mesin e kosovarëve, po na i përcillte veturat, duke na hapur rrugë nëpër autostradë me kthim brutal të automatikëve drejt ngasësve të veturave dhe të kamionëve që nuk mund të largoheshin me shpejtësi të mjaftueshme.
Kisha vendosur tia shtrëngoja duart e përgjakshme, çmimin që duhej të paguaja për një qëllim me imperativ më të madh moral – të gjendej mënyra që të ndalej përshkallëzimi i luftës dhe një mënyrë për tia nisur procesit negociator për statusin e Kosovës. Ritmi i mbledhjes udhëhiqej me mjeshtri nga Milosheviqi. Po e paraqiste fytyrën e një njeriu që ishte i gatshëm ti zgjidhte problemet e imëta të Kosovës duke treguar ngrohtësi personale nga anëtarët e delegacionit dhe duke e ndërruar kahun e bisedës sa herë ngrihej një çështje serioze. Kur Rugova tha se kishim ardhur me bindjen serioze për pavarësinë e Kosovës (dhe qeshi me nervozë, derisa e tha), Milosheviq tha se si nikoqir do të na ofronte, natyrisht, kafe, sipas traditës. Kur Bakalli i tha se ai ishte shefi dhe mund ta ndalte represionin në rritje në Kosovë, Milosheviqi tha se do të duhej ta pinim nga një uiski (“me pak lëng limoni, sikur Mareshali Tito e pinte dikur, apo jo Bakalli?”). Kur Agani tha se marrëveshja për arsimin nuk ishte askund afër zbatimit, Milosheviqi tha: “E shihni, edhe unë i kam nacionalistët e mi, që krijojnë telashe dhe të gjithë këta profesorë universiteti që po protestojnë në Beograd – do ti zgjidhim të gjitha çështjet, përfshirë edhe ato të marrëveshjes me ligjin e ri”. (Ligji ia mundësonte ti përjashtonte të gjithë profesorët liberalë në Beograd). Të vetmen herë që e tregoi anën e tij prej mujshi ishte kur e ngrita çështjen e masakrës së Jasharëve. “A besoni vërtet se policia serbe mund të vrasë fëmijë?” - pyeti me një fytyrë të kuqe prej hidhërimi dhe nisi të shpjegonte detajet operative se si kishin ndodhur vrasjet – Jashari e kishte vrarë familjen e vet, konkludoi Milosheviqi, për shkak se ata donin ti dorëzoheshin policisë.
Do ta shihja sërish katër vjet më vonë, pasi që të dy kishim mbijetuar – ai bombardimin e NATO-s, unë një rast shumë të mirë të vritesha nga forcat serbe, derisa fshihesha nëpër Prishtinë, e cila zbrazej dita më ditë për shkak të valëve të dëbimit të shqiptarëve. Takimi do të ishte një satisfaksion moral; ai ishte në Hagë, si i akuzuar, kurse unë isha aty, njeri i lirë që dëshmonte kundër tij.
Përderisa po e përgatisnin të hynte në gjykatore, një imazh më ra në sy që simbolizonte plot flakë ndërrimin e shekullit. Mbi derën gjysmë të hapur që përdorej për sjelljen e të akuzuarit e shihja një polic të OKB-së që ia hiqte prangat, me të cilat ishte sjellë në ndërtesë. I kisha asociuar prangat me sundimin e Milosheviqit për më shumë se një dekadë, ai i adhuronte skenat ku oponentëve të tij politikë do tu viheshin prangat apo do tu qetheshin flokët, si shenjë e fuqisë së tij mbi opozitën – dhe ja ku ishte, i prangosur me vetë simbolin e vet. Ndjeva lehtësi, një kënaqësi; një kënaqësi për të cilin ndieja se nuk duhej të turpërohesha – ta shihja Milosheviqin me duar në pranga nuk ma prodhonte empatinë automatike që me vjet kisha pasur për njerëzit në këso situate.
Dhe kjo mendoj se është çështja e parë që duhet të veçoj: Gjykimi i Milosheviqit për shumë njerëz ishte çështje morale. Si e tillë, krijonte gjithashtu një përplasje vlerash morale: për shumëkënd në Perëndim dhe për viktimat e luftërave të Milosheviqit, ky ishte, më në fund, shtegu drejt drejtësisë, për shumëkënd në Serbi, kjo ishte padrejtësi ndaj jo vetëm Milosheviqit, por edhe kauzës serbe dhe vetë Serbisë.
Dy ditë pasi u mora në pyetje nga prokurori dhe vetë Milosheviqi, këto janë disa nga mendimet e mia për atë që kishte ndodhur:
1.
Për Milosheviqin, ngjarja në Hagë nuk ishte gjykim, ishte një panel për historinë. Ai, meqë nuk kishte avokat mbrojtës, por e shndërronte gjykimin në një ngjarje të cilësisë tjetër, ku roli i tij do të përkufizohej si Mbrojtësi i së Vërtetës Historike Serbe. Brenda këtij formati, ndjekja dhe dëshmitarët e saj ishin Shmangie nga e Vërteta Historike. Gjykimi për të ishte irrelevant, nga aspekti i procedurave ligjore; ishte me rëndësi nga qasja e pakufizuar drejt shikuesve të televizionit.
Pronësia e tij mbi të Vërtetën në vazhdimësi shprehej me informatat që me gjasë do të kenë qenë dosje nga shërbimet sekrete: dëshmitarët pyeteshin për detaje për fshatrat e tyre, e për të cilat detaje kurrë nuk kanë çarë kokë, për shembull, sa larg ishte shtylla e rrymës nga shtëpia e tyre. Gjykimi, për të, nuk ishte program i ngjarjeve aktuale, ishte shfaqje teatrore ku ai po e mbronte të Vërtetën nga një konspiracion të madh botëror krijuar nga avokatët perëndimorë, shërbimet sekrete të shteteve të NATO-s dhe fshatarëve shqiptarë të Kosovës, të cilët do ti shqyente ngase nuk e dallonin nëse mizoritë i kishin shkaktuar policët apo ushtarët (për shqiptarët, ishte irrelevante se çfarë uniforme bartnin, për Milosheviqin ishte mënyra për ta dëshmuar inkonsistencën e tyre).
2.
Gjykimi mbahej në tri gjuhë të ndryshme dhe të tri gjuhët kishin kontekstin dhe rrëfimin e tyre politik, kulturor dhe social:
- Milosheviqi, në serbishten e tij, po i fliste popullit të Serbisë; po e mbronte të Vërtetën, të Vërtetën Serbe. Duke i mujshuar dëshmitarët shqiptarë po e luante rolin populist – rolin e superioritetin kombëtar.
- Dëshmitarët shqiptarë nga Kosova, në shqipen e tyre, në të shumtën i flisnin gjyqit, në rrëfimin tyre të viktimave – kurrë nuk e kanë parë UÇK-në, nuk kanë ditur për UÇK-në; u bënë viktima pse ishin shqiptarë; që ka mundur të ishte e vërteta, por jo domosdo e gjithë vërteta.
- Gjykatësit dhe prokurorët, në anglishten e tyre, i flisnin Botës dhe Historisë, duke u përpjekur ti ngrinin lart virtytet e së drejtës anglo-saksone. Po përpiqeshin të krijonin bindjen se ky ishte një gjykim, me gjithë faktin se i akuzuari e kishte transformuar atë në një TV dramë historike. Të tri gjuhët u drejtoheshin tri objektivave të ndryshme: i kapur në përkthim, ishte rrëfim që vështirë se do të mund ti pajtonte dallimet e veta të brendshme: Milosheviqi duke i folur Serbisë dhe vizionin e saj të Historisë; shqiptarët duke i folur Gjyqit, kurse gjyqtarët OKB-së dhe evidencës historike. Nuk kishte sistem vlerash unike në tri gjuhë; vetëm rrëfime të ndryshme, në kuptim të vlerës, të së njëjtës ngjarje. Gjuha e Milosheviqit ishte ajo e sovranitetit shtetëror të Serbisë si të drejtës mbi të gjitha të drejtat. Gjuha e shqiptarëve të Kosovës ishte në të shumtën ajo e viktimës pa atribute të duhura ligjore, kurse anglishtja e gjykatës ishte aty për të krijuar bindjen e një Gjykimi – të një gjykimi fer.
3.
Gjykimi as që mund ti afrohet Nurembergut. Serbia nuk u mund ushtarakisht; lufta e Bosnjës përfundoi me një kompromis që, madje, e shpërbleu gjenocidin nëpërmjet krijimit të Republika Srpskas. Në Kosovë, lufta e NATO-s mbaroi me Rezolutën 1244, bazën politike për tërheqjen e trupave serbe, por gjithashtu baza për ta pasur Serbinë palë për tu pyetur për të ardhmen e Kosovës. Për një pjesë të madhe të opinionit publik perëndimor dhe pa dyshim për ndjekjen, gjykimi do të duhej të ishte ngjarja që do të bënte atë që nuk e bëri pjesa ushtarake – të mundte Milosheviqin dhe agresionin serb në ish-Jugosllavi. Milosheviqi e kishte një rast të fuqishëm: si në luftën në Bosnjë, ashtu edhe në Kosovë ai ishte negociatori që kishte ndalur luftën. Në rastin e Bosnjës, Daytoni e legjitimoi gjenocidin; Milosheviqi besonte se vështirë se mund të konsiderohej përgjegjës për diçka që të gjithë u pajtuan se është rezultat i pranueshëm, me fjalë të tjetra, pastrimi etnik që e prodhon një entitet shtetëror, siç është Republika Srpska.
4.
Në një formë të përçudnuar, nacionalistët serbë kishin të drejtë kur thoshin se Haga, nëpërmjet Milosheviqit, po gjykonte Serbinë.
Pa dyshim, Milosheviqi nuk e ka krijuar nacionalizmin serb, por nacionalizmi serb e krijoi Milosheviqin. Ai ishte në pushtet jo si diktator, por si produkt i një konsensusi social, ishte autokrat konsensual, me bekimin e shumicën për një periudhë bajagi të gjatë kohore. Gjatë asaj kohe, kishte numër shumë më të madh serbësh që donin të luftonin luftëra sesa ti ndalnin.Brenda këtij konteksti, kur Milosheviqi u ballafaqua me gjyqin, në gjyq shkoi edhe përgjegjësia kolektive e popullit të Serbisë. Përfundimi i papritur i gjykimit e parandaloi sqarimin se ku përfundon përgjegjësia kolektive e ku nis faji individual.
5.
Legati i tij, i shkruar apo jo, programatik apo jo, vazhdon. Republika Srpska dhe raporti i pazgjidhur me Kosovën janë politika që e mbajnë peng Serbinë. Ashtu si edhe bindja kolektive se Serbia nuk ishte shkaktarja e luftërave kundër popujve të tjerë.
Milosheviqi e mbrojti të Vërtetën e tij, Tribunali nuk e arriti pikën e ndërrimit – taktika e vetëmbrojtjes juridike e Milosheviqit dhe vdekja e tij parandaluan ndonjë rezultat tjetër.
Do të ketë garë pajtimi në vitet që do të vijnë. Një mundësi jo fort e mundshme është se do të ketë pajtim të shpejtë mes popujve të ish-Jugosllavisë që ishin kapluar nga lufta. Tjetra, që ka më shumë gjasë, është një pajtim tjetër; atë me të cilin Perëndimi pajtohet me konceptin e gjenocidit dhe trajtimit të tij si një nga çmenduritë ballkanase që kanë ndodhur në shekullin e shkuar – përderisa shekulli ishte përplot me to.
(Ligjëratë e Veton Surroit në Universitetin e Indianas, në një konferencë mbi gjykimin ndaj Milosheviqit)

Ky lajm është publikuar: 24/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›